Osmani: 43 qytetar të Maqedonisë po evakuohen nga Ukraina, Qeveria do të vendosë për pritjen e refugjatëve

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani në brifingun e sotëm kushtuar ngjarjeve të fundit të politikës së jashtme tha se nga gjithsej 120 qytetarë të lokalizuar të Maqedonisë, përfshirë disa shtetas ukrainas, 20 qytetarë e kanë shfrytëzuar apelin dhe janë larguar nga Ukraina para pushtimit ushtarak të 24 shkurtit, transmeton Portalb.mk.

Sipas ministrit, pas agresionit rus, 20 shtetas u larguan nga Ukraina dhe tashmë kanë mbërritur në vend.

“43 janë në evakuim aktiv dhe po largohen nga Ukraina. Prej tyre 25 tashmë janë në vendet përreth, ndërsa 18 janë ende në Ukrainë, por po udhëtojnë drejt kufijve me autokolona të sigurta”, tha Osmani.

Ai shtoi se në vendbanimet e tyre në Ukrainë kanë mbetur edhe 38 shtetas të Maqedonisë, prej të cilëve 11 janë në Kiev, 7 në Zaporozhye dhe 18 janë në pjesë të tjera të Ukrainës.

Shefi i diplomacisë theksoi se institucionet në Maqedoni janë duke analizuar nëse dhe sa refugjatë nga Ukraina mund të kujdesen në vendin tonë, por deri më tani askush nuk ka aplikuar për statusin e refugjatit. Ai bëri të ditur se pret që në seancën e nesërme të Qeverisë të përcaktohen kapacitetet në dispozicion për refugjatët.

“Deri më tani, ne nuk kemi regjistruar në kufi shtetas ukrainas që kërkojnë statusin e refugjatit. Sigurisht që ka një hyrje të qytetarëve ukrainas si më parë pa ndonjë rritje të intensitetit. Kemi kërkuar që institucionet, secila në pjesën e vet, të bëjnë përgatitjet, përfshirë edhe Ministrinë e Shëndetësisë. Kjo duhet të krijojë një ekip të posaçëm për të vlerësuar aftësinë për t’u ofruar kujdes shëndetësor të lënduarve eventual e kështu me radhë. Pres që nesër në seancën e Qeverisë të kemi raportin e parë të institucioneve që të vazhdojmë me hapat dhe përgatitjet tjera lidhur me këtë çështje”, tha ministri Osmani.

Në pyetjet e gazetarëve nëse janë informuar për njoftimin e ambasadës ruse ku thonë se vërejnë aktet e të ashtuquajturës “rusofobia”, Osmani tha se njoftimi i Ambasadës Ruse në Maqedoninë e Veriut është “kërcënim klasik”, duke shtuar se sot do të mbahet një takim koordinues për të marrë qëndrim për këtë njoftim.

“Pozicioni ynë ndaj Federatës Ruse në kuadër të këtij agresioni është shprehur qartë, manifestohet publikisht dhe ne do t’i bashkohemi të gjitha vendimeve të Bashkimit Evropian në dënimin, por edhe në përcaktimin e marrëdhënieve që do të kemi me Federatën Ruse, por atë do ta bëjmë në koordinim me BE-në dhe jo në bazë të një vendimi bilateral”, tha Osmani.

Ndryshe, agresioni rus në Ukrainë ka filluar më 24 shkurt, ndërsa sot është në ditën e dymbëdhjet të pushtimit të saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button