Kinë, dënim me vdekje miliarderit

Liu Han, një miliarder kinez që dyshohet të ketë lidhje me ish-shefin e sigurisë kombëtare në Kinë, Zhou Yongkang, është dënuar me vdekje nga një gjykatë e vendit aziatik.

Gjykata e ka shpallur Liu Han dhe vëllain e tij Liu Wei fajtorë për “organizim të disa krimeve të stilit mafioz dhe vrasje”, raporton agjencia e lajmeve “Xinhua”.

Dy vëllezërit ishin mes një grupi prej 36 personash që u akuzuan për krime të ngjashme. Dënimi i Liu Han mendohet të jetë pjesë e një ofensive të qeverisë kineze kundër korrupsionit, i lidhur me rrjetin e ish-kryespiunit të Kinës.

Vendimi i gjykatës thotë se, mes të tjerash Liu Han dhe grupi i tij përmes mashtrimit kishin siguruar përfitime financiare përmes aktiviteteve ilegale. Gjithashtu, në shumë raste ata kishin kryer vrasje, lëndime të njerëzve dhe pengmarrje.

Vendimi i gjykatës thotë se, ata mbështeteshin tek mbulimi që kishin përmes lidhjeve me zyrtarë qeveritarë për të kontrolluar ilegalisht rrjetin e lojrave të fatit në Guangan, lokalitet në provincën e Siçuanit.

Liu Han, që dikur ka drejtuar konglomeratin që kontrollonte industrinë minerare në Siçuan, ishte renditur i 148-i në listën e personave më të pasur në Kinë nga revista “Forbes” në vitin 2012. / TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button