Ndikimi i ndalimit të importit të naftës ruse në SHBA

Ndërsa Rusia ka intensifikuar luftën e saj kundër Ukrainës, duke vrarë civilë dhe duke shkaktuar një krizë masive refugjatësh, presidenti Joe Biden shpalli ndalimin e importit të karburantit rus. Kritikët e Rusisë kanë thënë se kjo është mënyra më e mirë – dhe ndoshta e vetmja – për ta detyruar Moskën të tërhiqet, raporton VOA.

Një embargo e plotë do të ishte më e efektshme nëse do të përfshinte aleatët evropianë, të cilët janë gjithashtu të dëshpëruar për të ndaluar dhunën në Ukrainë dhe rrezikun që Moska paraqet për kontinentin. Megjithatë, Evropa nuk e merr dot menjëherë një masë të tillë.

Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, Evropa është thellësisht e varur nga energjia që importon nga Rusia. Ndërsa Shtetet e Bashkuara mund të zëvendësojnë sasinë relativisht të vogël të karburantit që marrin nga Moska, Evropa nuk mundet, të paktën jo në të ardhmen e afërt.

Për më tepër, frenimi i eksporteve ruse të naftës do t’i rrisë edhe më shumë çmimet tashmë të larta të naftës dhe benzinës në të dy kontinentet dhe do të rëndonte më tej konsumatorët, bizneset, tregjet financiare dhe ekonominë globale.

ÇFARË PASOJASH KA NDALIMI I IMPORTIT TË NAFTËS RUSE NGA SHBA?

Mes rritjes së çmimeve të karburantit në SHBA – çmimi mesatar ka kaluar 1 dollarë për litër për herë të parë që nga viti 2008 – administrata Biden ishte përballur me presion në rritje për të vendosur sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë, duke përfshirë ndalimin e importeve të naftës.

Tani për tani, një ndalim i zgjeruar i karburantit rus nga Evropa duket i paarritshëm. Të hënën, kancelari gjerman Olaf Scholz e bëri të qartë se vendi i tij, konsumatori më i madh i energjisë ruse në Evropë, nuk ka plane të bashkohet me këtë veprim.

Presidenti Biden tha se e kupton që partnerët evropianë mund të mos jenë në gjendje ta ndërmarrin këtë veprim menjëherë, duke qenë se janë më të varur tek gazi rus, por ai premtoi se Shtetet e Bashkuara do të punojnë ngushtë me aleatët evropianë për një strategji për reduktimin e varësisë të tyre tek Rusia për nevojat e energjisë.

Administrata Biden dhe Kongresi “mbeten të fokusuar në uljen e kostove të larta të energjisë për familjet amerikane dhe partnerët tanë si rezultat i sulmit të Putinit”, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Zonja Pelosi, e cila ka shprehur mbështetjen për një ndalim të importit të naftës ruse nga SHBA, megjithatë përmendi gjithashtu veprimin e presidentit Biden për të bindur aleatët kryesorë për të hedhur në treg 60 milionë fuçi nafte nga rezervat strategjike, duke përfshirë 30 milionë fuçi nga rezervat amerikane, në përpjekje për të stabilizuar tregjet globale.
Para një muaji çmimi i naftës ishte 90 dollarë për fuçi. Tani çmimi për një fuçi ka shkuar mbi 120 dollarë pasi kompanitë e karburantit i shmangen blerjes së naftës së papërpunuar ruse, pasi shumë rafineri druhen se mund të vendosen sanskione. Shqetësimi i tyre është se mund t’u mbeten në dorë sasi nafte që nuk e shesin dot si benzinë, me vendosjen e sanksioneve në të ardhmen e afërt.

Kompania Shell tha të martën se do të ndalonte blerjen e naftës dhe gazit natyror rus dhe do të mbyllte stacionet e saj të shërbimit, ato të furnizimit me karburant të avioneve dhe operacionet e tjera në Rusi, disa ditë pasi ministri i jashtëm i Ukrainës kritikoi gjigantin energjetik për vazhdimin e blerjes së naftës ruse.

Analistët e energjisë paralajmërojnë se sanksionet e naftës nga ana e Perëndimit ose shmangia e blerjes së naftës së papërpunuar ruse, mund të shkaktojnë një rritje çmimi deri në 160 dollarë madje edhe 200 dollarë për fuçi.

