Banka Botërore miratoi pakon e mbështetjes prej 723 milionë dollarësh për Ukrainën

Banka Botërore njoftoi se ka miratuar një pako mbështetëse prej 723 milionë dollarësh për Ukrainën ndërsa vazhdojnë luftimet me Rusinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, banka tha se pakoja shtesë e mbështetjes buxhetore për Ukrainën, e quajtur Financimi i Rimëkëmbjes nga Emergjenca Ekonomike në Ukrainë, ose Ukraina e Lirë, u miratua nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë.

“Pakoja e miratuar nga Bordi përbëhet nga një kredi shtesë prej 350 milionë dollarësh dhe një garanci në shumën prej 139 milionë dollarësh, si dhe mobilizon financimin e granteve prej 134 milionë dollarësh dhe financimin paralel prej 100 milionë dollarësh”, thuhet në deklaratë.

“Mbështetja përmes pakos së shpejtë do të ndihmojë qeverinë të ofrojë shërbime kritike për popullin ukrainas, duke përfshirë pagat për punonjësit e spitalit, pensionet për të moshuarit dhe programet sociale për të prekurit”, theksohet më tej.

“Grupi i Bankës Botërore qëndron me popullin e Ukrainës dhe rajonit. Ky është hapi i parë nga shumë hapat që po ndërmarrim për të ndihmuar në adresimin e ndikimeve të gjera njerëzore dhe ekonomike të kësaj krize”, deklaroi Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare duke vendosur sanksione të rrepta ndaj Moskës, ndërkaq bizneset e mëdha po tërhiqen nga Rusia.

Të paktën 406 civilë janë vrarë dhe 801 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës, sipas shifrave të OKB-së.

Më shumë se 1.7 milionë njerëz kanë ikur gjithashtu në vendet fqinje, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët.

Rusia iu kundërpërgjigj sanksioneve duke publikuar një listë të shteteve dhe territoreve që ndërmorën “veprime jo miqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj”.

Sipas dekretit, kreditorët jashtë shtetit në këto vende mund të paguhen në rubla në vend të monedhave të huaja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button