fbpx

Liria e shprehjes në RMV cenohet nga kërcënimet dhe mungesa e reformave në media, vërejtje dhe nga Brukseli

Liria e shprehjes është një nga kriteret kyçe që një vend aspirues ndaj BE-së duhet të plotësojë. Sipas metodologjisë së re të zgjerimit, kapitulli për lirinë e shprehjes dhe mediat bën pjesë në grupin e parë, atë të të drejtave fundamentale. Megjithatë, Raporti i Progresit theksoi se Maqedonia e Veriut ka pasur progres të kufizuar në fushën e informimit dhe medias. Punonjësit e medias në vendin tonë përballen me shumë probleme, cenohet liria e shprehjes, zvarritet procesi i reformave dhe kuadri ligjor nuk është në përputhje me atë të BE-së, shkruan Portalb.mk.

Në vitin 2019 Kuvendi i RMV-së votoi për reforma në media, kusht ky i kërkuar nga BE-ja, e megjithatë deri më sot nuk janë bërë hapa konkrete në zbatimin e tyre. Kriteri për reformimin e trupave rregullator të mediave në vend, si zgjedhja e anëtarëve të rinj të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuele dhe anëtarëve të rinj të servisit publik, nuk u përmbush asnjëherë në praktikë. Procedura e filluar ka ngecur si pasojë e përplasjeve politike, këtë realitet e nxori në pah edhe dokumenti i publikuar nga Metamorphosis “Monitorimi i procesit të integrimit evropian: Reformat në Sektorin e Mediave – VULLNETI POLITIK ATY ËSHTË ATY S’ËSHTË”.

Por, në Maqedoninë e Veriut, përveç zbrazëtirave në Ligjin për media, liria e shprehjes dhe punonjësit mediatik cenohen edhe me një sërë problemesh tjera. Sulmet dhe kërcënimet vazhdojnë të jenë sfidat më të mëdha me të cilat përballen punonjësit mediatk, e me theks të veçantë femrat.

“Të jesh gazetar në Maqedoninë e Veriut është tejet rëndë, por sidomos të jesh gazetare femër është edhe më e rëndë. Kjo pasi që në terren femrat gazetare ballafaqohen me pengesa të ndryshme, ofendime, sulme dhe nënvlerësime nga bartësit e funksioneve publike por edhe në raste të caktuar nga qytetarët pasi që janë ” në mes të dy zjarreve”. Kur raportojnë për gjëra pozitive janë të lavdëruar, ndërsa kur raportojnë për gjëra negative ofendohen dhe etiketohen si të paguar nga dikush dhe tendencioz. Por të qenit femër gazetare do të thotë se të shohin si të brishtë dhe marrin më lehtë guximin për të të ofenduar apo penguar në punë. Këtë e kam ndjerë në lëkurë gjatë këtyre viteve karrierë ndërsa rasti i fundit është gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2021 kur edhe tensionet tek aktivistët partiak, politikanët, zakonisht rriten. Puna ime si gazetar u pengua dy herë radhazi nga ata që duhet të ma mundësojnë punën e papenguar, komisioner zgjedhor dhe politik. Dhe kjo është shqetësuese pasi edhe kolege të mijat gazetare kishin qenë pre e sulmeve dhe ofendimeve vetëm pse e kanë bërë punën e tyre. Duket se ka tendencë në rritje të sulmeve ndaj gazetareve femra dhe kjo inkurajohet nga mosndëshkimi i dhunuesve, ose prokuroria dhe policia janë përgjegjës për çdo fjalë, sulm, keqtrajtim ndaj gazetarëve dhe kjo duhet të ndalojë”, deklaroi gazetarja Ferikan Iljazi.

Në vitin 2020, në Ministrinë e Brendshme u raportuan 10 raste të kanosjes së gazetarëve, ndërsa Shoqata e Gazetarëve regjistroi dy sulme fizike dhe 12 forma të ndryshme të kërcënimit verbal për jetën. Në vitin 2021 SHGM ka regjistruar 5 sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave dhe një kërcënim me vdekje, 3 prej të cilave ndaj grave. Ndërsa në vitin 2022, pra deri më tani, SHGM ka regjistruar vetëm 1 sulm ndaj një punonjësi mediatik.

Ndërkohë, pak ditë më parë opinioni ishte dëshmitar edhe ndaj një sulmi fizik të një punonjësi mediatik. Policia njoftoi se një kameraman ishte sulmuar fizikisht në Tetovë deri sa po punonte në terren.

Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve gjatë vitit 2021 dhe 2022 / Burimi: SHGM

KËTU i gjeni të gjitha sulmet ndaj gazetarëve, që nga viti 2014.

Nga SHGM dhe Sindikata e Gazetarëve kanë inicuar disa  ndryshime në Kodin Penal me qëllim që të sigurohet mbrojtje më e madhe ndaj punëtorëve mediatikë megjithatë miratimi i ligjeve po zvarritet me vite të tëra nga institucionet shtetërore.

“Sa i përket problemeve dhe sfidave që kanë të bëjnë me sigurinë e gazetarëve dhe punëtorëve mediatikë, ndryshimet në Kodin Penal të iniciuara nga SHGM dhe sindikata e gazetarëve, në draft tekst i inkorporuan kërkesat për mbrojtje sistematike të gazetarëve dhe punëtorëve mediatikë. Në këtë propozim, i cili aktualisht është në procedurë parlamentare, sulmi ndaj punonjësve të medias do të trajtohet si sulm ndaj një zyrtari, që do të thotë se PPP-ja do të veprojë sipas detyrës zyrtare dhe do të shtohen dënimet për sulmuesit. Ministri i Drejtësisë bëri të ditur se ligji do të miratohet në dhjetor 2020, por procesi është shtyrë për në vitin 2021 dhe jemi në pritje të vitit 2022, të dy ligjet janë ende në fazën e leximit të parë në procedurë parlamentare. Këto ndryshime do të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e sigurisë dhe mbrojtjes së gazetarëve dhe punonjësve të medias në vend”, deklaruan nga SHGM.

BE-ja me një sërë kritikash dhe rekomandimesh për RMV-në sa i përket lirisë së shprehjes

Fenomeni i sulmeve dhe kërcënimeve ndaj punëtorëve meditak nuk kaloi pa u theksuar edhe në Raportin e Progresit vitin e kaluar, madje u tërhoq vëmendja se punonjësit mediatik përballen edhe me një sërë problemesh bazike të natyrës sociale.

“Rastet e dhunës fizike dhe verbale si dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias u shtuan. Kushtet e punës së gazetarëve, me theks të veçantë të drejtat e tyre të punës dhe ato sociale duhet ende të përmirësohen ndjeshëm, veçanërisht në nivel lokal. Anketa e bërë nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve ka treguar se 23% e punonjësve të medias nuk kanë sigurime shëndetësore dhe sociale, 19% janë përgjigjur se menaxhmenti i medias nuk i lejon punëtorët të formojnë sindikatë. Të ardhurat e ulëta, si dhe mosrespektimi i ligjit për marrëdhëniet e punës nga punëdhënësit janë më së shumti sfida të përbashkëta dhe të vazhdueshme për gazetarët”, theksohet në Raport.

Sipas profesorit universitar në fushën e gazetarisë, Sefer Tahiri, është fakt se statusi social dhe ekonomik i gazetarëve në Maqedoninë e  Veriut lë shumë për të dëshiruar.

“Statusi social dhe ekonomik i gazetarëve është në nivel shumë të ulët në Maqedoninë e Veriut. Kjo dëshmohet me pagat e ulëta, që janë shpesh nën mesataren e vendit, mospagesa e ditëve të festave dhe moslejimi që këto ditë të jenë të lira për gazetarët dhe punonjësit mediatik, mospagesa e të gjitha ditëve të diela, sepse ndodh që mund të paguhet ndonjë prej tyre, mospagesa e orëve shtesë, jashtë orarit të punës dhe mospagesa e mëditjeve në terren, edhe kur qëndrojnë më gjatë se tetë orë. Gjendjen e rëndë e bën edhe fakti që punonjësve mediatik u jepen pushime, por që më pas pasi kthehen, punojnë dyfish, duke plotësuar vendet e punës të kolegëve të tyre“, deklaroi për Portalb.mk Sefer Tahiri.

Si përfundim Raporti thekson se vendi jonë ka pasur progres të kufizuar në fushën e mediave dhe fokusohet në nevojën e madhe për implemintimin e reformave të të propozuara vazhdimisht nga BE-ja.

