Është e paligjshme që shtetasit e RMV-së të shkojnë për të luftuar në Ukrainë

Ambasada  e Ukrainës në Shkup ka shpërndarë një thirrje të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, por edhe të presidentit ukrainas Volodimir Zelensky për pjesëmarrje vullnetare në radhët e Legjionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Ukrainës, por sipas ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2014-të në RMV, pjesëmarrja në formacione të tilla ushtarake është e ndaluar dhe qytetarët që paraqiten mund të dënohen me burg me së paku 5 vjet burg, njofton Portalb.mk.

Më 27 shkurt, presidenti i Ukrainës, apeloi deri te qytetarët e vendeve të huaja që të shkojnë në Ukrainë për t’iu bashkëngjitur Legjionit të Huaj dhe të luftojnë kundër sulmuesit bashkë me ukrainasit. Për këtë, Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës e ka paraqitur ueb-faqen për shtetas të huaj të cilët mund të kyçen në radhët e Legjionit Ndërkombëtar “për ta mbrojtur paqen dhe sigurinë në botë”.

Nëse e vizitojmë faqen, aty mund të shihen të gjitha hapat e nevojshme për t’u regjistruar si ushtar-vullnetar. Hapi i parë prej gjithsej shtatë, është që personi i cili dëshiron t’i bashkëngjitet Legjionit Ndërkombëtar duhet që të aplikojë në Ambasadën e Ukrainës (në këtë rast në Shkup) dhe kjo mund të bëhet me prezencë fizike, nëpërmjet telefonit ose me mail.

7 hapat për pjesëmarrje si vullnetar në "Legjionin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Ukrainës"
7 hapat për pjesëmarrje si vullnetar në “Legjionin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Ukrainës”

Në ueb-faqe është publikuar edhe një listë me emrat e shteteve në mesin e të cilave ndodhet edhe Maqedonia dhe aty janë të gjitha kontaktet e nevojshme, adresa, telefonat, e-mailet apo ueb-faqet e nevojshme.

Kontaktet për paraqitjen e vullnetarëve
Kontaktet për paraqitjen e vullnetarëve/skrin shot nga ueb-faqja

Por pjesëmarrja në legjione të huaja është e ndaluar me ligj. Ajo është në kundërshtim me nenin 322-a të Kodit Penal i cili ndalon pjesëmarrjen, por edhe rekrutimin e shtetasve të RMV-së në ndonjë ushtri apo formacion tjetër ushtarak apo policor të huaj.

Portalb.mk kontaktoi me Ambasadën e Ukrainës në Shkup, nëse janë në njohuri për këtë nen dhe nëse kanë kontakte me autoritetet shtetërore të RMV-së për këtë çështje.

“Rusia dëshiron ta shkatërrojë Ukrainën, kryen gjenocid ndaj popullit ukrainas. Në këtë kohë ka shumë të huaj të cilët dëshirojnë t’i ndihmojnë Ukrainës. Të gjitha Ambasadat e Ukrainës në mbarë botën informuan për iniciativën e presidentit të Ukrainës për krijimin e Legjionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen Territoriale të Ukrainës. Praktikë e këtillë ekziston në shumë vende të botës, përfshirë edhe në Evropë. Të gjithë e kanë të njohur Legjionin Francez. Ambasada nuk ka kryer, nuk kryen dhe nuk do të kryejë rekrutim. Ambasada vetëm transmeton informatë për iniciativën e presidentit.  Ambasada e Ukrainës në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjithmonë u përmbahet dhe do t’u përmbahet ligjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thonë për Portalb.mk nga Ambasada e Ukrainës në Shkup.

Por, me ndryshimet e Kodit Penal në shtator të vitit 2014-të, ata që marrin pjesë në formacione të huaja ushtarake dënohen me së paku 5 vjet burg. Gjithashtu, dënime me burg parashihen edhe për ata që rekrutojnë, trajnojnë, ndihmojnë, bëjnë apo shpërndajnë thirrje në çfarëdo formë për pjesëmarrje në formacione të huaja. Këto ndryshime u bënë për shkak të parandalimit të ekstremizmit, gjegjësisht pjesëmarrësve të shtetasve tanë në luftërat e Lindjes së Mesme, Siri apo Irak, për t’iu bashkuar formacioneve të ndryshme ushtarake siç ishte ISIS.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për Portalb.mk, informojnë se tani për tani nuk kanë informata se qytetarë tanë po marrin pjesë në luftën në Ukrainë.

“Në lidhje me çështjet tjera, i referohemi Kodit Penal, ku qartë është e definuar se pjesëmarrja në ushtri të huaj ose trajnim nga ana e ushtrisë së huaj, policisë, formacioneve paraushtarake ose parapolicore, grupe të organizuara, jashtë territorit të Maqedonisë së Veriut, është e dënueshme me burg prej më së paku katër vjet”, thonë nga Qeveria.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në një deklaratë për “Click Plus”, mbrëmë deklaroi se pjesëmarrja në luftën në Ukrainë është e ndaluar me ligj dhe çdokush që do të shkojë, do të sanksionohet.

