Mësuesi dhe sytë që largohen

Sa herë që ndodhemi në prag të festave të marsit, vetët tona na shtyjnë që të kujtojmë jo vetëm të kaluarën dhe çdo element që për ne sot përbën histori, por, ta shohim dhe të sotmen, me çdo anë që e përfaqëson të njëjtën. Nëse në të kaluarën, për festat e marsit, nxënësit (subjekte të punës arsimore), me zell të madh arrinin të thurnin vargje të bukura dhe të njëjtat t’i vinin në vijë trashëgimore, ose, t’ia thoshin tjetrit vetëm që në klasa dhe shkolla të caktuara të ndihej nxitja dhe atmosfera garuese për më të mirën, sot, në po të njëjtat data, mësuesit (subjekte të një pune pa rezultate të pritura), shohin nxënës të thyer dhe me sy që presin për hyrje në dyert e botës së jashtme.

E ç’mund të themi sot për rolin e mësuesit? Me ç’gjëra mund ta vlerësojmë sot atë dhe sa te i njëjti mbështeten ëndrra të reja?

Mënyra se si në ditët e sotme, arsimimi dhe çdo proces tjetër edukativ shfaqet para botës, lë shumë për të dëshiruar, ngase në asnjë mëngjes ky vend dhe këta njerëz, nuk premtojnë për një të nesërme më të ndritur, e më keq se kjo, as nuk bëjnë dhe hapin më të vogël që temat e lira brenda orëve mësimore të mos e kenë për kryefjalë të vetme “vendin e jashtëm” dhe mundësinë më të mirë që ndoshta mund ta ofrojë i njëjti. Pse thuhet gjithë kjo dhe përse e një përmase kaq të madhe?

Shoqëria njerëzore gjithmonë ka rendur drejt gjërave të përsosura dhe hapave të sigurtë se e nesërmja do t’u vinte në mënyrën më të bukur. Si e tillë ajo, nuk la prapa vetes vetëm atë se si do duhej të bëhej edukimi i drejtë i brezave të rinj dhe se si të njëjtit do të ishin të përgatitur për t’i përballuar vetë sfidat e jetës, por, edhe atë se sa shumë gjëra duhej t’ua siguronte vendi dhe udhëheqësit e ndryshëm.

Për dallim nga gjithë kjo, shoqëria e sotme njerëzore, e udhëhequr dhe nga mësues që, edukimin dhe arsiminin e të rinjve mundohen ta bëjnë në mënyrën më të bukur, ngadalë po merr pamje të trishtë, e në këtë mënyrë po e njëjta, e ka shumë më të lehtë ta lëshojë këmbën ngado, ngase hapësirat i ka të mëdha e boshe. Në atë mënyrë ajo e ka shumë më të lehtë të bëjë krahasime dhe me bindje se gjërat vërtet janë të ndryshuara t’i vë në vijë si binarë opozitarë.

Sot mësuesi, nuk e ka më problem atë se sa te nxënësit do të kuptohet më lehtë kryefjala e shprehur me çdo pjesë ligjërate dhe kallëzuesi i thjeshtë ose i përbërë, se në ç’mënyrë ata do e dallojnë vetën e rrëfimit brenda një romani dhe karaktersitikën e personazhit që del ndryshe nga rrethi hapësinor, ose, shumë më ndryshe nga kjo, se si ata do e realizojnë në mënyrë të duhur e me rregulla të drejta shkrimore një ese me temë të caktuar, por, atë se si, te të njëjtët të ngulisë me bindje të madhe mendimin se “KY VEND, QË PËRDITË E MË SHUMË PO BOSHATISET, ËSHTË I MIRË DHE KA TË ARDHME”, me ç’rast edhe për to, dhe për çdo familje që jeton në prag të derës, do të bëhen hapa të nevojshëm ndryshimi.

Sot, mësuesi, që jeton me bindjen se të tjerë do ta trashëgojnë punën e tij dhe do ta shohin model të njëjtin, nuk hynë më në klasë me ditar në dorë dhe me vullnetin që edhe për çastin më të vogël ta idealizojë vendin dhe të mirat që ka ai, sepse, po te i njëjti kapen duar që kërkojnë leje për të ikur drejt dyerve të botës, duar që tashmë ABC-në e mësojnë për ta shkruar shqip, por, vetëm se u nevojitet për t’ia nisur një shkollimi të ri dhe në një gjuhë tjetër ndryshe nga amtarja. Sot ai më nuk gëzohet se për festa dhe manifestime të ndryshme do të dëgjojë falënderimet më të mira e më të veçanta për të dhe kolegët e tij të punës, por, pret, ashtu siç pritet e mira me shekuj të tërë, t’ia japë lamtumirën e padëshiruar dhe nxënësit më të zellshëm të klasës.

Ky vend ka nevojë për ndryshime rrënjësore, jo vetëm për faktin se e nesërmja dhe brezat e rinj do të jenë ashtu siç nuk duhet të jenë, por, dhe për atë se, njerëzimi ka nevojë për ditë të bukura, mësuesit kanë nevojë për qenie të brishta dhe duar që do e ngjyrosin vetë të ardhmen me ngjyrat më të çelura. Ky vend ka nevojë që ta rrisë besimin dhe se festat duhet të vijnë te njerëzit më gazmore e më të harshme seç kanë ardhur dikur.  Ky vend ka nevojë që mësuesit t’ia lejojë buzëqeshjen e për të nesërmen e tij t’ia mbajë dhe nxënësit këtu. Marsi është i ftohtë pa to.

Shkruan: Adelina Xhaferi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button