fbpx

Shell do të tërhiqet nga Rusia

Gjiganti i energjisë Shell njoftoi se do t’i ndalojë të gjitha blerjet e naftës dhe gazit nga Rusia dhe se do t’i mbyllë operacionet e tjera në këtë vend, transmeton REL.

Me këtë veprim, Shell u bashkohet dhjetëra kompanive të tjera, që kanë ndërprerë lidhjet me Rusinë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Shell u kritikua shumë në fundjavë, pasi bleu një ngarkesë të naftës së papërpunuar ruse me një çmim të zbritur.

Shefi i kompanisë, Ben van Beurden, tha të martën se blerja e naftës ruse ka qenë gabim.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm se vendimi ynë javën e kaluar, për të blerë një ngarkesë me naftë bruto ruse, nuk ka qenë i duhuri dhe na vjen keq”, tha van Beurden.

Kompania shumëkombëshe e energjisë, Shell, ka selinë në Londër.

Menjëherë pas njoftimit të saj, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, reagoi në Twitter, duke thënë se i është mirënjohës Shell-it për këtë “hap moral dhe të përgjegjshëm”.

Kuleba inkurajoi edhe bizneset tjera botërore që të ndjekin shembullin.

Moska filloi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Që atëherë, më shumë se 2 milionë civilë u larguan nga vendi i pushtuar.

Dhjetëra kompani, përfshirë firma të mëdha të sektorit të naftës, si BP dhe Exxon, u tërhoqën nga Rusia.

Kjo, pasi Perëndimi vendosi sanksione të ashpra ndaj saj si ndëshkim për agresionin në Ukrainë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button