Në përgjithësi, ka pasur progres të kufizuar gjatë periudhës raportuese. Konteksti i përgjithshëm është i favorshëm për lirinë e medias dhe lejon media kritike raportimi edhe pse ka pasur rritje të tensioneve gjatë krizës së COVID-19. Përpjekjet për vetërregullim duhet të rifillojnë dhe të pasohen me rezultate konkrete për avancimin e standardeve profesionale të gazetarisë. Duhet të sigurohet transparencë më e madhe në lidhje me reklamimin në media nga institucionet shtetërore dhe partitë politike. Autoritetet duhet të shtojnë përpjekjet e tyre për të reformuar transmetuesin publik, duke siguruar pavarësinë dhe financimin e tij qëndrueshmëri“, vlerësoi Raporti i Progresit.

Reformat në transmetuesin publik janë të patjetërsueshme edhe sipas profesorit Sefer Tahiri i cili vlerëson se punësimi i kuadrove profesional dhe personave jo-partiak është një ndër elementet kryesor në këtë drejtim.

“Shërbimi radiodifuziv publik duhet të transformohet tërësisht, pasi aktualisht funksionon si transmetues shtetëror. Duhet të nis procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Programor të RTVM-së, që më pas të nis procesi i zgjedhjes së menaxhuesve profesionistë, të cilët do të krijojnë strukturë organizative në radio dhe televizion, e cila do të prodhojë programe me interes publik. Përveç komponentës informative, e cila duhet të jetë shtylla e RTVM-së, segement i veçantë duhet kushtuar sidomos funksionit edukativ, me qëllim që ky shërbim radioteleviziv të arsyetojë paratë që u ndahen nga buxheti i shtetit. Një segment i rëndësishëm është edhe punësimi i kuadrove të reja profesionale, që nuk do të jenë lista paraprake të njerëzve që i delegojnë partitë në pushtet”, tha Sefer Tahiri.

Shumica e rekomandimeve të vitit të kaluar mbeten të vlefshme edhe për vitin në vijim. Në vitin e ardhshëm, vendi duhet të:

  • Të bëjë përpjekjet e nevojshme për zbatimin e strategjisë për reformimin e transmetuesit publik dhe të finalizojë emërimet për këshillin programor të transmetuesit publik dhe këshillin e rregullatorit të medias
  •  Të zbatojë një qasje të tolerancës zero në lidhje me frikësimin, kërcënimet dhe aktet e dhunës ndaj gazetarëve në ushtrimin e profesionit të tyre dhe të sigurojë që autorët të jenë të sjellë para drejtësisë.
Organizatat ndërkombëtare raportojnë se gazetarët në RMV përballen me kërcënime

“Freedom Hause” e vlerëson Maqedoninë e veriut si vend pjesërisht të lirë, ku aktivistët dhe gazetarët përballen me frikë dhe kërcënime.

“Maqedonia e Veriut vazhdon të luftojë me korrupsionin dhe ndërsa media dhe shoqëria civile marrin pjesë fuqishëm në diskursin publik, gazetarët dhe aktivistët përballen me presion dhe kërcënime”, thuhet në raportimet e Freedom Hause.

Në Listën e vendeve të lira në botë gjatë vitit 2020 Maqedonia e Veriut vlerësohet me 67 pikë nga 100 pikët maksimale. Peizazhin mediatik të Maqedonisë së Veriut “Freedom Hause” e vlerëson si “thellësisht të polarizuar përgjatë linjave politike dhe mediat private shpesh janë të lidhura me interesa politikë ose të biznesit që ndikojnë në përmbajtjen e tyre.”

Në publikimin e fundit të rangimit botëror, sa i përket Indeksit të shtypit të lirë, vendi jonë listohet në vendin e 90-të.

Situata e medias u përkeqësua, zyrtarë të lartë të qeverisë vazhduan të kërcënojnë dhe ofendojnë organet e mediave, ndërsa ngacmimet kibernetike dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve u shtuan në mediat sociale. E gjithë kjo shërbeu për të përforcuar kulturën e rrënjosur mirë të mosndëshkimit. Në të njëjtën kohë, pandemia e komplikoi raportimin. Organizatat që përfaqësojnë median kundërshtuan fuqimisht ndryshimet e ndryshme të propozuara për ligjin për mediat transmetuese shtetërore dhe private që do të lejonin reklamimin shtetëror në media. Ata e kundërshtuan këtë me arsyetimin se mund të nxiste klientelizmin”, citohet në raportin e “Reporters without borders”

Disklejmer, baner, vertetematesi, NED

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button