Pezullohet evakuimi në Mariupol, ushtria ruse akuzohet për të shtëna

Zyrtarët ukrainas i pezulluan planet e evakuimit të civilëve në qytetin jugor të Mariupolit, pas raporteve për të shtëna nga ushtria ruse, raporton REL. Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se ka urdhëruar armëpushim në Mariupol dhe në qytetin e vogël pranë, Volnovaka, për të mundësuar evakuimin e civilëve.

Zyrtarët e Mariupolit njoftuan përmes rrjeteve sociale se “për shkak të faktit se pala ruse nuk i përmbahet armëpushimit dhe vazhdon të bombardojë Mariupolin dhe rrethinat e tij, evakuimi i popullsisë civile është shtyrë”.

Këshilltari i Presidencës së Ukrainës, Oleksiy Arestovych, foli për këtë çështje edhe gjatë një adresimi televiziv.

Tash për tash, është e pamundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur nëse luftimet janë ndalur ose jo në ndonjë moment gjatë ditës. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se ofensiva e saj 10-ditore në pjesë të tjera të Ukrainës po vazhdon.

Ajo tha se ka urdhëruar së paku armëpushim të pjesshëm në Mariupol dhe Volnovaka, për të mundësuar korridore humanitare për civilët.

Një këshilltar i lartë i Qeverisë ukrainase tha më pas se do të ketë edhe marrëveshje të tjera, për të mundësuar evakuimin e banorëve.

“Gjithsesi se do të ketë më shumë marrëveshje si kjo për të gjitha territoret tjera”, tha këshilltari i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Anton Herashchenko.

Qeveria ukrainase tha se plani ishte për evakuimin e rreth 200,000 njerëzve nga Mariupoli dhe 15,000 të tjerëve nga Volnovaka.

Por, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë citoi gjithashtu zyrtarët lokalë në Mariupol të kenë thënë se evakuimi do të zgjaste vetëm pesë orë.

Pushtimi i plotë i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt, me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin.

Që atëherë, mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 1.2 milion refugjatë janë larguar nga vendi.

Mariupoli është një qytet i rëndësishëm strategjik, me më shumë se 400,000 banorë në Detin Azov, ku uji dhe energjia elektrike janë ndërprerë tash e disa ditë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button