Blinken siguroi vendet baltike, NATO do t’i mbrojë nëse Rusia sulmon

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka siguruar të tre vendet baltike se aleanca e NATO-s do të garantojë sigurinë e tyre mes frikës se presidenti rus Vladimir Putin mund të mos ndalojë agresionin e tij në Ukrainë, raporton VOA. Ndërsa forcat ruse vazhdojnë të bombardojnë Ukrainën, civilët në disa qytete mundën të evakuoheshin të martën, duke u larguar me autobuzë, ose në këmbë mes armëpushimeve të përkohshme.

Qindra civilë u larguan nga luftimet në pjesën veri-perëndimore të Kievit duke kaluar një lumë nën një urë të shkatërruar për të arritur në kryeqytet. Kombet e Bashkuara thonë se të paktën dy milionë ukrainas janë larguar tashmë nga vendi.

Në Uashington, Presidenti Joe Biden njoftoi një ndalim të importet ruse të naftës, gazit dhe qymyrit, ndërsa Sekretari i Shtetit Antony Blinken vazhdoi përpjekjen e tij diplomatike për të koordinuar veprimet me aleatët e NATO-s në Evropë. Zoti Blinken vizitoi këtë javë Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë, udhëheqësit e të cilëve janë të shqetësuar për atë që mund të bëjë më pas presidenti rus Vladimir Putin.

“Duke marrë parasysh se jemi një vend kufitar me një Rusi shumë agresive, ne duhet të përmirësojmë strategjinë e mbrojtjes. Deri tani kemi patur një strategji parandaluese, por duhet ta kthejmë atë në strategji mbrojtëse, që do të thotë të shohim koordinim mes trupave dhe mjeteve. Kemi nevojë edhe për më shumë stërvitje ushtarake në terren për të parë se gjithçka funksionon”, tha kryeministrja estoneze Kaja Kallas.

Zoti Blinken u përpoq të qetësonte aleatët në çdo ndalesë.

“Siç tha Presidenti Biden, ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s me forcën e plotë të fuqisë sonë kolektive. Përkushtimi ynë ndaj nenit 5 është i hekurt. Një sulm ndaj njërit do të ishte një sulm ndaj të gjithëve. Ne dhe aleatët tanë të NATO-s jemi të përgatitur të përballemi me çdo kërcënim, që vjen në drejtimin tonë nga kudo që vjen”.

Në Letoni, sekretari përsëriti thirrjen e tij ndaj Rusisë.

“Sigurisht që nuk ka asnjë ndryshim në mesazhin tonë për Moskën, mesazhin tonë për Rusinë, për Presidentin Putin: jepi fund luftës, mbylle atë tani”.

Sekretari Blinken e përfundoi turneun e tij diplomatik të martën me një ndalesë në Paris për t’u takuar me Ministrin e Jashtëm francez Jean Yves Le Drian dhe Presidentin Emmanuel Macron për të koordinuar përgjigjen transatlantike në përpjekje për t’i dhënë fund agresionit të Presidentit Putin ndaj Ukrainës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button