Histori e shkurtër e 8 Marsit

8 Marsi nuk është dita e nënave ashtu siç mendohet rëndom, po të kthehemi në histori është ditë e internacionales së gruas apo vajzës socialiste që kërkonin mundësi dhe të drejta të barabarta, si në veprimtari gjithashtu edhe në detyrime. Ideja asaj kohe ishte që gruaja duhet të luftonte me dinjitet për punë e për vendimmarrje.

Si ditë e shënuar për gruan çdokush ka të drejtën që të festojë apo protestojë.

Rrënjët e kësaj ditë gjenden në fund të viteve 1780, ku Mary Wollstonecraft duke ndjekur idetë e Jean-Jacques Rousseaus, për herë të parë ngriti zërin dhe rëndësinë e gruas në shoqëri, ku shqetësimi i Mary Wollstonecraft ishte se nëse në një shoqëri të lirë nuk ka të drejtë vote gjysma e popullit të një vendi apo gjysma e popullit nuk është e kyçur në vendimmarrje atëherë ç’kuptim do të kishte liria në këtë rast!? Si shkas dhe shkroi librin “Një përligjje e të drejtave të grave (A vindication of the rights of women)” në vitin 1792.

Këto ide ngacmuan edhe aktivisten e parë me origjinë shqiptare në filozofinë për të drejtën në vendimmarrje të gruas, Elena Gjikën (Dora d’Istria), ku dhe shkroi dy botime ku kërkonte trajtim të barabartë dhe njëherësh emancipimin e gruas, si: (Les femmes en Orient) “Gratë në Orient” (1859) dhe (Des femmes, par une femme) “Rreth grave, nga një grua” (1869).

Ndërkaq nga të parat gra shqiptare e cila filloi lëvizjen për gratë shqiptare është Sevasti Dako – Qiriazi. Sevasti hapi edhe shkollën e parë të vashave në Korçë më 23 tetor 1891, e ndjekur nga motra e saj Parashqevi Qiriazi, Fanka Eftijmi e Shaqe Çoba. Motrat Qiriazi formojnë lëvizjen e parë për gratë shqiptare “Ylli i Mëngjesit”. Më 1920 u themelua komiteti “gruaja shqiptare” e drejtuar nga Habibe Bekteshi, Paulina Leka e Albina Ashiku.

Në vitin 1909 Parashqevi botoi abetaren e parë shqipe (apo librin për shkrim – lexim) që do të kishte për autor një femër, në 1908 veçmas që ishte pjesë e Kongresit të Manastirit, Parashqevi ishte edhe iniciatore e hartimit të alfabetit shqip, në 1912 hartoi edhe programin arsimor të Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit, në 1915 bëhet bashkëthemeluese e Partis Kombëtare Shqiptare, në 1919 paraqitet si diplomate e Shqipërisë dhe e VETMJA GRUA në Konferencën e Paqes në Paris. E ndërsa në shkencë do të njihej Sabiha Kasimati.

Musine Kokalari do të formonte partinë e parë social demokrate në Shqipëri në 1943. Roli i gruas shqiptare nuk do të mungonte as edhe në përpjekjen kundër pushtuesve të ndryshëm, ashtu si Nora e Kelmendit, Bubulina Pinoçi, Tringë Smajli apo Shote Galica.

Diku në vitin 1848 Evropa u ballafaqua me revolucione të mëdha nga punëtorët që pëlqenin idetë e trajtimit të barabartë kundrejt kapitalizmit dhe konservatorizmit të vjetërsuar Evropian. Këto lëvizje sikur hapën mundësi alternative që të shfaqen ideologji të reja dhe të përshtatshme për punëtorët që kërkonin të jenë të barabartë në shoqëri dhe të vlerësuar nga politika. Në këtë vakum, si nevojë e domosdoshme e kohës u krijua ideja e socializmit. Në këto binare u formua edhe komunizmi i Karl Marksit (Karl Marx).

Periudhat që sjellin kriza, sjellin edhe ide progresive. Idetë Marksiste kundrejt konservatorizmit arkaik u panë si progres mes vlerës së pritshme dhe vlerës së mundshme. Kjo ishte edhe kapje në kohë nga gratë për të zhvilluar idetë e reja në frymë të barabartë dhe të njohjes të drejtës për punë që nga lëvizjet për të drejtën e votës së grave në 1866 në Francë.

Nga të parat gra e influencuar nga doktrina Marksiste e që doli krahas lëvizjeve të punëtorëve është Rosa Luxemburg. Ajo u ekzekutua me 15 janar të vitit 1919, në Berlin nga truptat e Freikorps. Bashkërendëse të Rosa Luxemburg janë dhe Emma Goldman, Simone De Beauvoir, Clara Zetkin apo Luise Zietz. Ndër të parat gra shqiptare e ndikuar nga idetë Marksiste njihet Ibe Palikuqi e cila më pas do të vritej nga forcat Gjermane më 1944. Faktikisht socializmi është nga frymat e para që sistemon gruan në jetën publike dhe që i jep rëndësi në vendimmarrje, duke pasur parasysh se as në fillim të viteve 1900 nuk e gjejnë gruan me të drejtë vote, e po në atë periudhë gratë u merrnin si të qenit të pa aftë për proceset shoqërore.

Në ShBA e drejta e votës për gratë u miratua në 1962 ndërkaq në Zvicër u deshtë nga 1971 deri në 1990 që të njihet e drejta e votës në gjithë territorin e tyre, duke e lejuar më në fund edhe kantoni Appenzell Innerhoden të drejtën e votës. Sa për kuriozitet, të drejtën e votës gruaja shqiptare e gëzon që nga 1920.

Më 28 shkurt 1909, në SHBA për herë të parë do të organizohet dita e gruas nga Partia Socialiste Amerikane në nderim për Unionin e Zonjave Ndërkombëtare Punëtoret e Garmentit. Në gusht të 1910 u organizua konferenca ndërkombëtare e gruas duke i paraprirë Internacionales së Dytë Socialiste në Kopenhagë të Danimarkës. Luise Zietz në këtë konferencë do të propozonte që në kalendarin e festave të shpallet një ditë ndërkombëtare feste përcaktuar vetëm për gruan. 19 marsi i 1911 për herë të parë u shënua me demonstrata si ditë ndërkombëtare e gruas në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër. Për herë të parë dita e gruas në 8 mars u shënua në 1914.

Në vitin 1960 u krijua dhe organizata e parë feministe, Lëvizja Çlirimtare e Grave LÇG (Women’s Liberation Movement WLM). Bashkimi Sovjetik me 8 maj 1965, me një dekret nga presidenti, ditën ndërkombëtare të gruas do ta shpallte ditë jopune. Një vit më vonë në 1966 Beti Fridan krijoi Organizatën Kombëtare të Grave OKG. OKB filloj ta njohë ditën ndërkombëtare të gruas në 1975 dhe në 1977 asambleja e përgjithshme e OKBës shpalli 8 Marsin si ditë ndërkombëtare të gruas. Jo rastësisht simbol i 8 Marsit është trëndafili ngjyrë rozë.

Në vend të frymës revulucionare për barazi 8 marsi po kthehet në kurban lulesh me ide seksiste e shoviniste që eskalon në ritmin e tallavas!

Shkruan: Naim Iljazi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button