Parku Kombëtar “Mavrovë” ende në pritje të rishpalljes, ekologët thonë se dëmet janë të pariparueshme

PaRishpallja e Parkut Kombëtar “Mavrovë” do të duhet të presë një studim të ri për rivlerësimin e zonës së mbrojtur. Studimi i fundit është bërë në vitin 2011 dhe sipas Ministrisë së Mjedisit Jetësor është dokument i vjetër, i cili nuk përmban të dhëna për gjendjen reale me trashëgiminë natyrore të parkut kombëtar. Menaxhmenti i Parkut Kombëtar vitin e kaluar e ka dorëzuar këtë Studim me propozim-zonimi, por Ministria ka refuzuar të vazhdojë procedurën për të rishpallur Mavrovën park kombëtar për shkak të të dhënave të vjetruara, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ndërkohë, në pritje të mbrojtjes, parku është kthyer në një kantier ndërtimi, dëmi është i dukshëm dhe ndoshta i pariparueshëm. Mungesa e ligjit efektiv lë hapësirë për​ të mbirë ndërtime të reja pa leje, si dhe për vazhdimin e koncesioneve për hidrocentralet e planifikuara të vogla. Për “Mavrovën” mungon jo vetëm ligji, por edhe Plan për menaxhim të miratuar me ligj, i cili është vendimtar për përmirësimin e gjendjes në parkun kombëtar, për zbatimin e programeve të ndryshme mbrojtëse, por edhe për zhvillim dhe financim të qëndrueshëm.

Organizata ekologjike “Fronti 21/42” vlerëson se miratimi i ligjit shmanget, sepse ai duhet të pengojë realizimin e hidrocentraleve të planifikuara të vogla, si dhe për shkak ligji mund të dëmtojë objektet e paligjshme edhe ata ekzistuese edhe ata të planifikuar.

“Përfshirja e drejtpërdrejtë e Konventës së Bernës në mbrojtjen e PK “Mavrovë”, e vështirëson miratimin e një ligji, i cili do të ishte në funksion të projekteve të paligjshme, ky është mendimi ynë. I gjithë procesi u ndal në vitin 2015, kur u hartua projektligji për realizimin e dy hidrocentraleve të mëdha Boshkov Most e në veçanti, Llukovo Pole. Sipas atij ligji, një pjesë e zonës nën mbrojtje të rreptë duhej të degradohej në zonë me mbrojtjen më të ulët, gjoja rastësisht, pikërisht në pjesën që nevojitej për ndërtimin e hidrocentralit Llukovo Pole”, thotë Iskra Stojkovska nga “Fronti 21/42”.

Menjëherë pas kësaj, shtoi ajo, për shkak të përpjekjeve për të legalizuar shkatërrimin e parkut, Konventa e Bernës e hapi këtë çështje në të cilën rekomandoi që të anuloheshin të gjitha planet për ndërtimin e dy hidrocentraleve të mëdha, e më vonë pasoi rekomandimi edhe për të heqë dorë nga të gjitha planet për hidrocentrale të vogla në territorin e parkut. Që nga dhjetori i vitit të kaluar, në rekomandim janë përfshin edhe ndërtimet pa leje.

Ajo thekson se në kushtet kur shoqatat ekologjike vendase, popullsia vendase, një pjesë e punonjësve në parkun kombëtar dhe faktori ndërkombëtar, si Konventa e Bernës, janë kundër projekteve që institucionet vazhdojnë apo përpiqen me këmbëngulje t’i legjitimojnë. Ka të ngjarë se është shumë më e vështirë të përgatitet një studim për rivlerësim, më të cilin do të propozohej zonim i parkut i cili do të duhej t’i nënshtrohet këtyre projekteve.

Nga “Fronti 21/42” thonë se çdo gjë që është ndërtuar apo planifikohet për ndërtim e që ka vazhduar pas rekomandimit të Konventës së Bernës, Konventë në të cilën kërkohet të mos ndërtohen hidrocentrale në territorin e parkut dhe të mos legalizohen ndërtimet pa leje, është në të njëjtën kohë antikushtetuese, sepse Kushtetuta thotë qartë se e drejta ndërkombëtare është pjesë e rendit juridik të brendshëm dhe nuk mund të ndryshohet me ligj. Nga kjo konkludojnë se Studimi dhe ligji, me të cilët do të propozonin zonim dhe aktivitete të lejuara për të realizuar hidrocentralet, për të legalizuar ndërtimet pa leje ose për të mundësuar ndërtime të mëtejshme, sipas “Fronti 21/42”, do të ishte i paligjshëm.

Ndërsa nga Ministria e Mjedisit Jetësor thonë se studimi i vjetër nuk i plotëson kërkesat dhe duhet plotësuar. Muajin e kaluar, ministri Naser Nuredini dhe drejtori i Parkut Kombëtar Samir Ajdini ranë dakord të përditësojnë Studimin e Rivlerësimit të Vlerave Natyrore, për të cilin ministria është zotuar të sigurojë financim. Ministria kërkon që studimi të plotësohet dhe rishikohet në lidhje me propozimet për kufijtë e jashtëm dhe zonimin me përshkrime narrative të secilës prej zonave të propozuara dhe të dhëna GIS, si dhe sigurimin e të dhënave për vlerësimin e statusit të habitatit dhe specieve të rëndësinë kombëtare dhe të BE-së, që e pasqyron gjendjen dhe nevojën e tyre aktuale.

