Shkolla shqipe e Korçës- 135 vite rrugëtim për arsimin shqip

Gjatë tërë periudhës së Rilindjes kombëtare, synimet dhe kërkesat për hapjen e shkollave shqipe dhe aplikimin e gjuhës shqipe jo vetëm në shkolla, por në të gjitha sferat e jetës ishte kulminacioni i aspiratave të atdhetarëve shqiptarë në luftë për përparimin e kombit dhe daljen nga errësira shekullore.

Mësonjëtorja shqipe e Korçës u hap më 7 mars 1887. Ideator i saj ishte Naim Frahëri. Rilindësit shqiptarë të prirë nga Naim Frashëri e Sami Frashëri, ia dolën që nga Porta e Lartë të marrin “një leje në emër të Pandeli Sotirit, për të çelur një shkollë shqipe në Korçë.

Mësues dhe drejtor i kësaj shkolle u caktua Pandeli Sotiri. Shkolla u vendos në shtëpinë e dhuruar falas të Diamandi Tërpos nga Korça, i cili ishte anëtar i shoqërisë “Drita” të Bukureshtit (Koliqi, 2012). Mësonjëtorja e Korçës ishte shkollë fillore, me katër klasë të rregullta dhe një klasë përgatitore. Nxënësit e saj ishin shqiptarë besimesh të ndryshme fetare (myslimanë e ortodoksë) dhe shtresash të ndryshme, nga qyteti dhe fshati. Midis tyre kishte edhe vajza. Aty mësonin jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit. Numri i nxënësve vazhdimisht rritet.

Me tekstet dhe këshillat e tyre Naimi dhe Samiu përcaktuan përmbajtjen e shkollës së re, të cilën e përfytyruan si antagoniste të shkollës ekzistuese zyrtare. Edukimi patriotik i nxënësve do të bëhej, së pari, nëpërmjet vetë gjuhës amtare, si dhe lëndëve të historisë, gjeografisë, veçanërisht të pjesës që ka të bëjë me Shqipërinë, ata vlerësojnë shkencat e natyrës, shkruajnë për njohuritë e para mbi natyrën.

Rrethanat politiko-shoqërore dhe historiko-gjeografike ishin  shumë të  pavolitshme për arsimin e  kombit shqiptar   dhe sidomos kur është fjala për  kualifikimin  e  kuadrit  mësimor në gjuhën shqipe. Në  njërën anë  kemi  dëshirën  e madhe  për tu arsimuar  dhe për  shkollën në gjuhën shqipe, e sidomos e shprehur nga ana e prindërve të asaj kohe (sepse  ato ishin shumë vigjilent  dhe e kishin shumë të qartë se vetëm  me  arsimimin e fëmijëve të tyre  i bëjnë shërbim kombit dhe i vëndosin themelet ardhmërisë së tyre)  në  anën tjetër  kemi diskriminimin  dyfytyrësh  të  pushtetit të asaj  kohe për të  penguar  arsimimin e popullit  shqiptar dhe  në veçanti  për të penguar  kualifikimin  e kuadrove të asaj kohe në  gjuhën amtare shqipe.

Është e vërtetë se rrethana të caktuara gjatë historisë u imponojnë popujve  gracka  në të cilat  ata  bien, me pavetëdije, por  me  kalimin  e kohës  ato  pengesa  zbehen  ose  eliminohen  tërësisht dhe atëherë  duhet  të veprohet  me  kthjelltësi  dhe pa  oportunizëm.  Kjo gatishmëri akoma  nuk del në sipërfaqe  në praktikën e strukturave  avangarde  të  popullit shqiptarë.

Sot sistemi i arsimit, e me këtë edhe shkolla është vënë në pozicion rrënjësisht të ri. Ideali i arsimit përqendrohet në dy shtylla qendrore:

E para, të mësohet se si të mësohet, dhe e dyta, të mësohet se si të jetohet.

Kohërat kanë rrjedhën  e vet   dhe nuk  kthehen  më. Breznitë i  japin  vulën  kohës  dhe  ajo  pastaj quhet  histori.  Historia  nuk bart  fajin  e atyre  që nuk e mësojnë  dhe  nuk nxjerrin mësime  nga   historia.  Aq më tepër sot   kur  rrethanat  kulturore  brezit të ri i afrojnë   modele  edukative të ndryshme.

Për të arritur rezultate më të mira  në këtë drejtim duhet   kultivuar  ndjenjën  e modestisë   dhe të respektit ndaj   paraardhësve. Duhet  zbatuar  një frymë selektive  nga aspekti edukativ. Duhet hequr bindja se  gjithçka  që është e re është, me çdo kusht edhe më e mira.  E reja  dhe e vjetra  duhet  të  harmonizohen   dhe  duhet qasur  me sy kritik  e selektiv.

E paçim përjetësisht Shkollën shqipe!

Shkruan: Kujtim Kasami

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button