Europa dhe zëri i vetmitarëve në shkretëtirë

Bota ndryshoi për pak kohë. Europa, të cilës, siç tha Predrag Matvejeviqi, shumica nga ne i besuan, ndonëse europianët më të mëdhenj nuk reshtën së dyshuari, sot është zënë ngushtë nga Rusia e Putinit. Ajo pret që të lodhet sulmuesi. Derisa rrihet, ajo mendon çfarë do të bëjë më pas. Europa nuk arriti ta kuptonte me kohë “prirjen ruse për ta tepruar”, siç ka thënë Boris Pasternaku.

Elitat politike të shteteve të BE-së grindeshin dhe besonin se koha e goditjeve i takonte historisë. Por, gjithçka ndryshoi shpejt. Një rend botëror është tronditur. Balancat janë cenuar…

“Lufta e Putini nuk përfaqësonte asgjë më pak se një ndryshim kohërash – për Gjermaninë dhe Europën”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz në një seancë speciale të Bundestag-ut gjerman. Ndërkaq, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha: “Nëse bota jonë është ndryshe, atëherë politika jonë gjithashtu duhet të jetë e ndryshme”. 

Gjermania ka vendosur ta ndryshojë kursin në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë.

Edhe kryetari i Francës Emanuel Makron tha se ngjarjet në Ukrainë janë sinjal për ndryshimin e një epoke; se lufta në Europë më nuk është vetëm në libra historie; se demokracia është vënë nën pikëpyetje; se Europa duhet ta paguajë çmimin e paqes, lirisë dhe demokracisë; se duhet të investojë më shumë për t’u bërë forcë sa më e pavarur dhe sa më sovrane; se ajo duhet të bëhet fuqi ekonomike, energjetike dhe në planin e sigurisë.

“Në këtë kthim të tragjedisë nga historia, patjetër duhet të përgjigjemi me sjelljen e vendimeve historike. Nuk mund të mbështetemi tek të tjerët që të na mbrojnë”, ka thënë ai…

BE-ja, që nuk e arrinte njëshmërinë, shpesh veproi kundër parimeve themeltare të saj. Në fund arriti në gjendjen që vlerat e proklamuara t’i mbrohen në Ukrainë.

Mendimtarët europianë e parathanë atë që do të ndodhte. Edgar Morin, ky mendimtar planetar, para shumë vitesh e shprehu shqetësimin për fatin e Europës. Në librin Europa jonë (me bashkautor Mauro Cerutin), e paralajmëroi se kriza e Europës ishte pasojë e paaftësisë së elitave europiane për të arritur një bashkim mbikombëtar dhe për t’i futur në gjirin europian popujt që kishin qenë të okupuar nga perandoria sovjetike.

Autorët e librit e paralajmëruan se kriza ekonomike globale e rrezikonte Europën deri në shpërbërje. Sipas tyre, kombet e Europës ishin bërë egocentrikë dhe nuk e shihnin se asaj i mungonte strategjia globale për problemet ekologjike, të sigurisë dhe ekonomisë. Autorët shqetësoheshin se në Europë humbej ndjenja e solidaritetit ndërmjet kombeve dhe injoroheshin veçantitë kulturore, si pasuri e Europës. Ajo, duke qenë në krizë, duke qenë e pafuqishme dhe e paralizuar, e kishte humbur forcën që ta ofronte modelin e saj për të tjerët.

Edgar Moren-i, te libri Koncepti i Europës, nuk e sheh më Europën si qendër të çështjeve botërore dhe propozon që ajo të hapet ndaj kulturave të tjera.

Mendimtarë tjerë thonë se Europa me vite është në gjendje të jashtëzakonshme dhe me kriza që i mbivendosen për shkak të ndarjes e përçarjes.

Europa, duke qenë e ndarë, sipas Jeremy Shapiro-s, e humbi zërin edhe për krizën Ukrainë – Rusi.

Se BE-së i mungon strategjia për kriza globale, u pa gjatë pandemisë. Ajo nuk funksionoi si trup i bashkuar. Shtetet e BE-së kishin zgjidhje kombëtare dhe jo zgjidhje për gjithë Europën.

Europa e injoroi edhe rrezikun më të madh që i kanosej. Para katër vitesh, më 2018, e kam cituar deklaratën e intelektualit polak Adam Michnic. Ai thoshte se rreziku më i madh për demokracinë dhe për Europën ishte Putini, të cilin e krahasonte me kumbarin Corleone.

“Presidenti rus, Vladimir Putin, sillet si bos mafie. Duke e pushtuar dhe aneksuar Krimenë, ai ia drejtoi armët ruse Ukrainës dhe tha: ose sovranitetin territorial, ose jetën. Deri tani, strategjia e tij ka funksionuar dhe Putini e di këtë. Bosët e mafies shpesh herë kanë fat të palumtur dhe unë nuk mendoj që Putinin do të gjejë një fat më i mirë në fund. Fatkeqësisht, shumë njerëz do të lëndohen në ndërkohë, madje edhe ata që tani e mbështesin”, shkruante ai.

Michnik nuk pajtohej as me metodat europiane për zbutjen e Putinit, këtij politikani “që si stil jete e kishte aventurizmin dhe teprimin”.

Intelektuali dhe poeti i ndjerë Adam Zagajewski ndjehej i vetmuar përderisa Europa përgjumej. Ai paralajmëroi se jetonim në kohë të trishtë. Kjo ndodhte sepse njerëzimi kishte kujtesë të shkurtër. I harroi katastrofat e ndodhura gjatë regjimeve naziste, fashiste e komuniste. Njëkohësisht, sipas tij, Europës i mungonin politikanët e mëdhenj, të urtë dhe inteligjentë… 

Europa e bashkuar është projekt dinamik, që duhet të ushqehet me ide dhe nisma të reja. Ajo forcohet duke qenë e hapur dhe duke funksionuar si trup i vetëm.

Politikanët europianë, tani e tutje, nuk duhet ta shohin Ballkanin Perëndimor si “Europë të egër”, si “Europë tjetër”. Duke e parë kështu, rajoni mbeti në duart e politikanëve të korruptuar lokalë, që bëhen të paparashikueshëm dhe bashkëpunojnë edhe me djallin. Sot duhet të dëgjohet zëri i atyre që thonë se Europa duhet sa më parë Ballkanin ta bëjë pjesë të BE-së.

Europa, kjo zonjë e vjetër, do të gjejë zgjidhje nëse e dëgjon gjeniun e saj, siç tha Denis de Rougemont. Nëse bashkohet rreth vlerave të saj themeltare. Në të kundërtën, do të lëndohet sërish.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button