SHBA-ja ndaloi importet e naftës nga Rusia

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mori vendim të martën për të ndaluar importet e naftës, gazit dhe thëngjillit rus, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, raporton REL. Ai ka thënë se ky veprim nënkupton që “populli amerikan do të përballë me një tjetër goditje” udhëheqësinë e Putinit.

“Ne nuk do të subvencionojmë luftën e Putinit”, ka shtuar Biden, duke iu referuar presidentit rus.

Biden ka thënë se vendimi për të ndaluar importet e naftës është marrë “në konsultime të ngushta” me aleatët.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan ka thënë se pret rritje të çmimeve pas marrjes së këtij vendimi, mirëpo u ka bërë thirrje kompanive të naftës të mos përfshihen në rritje “të mëdha” të çmimeve.

“Do të ketë kosto edhe këtu në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Biden, mirëpo, sipas tij, ky është çmimi që duhet paguar “për të mbrojtur lirinë”.

Biden ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin “duket i vendosur për të vazhduar rrugën e tij vrastare, pavarësisht kostos”.

Megjithatë, Biden ka thënë se Ukraina “nuk do të jetë kurrë fitore për Putinin”.

Përkundër frikës për rritje të çmimeve të gazit, vendimi i tij është mbështetur paraprakisht nga politikanët tjerë në SHBA.

Megjithatë, ai pritet të mbetet i njëanshëm, i papasuar nga aleatët evropianë, të cilët janë shumë më të varur nga gazi dhe nafta ruse.

Rusia paralajmëroi më herët se mund të mbyllë tubacionin e saj kryesor të gazit në Gjermani, nëse Perëndimi ndalon naftën ruse.

BE-ja merr rreth 40% të gazit dhe 30% të naftës së saj nga Rusia dhe nuk ka zëvendësues të lehtë të tyre, nëse furnizimet ndërpriten.

Për krahasim, rreth 8 për qind e importeve amerikane të naftës janë nga Rusia.

SHBA-ja nuk importon gaz natyror nga ky vend.

Moska është eksportuesja e tretë më e madhe e naftës dhe çdo vendim për sanksione pritet ta dëmtojë ekonominë e saj.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button