Zelensky akuzoi Rusinë për vrasje të qëllimshme të civilëve

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi ushtrinë ruse se forcat e tij “do të ndjekin deri në varr çdo ushtar që kryen krime lufte” në Ukrainë.

Ushtarët rusë “do të përballen me ditën e gjykimit” për “vrasje të qëllimshme”, tha ai në një adresim nga Kievi, transmeton REL.

“Ne nuk do të falim. Nuk do të harrojmë. Do t’i ndëshkojmë të gjithë ata që kryejnë mizori në këtë luftë. Në tokën tonë”, tha Zelensky.

“Nuk do të ketë vend të qetë në këtë tokë për ju, përveç varrit”, shtoi ai.

Zelensky u kërkoi udhëheqësve perëndimorë që të ndërmarrin veprime më të fuqishme kundër Moskës, duke thënë se “guximi i agresorit është një sinjal i qartë për Perëndimin, se sanksionet kundër Rusisë nuk janë të mjaftueshme”.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se do të hapë sot korridore të reja humanitare nëpër disa qytete të Ukrainës, për të lejuar evakuimin e civilëve.

Sipas saj, armëpushimi do të bëhet në kryeqytetin Kiev, si dhe në qytetet Harkiv, Mariupol dhe Sumi.

Të gjitha këto qytete janë duke u sulmuar nga forcat ruse.

Pala ukrainase nuk e ka konfirmuar ende armëpushimin.

Perëndimi është duke bërë përpjekje ta izolojë Rusinë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe atë diplomatik, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhrin për pushtim më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet drejt lindjes.

Raportohet se forcat ruse janë duke avancuar drejt kryeqytetit Kiev.

Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar vdekjen e mbi 360 civilëve në luftimet në Ukrainë.

Luftimet kanë detyruar edhe mbi 1.5 milion njerëz të ikin nga shtëpitë e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button