RMV, edukatorët e ardhshëm duhet të dinë të punojnë me fëmijët qysh gjatë studimeve

“Shumë nga dështimet që ndodhin në kopshte dhe arsim u janë adresuar pikërisht fakulteteve që i prodhojnë këto kuadro. Prandaj, tashmë dy vite punojmë intensivisht, me mbështetje nga Banka Botërore, në forcimin  e sistemit të edukimit fillestar të edukatorëve në vendin tonë”, tha në panelin e sotëm profesoresha Lena Damovska nga Fakulteti Filozofik, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Ngjarja është pjesë e një konference që u mbajt në “Alexander Palace” me temë “Lidhja ndërmjet mirëqenies së fëmijëve dhe arritjeve të tyre”, si organizim i përbashkët i Qeverisë, Ambasadës Britanike në Shkup dhe UNICEF-it.

“Çfarë na duhet, çfarë model i edukatorit na duhet për këtë kohë të re? Kjo përfshin të gjitha fakultetet pedagogjike dhe i identifikon të gjitha gjërat kyçe që mund ta bëjnë ndryshim. Po punojmë në atë se cilat janë çështjet kryesore që e përcaktojnë profilin e edukatorit. Pavarësisht nëse studentët studiojnë në Tetovë, Shtip, ata duhet të kenë punë praktike gjatë studimeve, të shohin nevojat reale të fëmijëve dhe se rafinimi i profilit të edukatorit të jetë diçka që do të ngulitet në sistem”, tha prof. dr Damovska.

Zbulimi i mangësive që konsideroheshin vendimtare bëri që, me mbështetjen e UNICEF-it dhe të gjitha fakulteteve, të organizohej një shkollë dimërore dhe verore.

“Kjo do të shndërrohet në një traditë që duhet të plotësojë njohuritë e studentëve, të cilët nuk kanë pasur mundësi të marrin njohuri të thelluara, aftësi dhe shkathtësi të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin socio-emocional. Qëllimi është të sensibilizojmë studentët, t’i bëjmë ata të mësojnë se kur punojmë me fëmijët çdo ditë duhet t’i motivojmë ata dhe të mundësojmë sensibilizimin për vlerat demokratike”, shtoi profesoresha.

Në panel, përveç Damovskës, folën edhe profesori Kiril Barbareev, Maja Velinovska, drejtoreshë e çerdhes “Dimçe Mirçev” në Veles, si dhe Bojana Naceva, specialiste për arsimin në Bankën Botërore. Naceva theksoi se politikat në arsim nuk janë konsistente, gjegjësisht se nuk është ana jonë më e mirë që të zbatojmë të gjitha politikat që krijohen dhe hidhen në letër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button