RMV, të ndërpriten subvencionet për hidrocentralet e vogla, e lumenjtë të mbeten të lirë

Nuk na duhen standarde për rrugët e peshkut, por lumenjtë le të na mbeten të lirë, apelon Anes Ahmeti nga fshati Zhirovnicë, i cili bashkë me banorët tjerë prej disa vitesh po lufton që në lumin Zhirovnicë të mos ndërtohen hidrocentrale të vogla. Subvencionet që i tërheqin investitorët në këto objekte energjetike duhet të hiqen, kërkon Ivica Avramoski nga fshati Lokvicë, i cili është dëshmitar i katastrofës ekologjike që, pas ndërtimit të një hidrocentrali të vogël, po ndodh në lumin Krapska, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Ata sot, në panelin me temë “Lumenjtë e robëruar”, i ndanë përvojat e komuniteteve të tyre lokale nga ndikimi i ndërtimit dhe funksionimit të këtyre objekteve energjetike në mjedisin ku ata punojnë dhe jetojnë, si pjesë e një fushate për mbrojtjen e lumenjve dhe rrjedhave të lumenjve e përroskave nga hidrocentralet e vogla, ngjarje që u organizua nga “Eko Svest” (Eko Vetëdija”. Në kuadër të këtij aktiviteti u promovua edhe filmi dokumentar me metrazh të shkurtër “Lumenjtë e robëruar“ në të cilin janë dokumentuar dëshmitë e personave në rrethinën e të cilëve janë ndërtuar tre hidrocentrale të vogla në Markova rekë, lumin Brajçinska dhe lumin Krapska.

Deri tani në vend janë realizuar 98, kurse janë planifikuar rreth pesëdhjetë hidrocentrale të tjera të vogla. Njëra prej tyre është ai në Krapska Rekës, për të cilin Avramoski thotë se popullata e kishte kuptuar se ishte planifikuar vetëm pasi në fshat janë është shfaqur makineria ndërtimore dhe ka filluar gërmimet. Si pasojë e kësaj sot ka mungesë uji në Lokvicë dhe Vir, për çka, thotë ai, duhet të fillojmë luftën me institucionet për ta tejkaluar.

“Shenja e parë që diçka nuk është në rregull është fshehtësia. Komuna mbeti e shurdhër dhe nuk i mbrojti interesat e banorëve, nuk e ka njoftuar Ministrinë e Mjedisit Jetësor se në lokacionin ku është planifikuar hidrocentrali i vogël ka ujësjellës. U tronditëm dhe nuk besonim kur e kuptuam se çfarë po ndodhte. Tani jemi dëshmitarë të një katastrofe ekologjike, ashtu që verën e kaluar nuk kemi pasur asnjë pikë ujë për 40 ditë”, vë në pah Avramoski.

Objektet energjetike në lumin Zhirovnicka nuk janë ndërtuar. U penguan nga aktivitetet e popullatës, që u përkrahën nga komuna Mavrovë-Rostushë, e cila ia hoqi lejet edhe Parkut Kombëtar “Mavrovë”. Ata presin që Qeveria të ndalojë dhënien e lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, kurse komuna të mbetet në qëndrimin që nuk jep leje për ndërtim.

“Nëse është e nevojshme, ne do ta mbrojmë lumin me mur të gjallë”. Nuk duhet të ketë objekte ku ka ujë të pastër dhe të pijshëm, sepse ujë të pijshëm do ketë gjithnjë e më pak, kurse ne duam ta shkatërrojmë”, tha Anes Ahmeti.

Sipas Ana Çolloviq -Leshoska nga “Eko Vetëdija”, kriza klimatike dhe kolapsi i ekosistemeve janë realiteti në të cilin jetojmë, të cilave iu ndërlidh edhe pandemia me kovid-19, kurse tani edhe lufta e fundit. Ndërgjegjësimi për gjithçka që njerëzit bëjnë në planet po rritet, por është e qartë se kjo nuk mjafton.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përfshirë në planet e tyre mbi 3000 projekte hidroenergjetike. Ato ofrohen si burime të rinovueshme të energjisë, por nuk janë të qëndrueshme. Mund të nënkuptojnë fillimin e fundit të lumenjve të Ballkanit që ne i njohim si unikë. Për rënien e 70 për qind të popullsisë në ekosistemet e ujërave të ëmbla, përgjegjës janë njerëzit. A është ky me të vërtetë zhvillimi i gjelbër që prisnim?” pyeti Çolloviq-Leshoska.

Vitin e kaluar, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor zgjodhi dy raste, pas raportimeve për hidrocentrale të vogla në Markova rekë dhe Kadinë. Në rastin e parë në Markova rekë, inspektori i ujërave solli vendim me të cilin ndalohet puna për shkak se investitori e ka vërshuar shtratin e lumit dhe e ka penguar lëvizjen dhe qarkullimin e peshqve. Në lumin Kadinë, nga ana tjetër, ishte ndërtuar një digë që dikush të prodhonte energji elektrike.

“Në rastin e Markova Rekës, investitorit është ngarkuar  që ta pastrojë shtratin e lumit dhe aktualisht është në procedurë për shlyerjen e gjobës, që mund të arrijë deri në 20 mijë euro. Nga ana tjetër, në lumin Kadinë, personit iu dha detyrimi që të pastrojë vendin dhe të sigurojë rrjedhën e ujit. Gjatë kontrollit, inspektorët kanë konstatuar se ai nuk ka kryer punën, prandaj e kanë dënuar me gjobë prej 600 euro. Për shkak se personi nuk e ka paguar as gjobën, tani zhvillohet procedurë kundërvajtëse”, tha drejtori i Inspektoratit, Sreten Stojkovski.

Ai përsëriti edhe një herë problemet e vjetra të këtij institucioni, mungesa e personelit por edhe e mjeteve për punë.

“Kemi dy inspektorë për çështjet me ujin por nuk kemi makinë për punë në terren. Nëse shkojmë për të kontrolluar në terren të paarritshme, si në rastin e hidrocentraleve të vogla, investitorët na e  japin automjetin, sepse ne i lajmërojmë, por duke e ditur për kontrollet, ata mund të përgatiten dhe të mbulojnë të metat e tyre”, tha Stojkovski.

Dëmet nga hidrocentralet e vogla janë të mëdha. Vendosja e ujit në një tub lë shtretërit e lumenjve të thatë, duke rrezikuar biodiversitetin dhe mbijetesën e specieve ujore dhe endemike. Ndërtimi i rrugëve shkakton shpyllëzim, erozion të tokës dhe gjueti pa leje. Humb natyrën, por edhe komunitetet lokale.

“Arsyeja për këtë është stimulimi i ndërtimit me subvencione dhe blerja e garantuar e energjisë. Një nga zgjidhjet është heqja e menjëhershme e këtyre subvencioneve. Nga ana tjetër, mungojnë aktet nënligjore që e rregullojnë metodologjinë e matjes së prurjeve ujore dhe mundësinë e certifikimit të laboratorëve për matjen e prurjeve ujore. Rrjedha ekologjike e ujit është e përcaktuar dhe obligimi për rregullimin e rrugëve të peshkut, por edhe për këtë nevojiten rregullore”, tha Gjorgji Mitrevski nga “Ekon Vetëdija”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button