Çmime kaq të larta të naftës mund ta çojnë çmimin e karburantit në mbi 5 dollarë për gallon (1 gallon=3.79l litra), një skenar që presidenti Biden dhe figura të tjera politike në Shtetet e Bashkuara duan ta shmangin me çdo kusht.

A KANË FILLUAR TË BIEN IMPORTET RUSE?

Industria e naftës në Shtetet e Bashkuara ka thënë se ndan objektivin të reduktojë varësinë nga burimet e huaja të energjisë dhe është e përkushtuar të punojë me administratën Biden dhe Kongresin. Edhe pa sanksione, disa rafineri amerikane kanë ndërprerë kontratat me kompanitë ruse. Importet e naftës bruto dhe produkteve ruse kanë rënë.

“Industria jonë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm dhe domethënës për të shkëputur marrëdhëniet” me Rusinë dhe për të kufizuar vullnetarisht importet ruse, tha Frank Macchiarola, zëvendës President i Institutit Amerikan të Naftës, grupi më i madh lobues i industrisë së naftës dhe gazit.

Të dhënat paraprake nga Departamenti amerikan i Energjisë tregojnë se importet e naftës së papërpunuar ruse ranë në zero javën e fundit të shkurtit.

Instituti i naftës nuk ka marrë një qëndrim zyrtar mbi legjislacionin për të ndaluar importet ruse të naftës. Por ai thotë se do të jetë në përputhje me çdo kufizim të vendosur.

A DO TË NDËRMARRË EVROPA TË NJËJTAT MASA?

Ndalimi i naftës dhe gazit natyror rus do të ishte i dhimbshëm për Evropën. Rusia mbulon rreth 40% të nevojave të gazit natyror të Evropës për ngrohjen e shtëpive, energjinë elektrike dhe përdorimet e industrisë dhe rreth një të katërtën e naftës. Zyrtarët evropianë po përpiqen të gjejnë mënyra për të reduktuar varësinë e tyre, por kjo do të marrë kohë.

Zëvendëskryeministri rus Alexander Novak nënvizoi këtë urgjencë, duke thënë se Rusia do të kishte “çdo të drejtë” të ndalonte dërgesat e gazit natyror në Evropë përmes gazsjellësit Nord Stream 1 si kundërpërgjigje ndaj Gjermanisë që ndaloi Nord Stream 2, i cili nuk ishte vënë ende në funksionim. Ai shtoi se “nuk e kemi marrë këtë vendim” dhe se “askush nuk do të përfitonte nga kjo”. Ishte një ndryshim nga garancitë e mëparshme ruse se ata nuk kishin ndërmend të ndërpresin gazin në Evropë.

Nafta zëvendësohet më lehtë sesa gazi natyror. Vende të tjera mund të rrisin prodhimin e naftës dhe ta dërgojnë atë në Evropë. Por sasia e duhur për të zëvendësuar naftën ruse do të ishte shumë e madhe dhe kjo do t’i rriste çmimet edhe më shumë sepse nafta ka të ngjarë të vinte nga vende më të largëta.

Zëvendësimi i gazit natyror që Rusia i ofron Evropës ka të ngjarë të jetë i pamundur në një periudhë afatshkurtër. Pjesa më e madhe e gazit natyror që Rusia i jep Evropës kalon përmes tubacioneve. Për ta zëvendësuar atë, Evropa do të duhej të importonte kryesisht gaz natyror të lëngshëm, i njohur si LNG. Kontinenti nuk ka tubacione të mjaftueshme për të shpërndarë gazin nga impiante bregdetare importi në zonat më të largëta të kontinentit.

Në janar, dy të tretat e eksporteve amerikane të LNG-së shkuan në Evropë. Disa anije të mbushura me LNG ishin nisur për në Azi, por ndryshuan drejtimin për në Evropë sepse blerësit atje ofruan të paguanin çmime më të larta, sipas S&P Global Platts.

Ndërsa prodhuesit amerikanë të naftës dhe gazit mund të bëjnë shpime për të shtuar sasinë e gazit natyror, objektet e saj të eksportit tashmë funksionojnë me kapacitet maskimal. Zgjerimi i këtyre objekteve do të kërkonte vite dhe miliarda dollarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button