ASH: Të ulen akcizat dhe TVSH për karburantet, Qeveria bën biznes me krizën
Çmimet e karburanteve sot kanë regjistruar një rritje të ndjeshme pas vendimit më të ri të Komisionit Rregullator të Energjisë. Pas rritjes së çmimeve të shportës ushqyese dhe energjisë elektrike, rritja e sotme në nivele rekorde e çmimit të karburanteve do të ketë një ndikim negativ në buxhetin familjar, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
“Faktori kryesor është rritja e çmimit në bursa ndërkombëtare. Por, përveç kësaj ka edhe faktorë të brendshëm, pasi taksat, akciza e tatimet janë në nivele të larta”, thuhet në kumtesë.
- ASH propozon disa masa që të zbuten efektet financiare pas kësaj rritjeje dramatike të çmimit të karburanteve në Maqedoninë e Veriut:
Ulja e akcizës nga 22 denarë për benzinën në 15 denarë, si dhe për dizelin nga 15 denarë që është aktualisht, në 9 denarë.
- Ulja e tatimit mbi vlerën e shtuar, TVSH-së, nga 18% në normën preferenciale prej 5 %, njëjtë siç vepruan me çmimin e energjisë elektrike që poashtu ishte propozim i Aleancës për Shqiptarët dhe rezultoi pozitivisht edhe pse fillimisht Qeveria ishte skeptike dhe refuzonte.
- Pasi çmimet në bursat botërore çdo ditë po shënojnë rritje, propozojmë që qeveria të aplikojë ngrirje për taksat e akcizat, në nivelet e çmimit të para një jave ( 28.02.2022 ), pra të aplikojë limit maksimal të çmimit për këta tregues.
- Të ulet në minimumin e mundshëm edhe marzha e tregtimit nga shitësit me pakicë.
“Këto masa duhet ndërmarrë një orë e më parë, pasi rritje të çmimit të karburanteve parashikohet edhe në ditët e javët në vijim. Duam të theksojmë se ulja e akcizës dhe TVSH-së që propozojmë nuk dëmton buxhetin shtetëror, pasi të hyrat do të jenë të njëjta me ato para shtrenjtimit të energjisë në bursa. Në të kundërtën, mbajtja e akcizave dhe TVSH-së në nivelet aktuale paraqet përfitim shtesë për Qeverinë në kurriz të qytetarëve. Konkretisht, Qeveria me këto taksa shtrenjton edhe më shumë vlerën e shtuar të çmimit të derivateve dhe bën biznes në kohë krize, derisa shumë shtete të përgjegjshme kërkojnë zgjidhje që t’ua zbusin pasojat qytetarëve”, reagojnë nga ASH.
Ndryshe prej sot çmimi i benzinës është rritur për 5.5 denarë, ndërkaq dizelit 10 denarë. Një litër benzinë kushton 91.5 denarë, ndërkaq një litër dizel 85.5 denarë.