“E lexova publikimin në rrjetet sociale nga ana e Ambasadës së Ukrainës e cila fton për vullnetarë. Ne ua kemi bërë me dije njerëzve që me nenin 322a të Kodit Penal lufta në shtetet tjera dënohet burg më së paku 5 vite dhe kjo vlen për çdo luftë. Unë e kuptoj ambasadën ukrainase ata janë në dëshpërim, u bombardohen civil fëmijë, kërkojnë ndihmë në çdo formë të mundshme edhe këtë instrument e shfrytëzojnë, mirëpo ne duhet t’i mbrojmë njerëzit tanë. Edhe u kemi thënë se kjo është e dënueshme me ligj, ligji nuk diskriminon a do të luftoni në Ukrainë, apo Lindje të Mesme. Ligji thotë, participim joligjor në lufta jashtë vendit dënohet me burg dhe e njëjta do të vlejë për të gjithë, edhe për ata që shkojnë në Ukrainë”, tha Osmani.

Në një linjë është edhe koordinatori i Komitetit Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftës Kundër Terrorizmit, Zllatko Apostollovski në një deklaratë për SDK thekson se pjesëmarrja e shtetasve të RMV-së në luftën e Ukrainës është e ndaluar dhe sanksionohet sipas Kodit Penal.

“Çdo përpjekje për shkuarje ilegale në këto zona të krizës të qytetarëve nga Republika e Maqedonisë së Veriut do të trajtohet njëjtë sipas nenit të Kodit Penal (KD) për pjesëmarrje në ushtri dhe polici të huaj. Dënimet edhe për këto që tani do të largoheshin do të jenë të njëjta. Kodi Penal dhe sanksionimi i veprimit të caktuar nga KD nuk mund të vlejë për disa qytetarë, dhe të mos vlejë për qytetarët e tjerë. Parakushtet e caktuara janë plotësuar me krizën në Ukrainë si mundësi për shkuarje, pasi që edhe vetë presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky ka ftuar që nga shtetet e BE-së të bashkëngjiten vullnetarë në ushtrinë ukrainase, me qëllim të mbrojtjes së Ukrainës nga invazioni rus”, tha Apostollovski.

Sipas tij, vepra trajtohet njëjtë pavarësisht nëse shkojnë të luftojnë në anën e Rusisë apo Ukrainës.

Portalb.mk kontaktoi me Prokurorinë Themelore Publike për t’i pyetur nëse kanë ndonjë qëndrim në lidhje me këtë situatë, gjegjësisht shpërndarjen e thirrjes publike për pjesëmarrje në Legjionin Ndërkombëtar nga ana e Ambasadës së Ukrainës. Prej atje konfirmojnë se thirrja dhe pjesëmarrja paraqet vepër penale, por për publikimin e Ambasadës thonë se duhet të ketë qëndrim Qeveria.

“Duhet të kihet parasysh se në këtë rast behet fjalë për persona me status diplomatik, dhe në pajtueshmëri me atë Qeveria e RMV-së duhet të marrë qëndrim. Prokuroria ka kompetencë t’i ndjekë personat që eventualisht do të paraqiteshin dhe do të merrnin pjesë në ushtri të huaj, pas kthimit të tyre në shtet”, thonë nga Prokuroria.

Për këtë vepër penale, ka pasur disa raste në Maqedoninë e Veriut. Më 25 mars të vitit 2016-të, 5 nga 11 të akuzuarit e rastit “Qelia 1”, janë dënuar me nga 5 vjet burg, ndërkaq hoxha nga Çairi, Rexhep Memishi është dënuar me 7 vjet burg, për pjesëmarrje dhe organizim paraushtarak dhe rekrutim të shtetasve të Maqedonisë për të luftuar në Siri, në anën e “Shtetit Islamik”.

Sipas të dhënave që i ka siguruar Portalb.mk nga MPB, prej vitit 2014-të janë paraqitur penalisht 56 persona.

“Ju njoftojmë se në periudhën prej vitit 2014-të deri në vitin 2021, janë regjistruar 11 vepra penale “pjesëmarrje në ushtri të huaj, polici, formacione paraushtarake ose parapolicore”, për të cilat penalisht janë paraqitur 56 kryerës”, informojnë për Portalb.mk nga MPB.

Aksione për parandalimin e pjesëmarrjes në luftëra të huaja ka pasur vazhdimisht, gjegjësisht në korrik dhe gusht të vitit 2016-të, por edhe vitet në vijim. Sipas raportit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së për terrorizmin për vitin 2020 të përgatitur nga Byroja Kundër Terrorizmit, nga 127 të rriturit nga RMV që kanë qëndruar në Siri dhe/apo Irak, 38 prej tyre janë vrarë, 69 janë kthyer në Maqedoninë e Veriut dhe 19 të tjerë kanë mbetur në vendet ku kanë shkuar. Sipas praktikës, të gjithë të kthyerit-pjesëmarrës në luftëra, i janë nënshtruar ndjekjes penale nga autoritetet e vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button