Kërkesat e reja për anëtarësimin në BE: Test i ri për kapacitetin integrues të BE-së      

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane. 

Malinka Ristevska Jordanova

Pak ditë pas pushtimit rus, Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE. Presidenti ukrainas kërkoi “pranim urgjent”, që njëkohësisht u mbështet nga një letër prej tetë vende anëtare të BE-së (të gjitha nga Evropa Qendrore dhe Lindore, përveç Rumanisë dhe Hungarisë). Ata u bënë thirrje vendeve të tjera anëtare të mundësojnë procedura të shpejta në institucionet e BE-së “për të ndërmarrë hapa dhe Ukrainës t’i jepet menjëherë statusi i shtetit-kandidatit dhe të fillojnë negociatat për anëtarësim”.

Reagimet në Bashkimin Evropian ishin urgjente dhe sigurisht emocionale. Presidenti i Komisionit Evropian Von der Layen thirri: “Ata janë një prej nesh dhe ne i duam brenda”. Megjithatë, Rezoluta e miratuar urgjentisht, me shumicë të madhe, e Parlamentit Evropian, e cila zakonisht shkon një hap më tej për zgjerim nga institucionet e tjera, është mjaft e rezervuar në premtimet e saj. Ajo u bën thirrje institucioneve të BE-së që të “punojnë për t’i dhënë Ukrainës statusin e kandidatit”. Megjithatë, më pas është shtuar se kjo duhet të jetë në përputhje me nenin 49 të Marrëveshjes së BE-së dhe sipas meritës. Në të njëjtën kohë, Parlamenti u bën thirrje atyre që të vazhdojnë punën për integrimin e Ukrainës në tregun e përbashkët në përputhje me Marrëveshjen e Asociimit.

Siç pritej, Moldavia dhe Gjeorgjia aplikuan për anëtarësim disa ditë pas Ukrainës. Përveç Ukrainës, ato janë ndër gjashtë vendet të cilat e përbëjnë grupin e Partneritetit Lindor të BE-së bashk me Armeninë, Azerbajxhanin dhe Bjellorusinë (e cila nga viti 2020 nuk merr pjesë në këtë proces). Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, të cilat kanë Marrëveshje për Asociim me BE-në, i shprehën ambiciet e tyre për anëtarësim në BE në një deklaratë të veçantë verën e kaluar, duke e veçuar veten nga shtetet tjera të grupit. BE-ja vetëm e konstatoi këtë.

Të përkujtojmë se BE-ja nuk mundi të lidhë Marrëveshje Asociimi me Ukrainën në vitin 2014, sepse një shtet anëtar (Holanda) e refuzoi atë pas referendumit. Marrëveshja u ratifikua në vitin 2017, pasi një vendim i posaçëm i Këshillit Evropian (shtojca e Konkluzioneve të dhjetorit të vitit 2016) sqaroi se Marrëveshja e Asociimit nuk i jep Ukrainës statusin e kandidatit dhe as nuk e premton për të ardhmen.

Tani askush nuk e përmend këtë qëndrim politik ende të vlefshëm të Unionit. Kërkesat për anëtarësim nga tre vendet e Partneritetit Lindor u përcollën shpejt nga Këshilli i BE-së në Komisionin Evropian, i cili duhet të japë opinionin e tij. Deri më tani, Komisioni ka dhënë një opinion bazuar në vlerësimet e veta dhe përgjigjet e pyetësorit që do të marrë nga vendi kandidat. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë kaluar një deri në tre vjet nga kërkesa për opinionin e Komisionit, e pastaj ka vijuar vendim për statusin e kandidatit ose kushte shtesë për dhënien e statusit të kandidatit (të cilat, meqë ra fjala, Bosnja e Hercegovina nuk i ka përmbushur ende dhe nuk ka status kandidat). Në një situatë lufte në Ukrainë, është e vështirë të imagjinohet që autoritetet ukrainase do të plotësojnë pyetësorin.

Ka shumë pak gjasa statusi kandidatit të jepet shpejtë, që do të ishte dhuratë gjeopolitike, por edhe nëse do të shkurtonte fazat e para, sigurisht që nuk do ta shkurtonte rrugën drejt anëtarësimit dhe do të ishte demotivuese për Ballkanin Perëndimor. Ka edhe më pak gjasa që BE-ja të negociojë anëtarësimin me një shtet që nuk kontrollon territorin e vet (edhe pse tashmë ka pranuar një shtet të ndarë) ose që është në luftë. Rusia kontrollon pjesë të territorit të të tre vendeve që kanë aplikuar kohët e fundit për anëtarësim.

Ka më shumë gjasa të kërkohen rrugë të tjera specifike. Përmendet një ofertë e “partneritetit të privilegjuar”, e cila në fakt do të ishte alternativë për anëtarësimin dhe pyetja është se sa do të ishte nxitje për Ukrainën. Për t’iu përgjigjur presionit gjeopolitik, pa e zhgënjyer Ukrainën, është e mundur që Bashkimi Evropian të dalë me një instrument apo dokument të ri (përfshirë mbështetje financiare), kombinim të përvojave të mëparshme, me çka do t’i përgjigjej sfidës imediate. Edhe pse motivet gjeopolitike janë tashmë në plan të parë, është e sigurt se politika e kushtëzimit nuk do të braktisej. Megjithatë, shtetet anëtare do të duhet të arrijnë konsensus për këtë çështje, gjë që nuk do të jetë e lehtë, pavarësisht mbështetjes së qartë për Ukrainën.

Përsëri aktualizohet Çështja e kapacitetit integrues të Unionit  Kjo çështje u ngrit për Ballkanin Perëndimor, por kryesisht për aspektin e kapaciteteve institucionale. Në rastin e Ukrainës, kapaciteti integrues është i rëndësishëm nga të gjitha aspektet – buxhetore, politike, institucionale dhe aspekti i katërt – kapaciteti gjeo-politik, përkatësisht kapaciteti i Unionit për të garantuar sigurinë e vet strategjike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button