Shqipëri, opozita proteston kundër drogës

Është zhvilluar paraditen e së premtes në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në kryeqytet, protesta e paralajmëruar e opozitës kundër trafikut të drogës, që sipas saj drejtohet nga krerët e shtetit.

Fillimisht protestuesit janë mbledhur në sheshin Skëndërbej dhe më pas kanë marshuar për të arritur përpara godinës së Kryeministrisë.

Qytetarët kanë parakaluar duke mbajtur në duar parulla e pankarta me shkrimet “Shqipëria drejt Evropës, jo Kolumbisë”, apo “Ju jeni mafia, ne jemi policia”.

Manifestimi, ku i pranishëm ka qenë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, ka zgjatur pak dhe nga radhët e opozitës ka folur vetëm kryetari i PD, Lulzim Basha.

Në fjalën e tij, zoti Basha e ka cilësuar narkotrafikun si armikun numër një të Shqipërisë dhe për këtë, ka përsëritur ai, përgjegjës është kryeministri Edi Rama.

“Shqiptarët janë mbledhur kundër një armiku të rrezikshëm që kërkon të shtypë liritë tona, të asgjesojë ëndrrën tonë evropiane. Ky armik është droga, narkotrafiku me përmasa të frikshme i ngritur në sistem në 5-6 muajt e fundit, me financimin e baronëve të drogës”, ka deklaruar Basha.

“Një grup narkotrafikantësh, me mbështetje politike, guxuan përmbysjen e kursit të Shqipërisë evropiane duke vendosur kursin e Shqipërisë kolumbiane”, ka thënë ai.

Megjithatë, për kryetarin e opozitës, shqiptarët janë ngritur me mbështetjen e së djathtës dhe po i japin një mesazh të qartë atyre që sipas tij drejtojnë këtë trafik të përmasave të frikshme.

“Jemi mbledhur për të shporrur narkotrafikun dhe oligarkinë e drogës. Tregojmë me gisht Edi Ramën si personin përgjegjës për këtë, i kërkojmë të largohet”, ka vijuar Basha.

Duke e cilësuar një “kryeministër në detyrë”, Basha është shprehur se Rama është kundër Shqipërisë së ndershme, pasi me sjelljen e tij “skandaloze” përpiqet të fshehë trafikun e drogës.

“Shqipëria nuk është narkotrafiku, por populli i saj i lirë. Droga përbën sot agresionin më të madh ndaj edukimit të fëmijëve. Qytetarët e kanë rrëzuar moralisht Edi Ramën. Sa më shpejt të iki, aq më mirë për të gjithë”, ka shtuar Basha.

Rama shpërfill protestën e opozitës
Rrota e avionit të ish-qeverisë ngeci në bulevard

Ndërkohë, për kryeministrin Edi Rama e premtja ka qenë një ditë normale pune, paçka se poshtë zyrës së tij opozita organizoi protestën e radhës.

Mësohet se Rama gjatë kohës kur protestonte opozita ka qëndruar në zyrë së bashku me bashkëpuntorët. Pas përfundimit të kësaj proteste, Rama ka postuar në Facebook një koment ku thotë:

“Rrota e avionit të ish-qeverisë ngeci në bulevard, piloti nuk foli, shoferi bërtiti, pasagjerët morën furgonët për të ikur nga vendngjarja”.   / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button