RMV, është paralajmëruar reformimi i sistemit të punësimit për personat me aftësi të posaçme, por nuk dihet kur do të ndodhë

Reformim i sistemit të punësimit për personat me aftësi të posaçme do të bëhet me futjen e një modeli të ri për përmirësimin e përfshirjes së tyre në tregun e punës dhe rritjen e mirëqenies së tyre. Përkatësisht, në vend që të jenë pjesë e sistemit të personave të përkujdesur social, edhe vetë do të mund të fitojnë dhe të kontribuojnë në mirëqenien e familjeve të tyre. Ky ishte paralajmërimi i ministres së Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençeva, gjatë debatit të Konventës Nacionale pë BE-në, por duke mos përmendur asnjë afatë kohor se kur do të fillojë ky reformim, transmeton Portalb.mk.

“Modeli i ri do të zbatohet në faza, hap pas hapi përmes forcimit të kapaciteteve të agjencisë së punësimit, nëpërmjet futjes gradual të sistemit të kuotave për punëdhënësit dhe masave të tjera që përmban ligji i ri. Ky proces do të bëhet nga Ministria në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse dhe projektligji do të shkojë në debate të gjera publike”, tha Trençevska, e cila premtoi se konkluzionet e këtij debati do të bëhen pjesë integrale e politikave të ardhshme.

Se me punësimin e tyre, personat me aftësi të posaçme mund të përfshihen në mënyrë më efikase në shoqëri, u pajtuan pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në debat, duke përfshirë edhe vetë ministren e Punës dhe Politikës Sociale, Trençevska, deputeten Maja Moraçanin, profesoreshën në Fakultetin Filozofik “Shën Kirili dhe Metodi”, Mileva Gjurovska, një numër ekspertësh maqedonas dhe sllovakë, profesorë universitarë, përfaqësues të Organizatës së punëdhënësve të Maqedonisë dhe Agjencisë për Punësim si dhe përfaqësues të shumtë të sektorit civil.

“Punësimi është mjeti më i rëndësishëm në integrimin e tyre në shoqëri”, tha koordinatorja Gjurovska, duke shtuar se kjo është një çështje shumë e rëndësishme në sferën sociale për faktin se pothuajse 15% e popullsisë së botës janë persona me aftësi të posaçme, por nuk ka të dhëna përkatëse se sa prej tyre janë të punësuar.

Profesori nga Fakulteti i drejtësisë “Justiniani i parë” Shkup Lazar Jovevski, po ashtu theksoi se sipas Kombeve të Bashkuara, shifrat variojnë nga 700 milionë deri në një miliardë njerëz me aftësi të posaçme, që është pothuajse një e  shtata e popullsisë botërore, veçanërisht nëse kihet parasyshë se ka një numër të madh të tyre që nuk janë evidentuar.

“Përmes punës, personat me aftësi të posaçme marrin përfshirjen më efikase në shoqëri, gjegjësisht marrin përfshirje inkluzive”, tha Jovevski.

Sipas tij, kjo mund të arrihet më së miri përmes tre hapave – së pari, reforma në përmirësimin e rregullativës së re ligjore, së dyti, përmirësimi i të drejtave plotësuese dhe krijimi i një atmosfere barazie, përballë kulturës së dekurajimit, dhe së treti, kontrolli dhe mbikëqyrja e zbatimit të tij. Megjithatë, siç tha Jovevski, dispozitat juridike ndërkombëtare kanë probleme në zbatimin praktik dhe për këtë arsye duhet të përshtaten me kushtet tona. Legjislacioni i ardhshëm, tha ai, duhet të përfshijë standardet evropiane, siç është Direktiva 89/654, e cila ka të bëjë me vendin dhe e cila akoma nuk është zbatuar në legjislacionin tonë.

Elena Kocoska nga Shoqata e personave me sftësi të posaçme “Polio plus” nënvizoi njohjen, promovimin dhe mbrojtjen e personave me aftësi të posaçme dhe tha se theksi duhet vënë në barazinë gjinore dhe të drejtat e fëmijëve me aftësi të posaçme që dalin nga Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e personave me aftësi të posaçme. Sipas saj, përfaqësimi i këtyre personave në tregun e punës është i pamjaftueshëm dhe ai hendek duhet të kalohet duke filluar nga kopshti, por para kësaj duhet të hiqen barrierat fizike.

Për Natasha Stanojkovskën, profesoreshë në Institutin për edukim special, në Fakultetin filozofik në UKM në Shkup, pranimi i personave me aftësi të posaçme është kyç. Ajo sugjeroi që të mendohet edhe për trajnimin e kuadrit mësimor që do të punojë me fëmijët me aftësi të posaçme së bashku me nxënësit me zhvillim tipik.

Kryetari i Organizatës së punëdhënësve të Maqedonisë, Angel Dimitrov, tha se duhet parë nëse legjislacioni është i zbatueshëm, ndërsa Roberta Mitrevska nga Shoqata e qytetarëve “Lastovica” numëroi një sërë problemesh me të cilat ballafaqohen këta persona në tregun e punës.

Nga ana tjetër, Biljana Talevska nga Njësia e shoqërive mbrojtëse theksoi se duhet pasur kujdes që të mos shkatërrohen kompanitë mbrojtëse pasi tashmë 50 vite janë punëdhënësi më i madh i personave me aftësi të posaçme. Sipas saj, ky sistem, i cili tashmë funksionon me sukses, duhet vetëm të përmirësohet.

Në debat u sollën një sërë rekomandimesh të aplikueshme që pritet të kontribuojnë dukshëm në drejtimin e ndryshimeve në kontekstin kombëtar për të arritur një efektivitet më të madh të legjislacionit të ri, si dhe politikave publike dhe masave për përfshirjen ekonomike të personave me aftësi të posaçme.

Ndryshe, diskriminimi i personave me nevoja të veçanta është problem në nivel nacional dhe për këtë Maqedonia e Veriut u kritikua edhe në Raportin e Progresit të publikuar nga Komisioni Evropian. thuhet se është bërë pak progres në përmirësimin e të drejtave të personave me aftësi të posaçme.

“Personat me aftësi të posaçme vazhdojnë të përballen me diskriminim të madh, të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, për shkak të ndërprerjeve të infrastrukturës, mungesës së informacionit dhe shërbimeve, sjelljeve diskriminuese dhe përjashtimit social. Avokati i Popullit mori 37 ankesa për diskriminim ndaj fëmijëve dhe të rriturve me aftësi të posaçme në vitin 2020. Gratë dhe të rinjtë janë veçanërisht të ekspozuar ndaj papunësisë dhe pasivitetit, siç janë personat me aftësi të posaçme dhe personat me aftësi të posaçme. Rreth 80% e të papunëve janë të papunë afatgjatë, duke reflektuar në masë të madhe mospërputhjen e aftësive. Pjesa e punëtorëve informalë në gjithsej të punësuarit mbeti e lartë, në rreth 14% në vitin 2019, sipas të dhënave të qeverisë, edhe pse në rënie të vazhdueshme që nga viti 2015.”, theksohet mes tjerash në raportin të KE-së.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button