Forcat ruse bombarduan qytetet e Ukrainës – shpallën korridoret humanitare

Forcat ruse bombarduan qytetet në Ukrainën veriore dhe jugore të hënën, ndërsa zyrtarët ukrainas paralajmëruan se Rusia mund të jetë më afër sulmit ndaj Kievit dhe ushtria ruse njoftoi planet ende të papërmbushura për të krijuar korridore humanitare, për civilët e ngujuar në mes të agresionit të saj, transmeton VOA.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se forcat ruse ishin të përqendruara në rrethimin e Kievit, Kharkivit, Chernihivit, Sumyt dhe Mykolayivit. Një deklaratë të hënën akuzoi Rusinë për shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar duke bombarduar civilët dhe për krijimin e një krize humanitare në zonat e pushtuara.

Një deklaratë e ministrisë ruse të Mbrojtjes tha se për “qëllime humanitare”, forcat ruse do të shpallin një “regjim heshtjeje” duke filluar nga e hëna, për të hapur korridoret për civilët që të largohen nga Kievi, Kharkivi, Sumy dhe Mariupoli. Ata që largohen nga Kievi do të transportohen me avion në Rusi, thuhet në deklaratë, në të cilën theksohet se masa ishte në përgjigje të një kërkese të drejtpërdrejtë nga presidenti francez, Emmanuel Macron, drejtuar presidentit rus, Vladimir Putin.

Marrëveshjet e mëparshme për të krijuar korridore të tilla humanitare dështuan shpejt, duke përfshirë Mariupolin, ku një përpjekje evakuimi në qytetin port të bombarduar, dështoi të dielën për të dytën ditë radhazi.

Mes skenave shkatërruese të vuajtjeve njerëzore në Mariupol, një përpjekje e dytë sot për të nisur evakuimin e rreth 200,000 njerëzve jashtë qytetit u ndal”, tha Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në një deklaratë. “Përpjekjet e dështuara dje dhe sot, nënvizojnë mungesën e një marrëveshjeje të hollësishme dhe funksionale ndërmjet palëve në konflikt”.

Rusia po përpiqet të manipulojë presidentin francez, Emmanuel Macron dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë, duke kërkuar që çdo korridor humanitar në Ukrainë, të dalë përmes Rusisë ose Bjellorusisë, tha të hënën një zyrtar i lartë ukrainas.

Zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk tha se Ukraina po i bënte thirrje Rusisë që të binte dakord për një armëpushim që nga mëngjesi i së hënës, për të lejuar ukrainasit të evakuoheshin drejt qytetit perëndimor të Ukrainës, Lviv.

Një raund i tretë i negociatave midis Kievit dhe Moskës është planifikuar të zhvillohet të hënën. Delegacionet ukrainase dhe ruse janë takuar dy herë në Bjellorusi, që kur Rusia filloi agresionin në Ukrainë më 24 shkurt.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, akuzoi forcat ruse për “vrasje të qëllimshme”, në një video-fjalim dhe tha se kushdo që “ka kryer mizori” do të ndëshkohet.

“Nuk do të ketë vend të qetë për ju në këtë tokë, përveç varrit”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara “kanë parë raporte shumë të besueshme të sulmeve të qëllimshme ndaj civilëve, që do të paraqisnin një krim lufte”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, për rrejtin CNN. “Ne kemi parë raporte shumë të besueshme për përdorimin e armëve të caktuara”.

Presidenti rus Putin të dielën pretendoi se fushata e tij ushtarake në Ukrainë po vazhdonte siç ishte planifikuar dhe nuk do të përfundojë derisa ukrainasit të ndërpresin luftimet.

Ligjvënësit amerikanë janë zotuar të ofrojnë ndihmë ushtarake shtesë për Ukrainën, me administratën e presidentit Joe Biden. që kërkon 10 miliardë dollarë për mbështetje humanitare, ushtarake dhe ekonomike.

Pavarësisht mbështetjes përgjithësisht dypartiake dhe të fuqishme për Kievin, anëtarët e Kongresit po tërheqin kufirin me një tjetër kërkesë të Ukrainës: një zonë ndalim-fluturimi për hapësirën ajrore të vendit për të penguar sulmet ajrore ruse.

Kjo do të thoshte “Luftë e Tretë Botërore”, tha senatori republikan Marco Rubio nga Florida, për programin “This Week” të rrejtit ABC të dielën. “Unë mendoj se ka shumë gjëra që mund të bëjmë për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet… por mendoj se njerëzit duhet të kuptojnë se çfarë do të thotë një zonë ndalim-fluturimi”.

Një tjetër senator, Joe Manchin një demokrat nga Virxhinia Perëndimore, shprehu një qëndrim më pak të rreptë. “Unë nuk do të hiqja asgjë nga tryeza”, tha ai për rrjetin NBC.

Sipas sekretarit Blinken, presidenti amerikan, Joe Biden, është në kontakt të rregullt me presidentin Zelenskyy në lidhje me kërkesën e Ukrainës për më shumë avionë luftarakë.

Ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova, në një intervistë me Fox News të dielën, ripërsëriti thirrjen e vendit të saj që Shtetet e Bashkuara t’i ofrojnë armë kundërajrore dhe ndihmë tjetër ushtarake, duke thënë se “ne duhet ta trajtojmë Rusinë si një shtet terrorist”.

Së bashku me partnerët evropianë, Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë braktisjen e naftës ruse, konfirmoi sekretari Blinken të dielën.

“Ne jemi tani në diskutime shumë aktive me partnerët tanë evropianë për ndalimin e importit të naftës ruse në vendet tona, ndërsa natyrisht, në të njëjtën kohë, të ruajmë një furnizim të qëndrueshëm global”, tha sekretari Blinken në NBC.

Disa ligjvënës duan që Shtëpia e Bardhë të bëjë më shumë për të rritur prodhimin vendas, pasi çmimet e naftës po rriten dhe amerikanët po paguajnë më shumë për karburantet.

Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel, shkroi të dielën në Twitter se Britania, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re i kanë kërkuar Interpolit të pezullojë qasjen e Rusisë në sistemet e tij.

“Veprimet e Rusisë janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e individëve dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar në zbatimin e ligjit”, shkroi sekretarja Patel.

Ndërkohë, një tjetër platformë e mediave sociale. TikTok, e njohur për videot e shkurtra të hedhura nga përdoruesit, tha të dielën se po bllokon përdoruesit në Rusi që të postojnë përmbajtje të reja.

Gjiganti i transmetimeve, Netflix, gjithashtu njoftoi të dielën se po pezullonte shërbimet e tij në Rusi.

Një numër në rritje i korporatave, duke përfshirë shërbimet financiare, energjinë dhe kompanitë e teknologjisë, kanë ndërprerë lidhjet me Rusinë, në përgjigje të sanksioneve ekonomike dhe zemërimit nga agresioni rus në Ukrainë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button