“Në periudhën e kaluar në zonën e Mavrovës aktuale ishin hidroprojektet për Lukovo Pole dhe Boshkov Most, që kishin ndikim tnë drejtpërdrejt në përcaktimin e zonave të propozuara dhe kufijtë e shpërndarjes së tyre në park, për të cilat nuk u realizuan. Ndërkohë, brenda kufijve të parkut kombëtar, janë dhënë koncesione për disa hidrocentrale të vogla dhe këto aktivitete nuk janë në përputhje me zonimin e propozuar të Studimit për rivlerësimin e zonës së mbrojtur të Mavrovës nga viti 2011 dhe rrjedhimisht edhe me sigurim të mbrojtjes dhe ruajtjes së habitateve natyrore të specieve në PK “Mavrovë”, të cilat janë me rëndësisë kombëtare dhe të BE-së”, thonë nga ministria.

Një nga arsyet që studimi i vjetër është i papranueshëm, që e theksuan nga Ministria, është se ai nuk përmban informacione dhe të dhëna për ndryshimet në dokumentacionin urbanistik të zonës së parkut, si dhe për projekte të tjera infrastrukturore që mund të kenë ndikim të drejtpërdrejt në biodiversitetin. Nuk ka të dhëna nga projekti IPA i zbatuar në vitin 2016 dhe 2017, i cili identifikoi tre zona potenciale për Natura 2000 në zonën e Mavrovës, as nuk thuhet nëse ndërkohë janë kryer kërkime shkencore shtesë për identifikimin e habitateve dhe specieve me rëndësi për BE, sipas monitorimit të menaxherëve të parkut.

“Në vitin 2019 është përgatitur Lista e Kuqe Kombëtare e Herpetofaunës (amfibëve dhe zvarranikëve) dhe është përcaktuar statusi për mbrojtjen e 14 bimëve vaskulare, të cilat kanë rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Vitin e kaluar u hartua Lista e Kuqe Kombëtare për gjitarët e mëdhenj (rrëqebulli, ariu, ujku, vidra dhe çakalli), si dhe Lista e Kuqe Kombëtare e kërpudhave. Rezultatet e këtyre aktiviteteve nuk janë pjesë e Studimit të Rivlerësimit të vitit 2011”, bëjnë të ditur nga ministria.

Studimi nuk përmban asnjë të dhënë të fundit për aktivitetet e monitorimit dhe mbrojtjes së rrëqebullit ballkanik të realizuara nga Shoqëria Ekologjike e Maqedonisë në përputhje me Planin e Veprimit për mbrojtjen e rrëqebullit në Mavrovë, as për korridorin ekologjik të rrëqebullit ballkanik Bukoviq (Sretkovë) dhe Bukoviq (Kolari), si vazhdimësi e korridorit ekologjik ndërkufitar Mavrovë – Korab – Koritnik në Shqipëri dhe malit Munela në Shqipëri.

“Fronti 21/42” apelon që studimi, i cili që do të hartohet, duhet të jetë profesional dhe i pavarur dhe të përcaktojë e vendosë zonimin, në mënyrë që të parandalojë çdo aktivitet degradues brenda parkut dhe të sigurojë mbrojtjen e vlerave natyrore që ekzistojnë në park. Sugjerojnë që rekomandimet e Konventës së Bernës të zbatohen në mënyrë parimore dhe konsekuente.

“Është më se e qartë se duhet të ndërpriten marrëveshjet koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, për shembull ‘Ribniçka 7’ është në afërsi të trashëgimisë natyrore botërore që u shpall para pak kohësh ‘Lumi i thellë’ (Dllaboka Reka), pastaj ‘Zhirovnica 5’ dhe ‘6’ do t’i lënë vendasit pa ujë të pijshëm…Është e rëndësishme të krijohet mbrojtje efektive dhe të kryhet një studim mbi ndikimin kumulativ të të gjitha projekteve ekzistuese dhe të planifikuara. I domosdoshëm është edhe zbatimi i planit të veprimit për ruajtjen e rrëqebullit të Ballkanit, ndërsa Konventa e Bernës e përsërit këtë çdo vit”, tha Stojkovska.

Nga ministria informojnë se aktualisht janë duke u zhvilluar negociata me donatorët për sigurimin e mjeteve për rishqyrtim dhe plotësim të Studimit. Pasi të plotësohet dhe rishqyrtohet, duhet të miratohet nga Bordi Drejtues i PK “Mavrovë” dhe së bashku me Katalogun e rishqyrtuar të specieve të regjistruara në territorin e zonës së mbrojtur Parku Kombëtar “Mavrovë” të dorëzohet në Ministri. Më tej, procedura vazhdon në Këshillin Nacional për Mbrojtjen e Natyrës, i cili duhet të japë mendim, ndërsa më pas, në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës, do të hartohet ligji, i cili do të duhet të miratohet në procedurë qeveritare dhe parlamentare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button