Biber më 10 mars në Bujanoc do të prezantojë përmbledhjen me tregime të shkurtra

Në Bujanoc më 10 mars, 2022 do të prezantohet përmbledhje shumëgjuhëshe me tregime të shkurtra me temën e pajtimit nga konkursi i Biberit dhe me autore e autorë nga rajoni. Do të diskutohet gjithashtu për rëndësinë e letërsisë dhe artit të angazhuar në shoqëri në përgjithësi, transmeton Portalb.mk.

Manifestimi organizohet së bashku me Shoqatën për Kulturë, Dituria në Shtëpinë e Kulturës “Vuk Karaxhiq” në Bujanoc, më 10 mars 2022, nga ora 17:00. Biseda do të jetë në gjuhën shqipe dhe boshnjake / kroate / serbe, me përkthim të siguruar.

Në diskutim do të marrin pjesë autoret / autorët e përmbledhjeve të botuara “Biber 03” dhe “Biber 04”: Marijana Çanak (Novi Zhednik), Senad Jusiq Çupo (Bugojno), Vesa Qena (Prishtinë), Ante Storiq (Shibenik) dhe Ivana Franoviq (Ekipi Biber, Qendra për veprim të padhunshëm Sarajevë-Beograd). Moderator i bisedës do të jetë Jeton Ismaili.

“Përmbledhjet e tregimeve që po i prezantojmë janë fryt i konkursit “Biber 03” dhe “Biber 04” për tregime të shkurtra mbi pajtimin në kontekstin e trashëgimisë së luftërave dhe dhunës në vendet e ish-Jugosllavisë, si dhe tregime që mund të kontribojnë për mirëkuptim, zbutje të urrejtjes dhe thyerje të paragjykimeve, tregime kundër luftës, tregime për ballafaqimin me të kaluarën, dekonstruktim të imazheve të armikut, ndjeshmëri me të tjerët, tregime të guximshme që guxojnë të ecin me këpucët e “armikut”, tregime që shtyjnë kufijtë dhe hapin rrugën për të ndërtuar një të ardhme më të sigurtë dhe më të lirë për të gjithë”, thuhet në njoftimin e Biber.

Konkurset dhe të gjitha përmbledhjet me tregime janë shumëgjuhëshe dhe mund të marrin pjesë autore dhe autorë që shkruajnë në gjuhën shqipe, boshnjake, malazeze, kroate, serbe ose maqedone.

Konkursi i pestë i Biberit është në zhvillim e sipër, dhe është hapur në dhjetor të vitit 2021. Tregimet mund t’i dërgoni deri më 01.06.2022. Informatat rreth kushteve të konkursit mund të gjeni në këtë link.

Edicionet elektronike të të gjitha përmbledhjeve “Biber” mund të gjenden këtu dhe janë falas për t’u shkarkuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button