ANALIZË: Pasojat ekonomike – “tsunami” e krizës nga Rusia, përmes Ukrainës dhe BE-së deri në RMV (INFOGRAFIK)

Rreth 15 vjet më parë, Rusia ishte një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Maqedonisë, me një shkëmbim tregtar prej më shumë se 660 milionë euro. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë – Rusia renditet në vendin e 20-të si partner tregtar i vendit. Megjithatë, edhe më tej mbetet varësia e lartë e vendit nga energjia ruse – nga gazi i cili përfundon në vend nga Rusia përmes Ukrainës dhe rrugës evropiane. Por, edhe Maqedonia e humb tregun rus ku shisnim kryesisht fruta dhe perime, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Sulmi rus ndaj Ukrainës do të sjellë një cunami me pasoja ekonomike për vendet e Bashkimit Evropian, dhe rrjedhimisht edhe për Maqedoninë.

Rusia – partneri strategjik tregtar i BE-së – e BE-ja i Maqedonisë…

Agresioni rus ndaj Ukrainës i tërheq konturat e krizës së re ekonomike. Rusia është partneri i pestë më i madh tregtar i Bashkimit Evropian, kryesori për Gjermaninë, e cila është partneri i parë tregtar i Maqedonisë – vitin e kaluar tregtia totale ndërmjet Maqedonisë dhe Gjermanisë arriti në 259,7 milionë euro.

Rusia është aktualisht partneri i 20-të më i madh tregtar i Maqedonisë – ku dominojnë importet tona të energjisë – kryesisht gazi, por edhe drithërat, plehrat, ndërsa tregu rus për ne nënkupton shitjen e frutave, perimeve, ilaçeve, verës, materialeve ndërtimore.

Shkëmbimi tregtar me Federatën Ruse është rreth 200,000,000 euro

Shkëmbimi tregtar Maqedoni – Rusi:

  • Eksporti në Rusi: 48.330.000 euro
  • Importi nga Rusia:150.325.000 euro

Për dallim nga Rusia, Ukraina nuk është në grupin e “20” partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Maqedonisë. Sulmi ndaj Ukrainës do të ketë pasoja të pashmangshme për Evropën – pra edhe për Maqedoninë, partnerët kryesorë tregtarë të së cilës janë nga BE-ja.

Varësia e BE-së nga Rusia është kryesisht në sektorin energjetik, ku 40% e energjisë në BE është nga Rusia dhe 35% është varësia nga gazi rus. E madhe është edhe varësia e Perëndimit nga hekuri dhe çeliku rus, dhe kjo është arsyeja pse shumë industri tashmë kanë ngecje. Por, rreziku nuk qëndron vetëm në sektorin e energjisë, industrinë e automobilave dhe atë të ndërtimit, por edhe në atë të ushqimit.

Rusia ishte eksportuesi më i madh i grurit përpara ofensivës ushtarake, ndërsa Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë një të katërtën e prodhimit botëror të këtij produkti ushqimor bazë. Por, a ekziston rreziku që Maqedonia të përballet me krizë, jo drejtpërdrejt – por tërthorazi, për shkak të rreziqeve të ngecjeve në zinxhirin e furnizimit me ushqime bazë?

Varësia e Maqedonisë nga importi…

Të dhënat tregojnë se varësia jonë nga importi i ushqimit, por dhe nga produktet e industrisë përpunuese është në rritje. Vetëm për importin e produkteve bujqësore, produkteve pyjore dhe peshkut shpenzojmë 153.000.000 euro në vit dhe kjo varësi vitin e kaluar krahasuar me 2020 është rritur për 9%.

Industria përpunuese është gjithashtu shumë e varur – për importin e produkteve për nevojat e këtij sektori shpenzohen 8.900.000.000 euro dhe vitin e kaluar kjo varësi nga importi është rritur për 26,2%. Rritje më dramatike të importit për 80,4% vitin e kaluar kishte te energjia elektrike, gazi – dhe pikërisht Rusia është një nga lojtarët kryesorë në furnizimin me gaz.

Infografik

Qeveria e Maqedonisë njoftoi se situata është duke u analizuar dhe monitoruar dhe nëse është e nevojshme do të ndërmerren masa për forcimin e rezervave të mallrave.

“Për momentin nuk ka nevojë për vënien në funksion të rezervave të mallrave, duke qenë se prodhuesit e produkteve bazë kanë stoqe për një periudhë mbi 35 ditë, pa i përfshirë ditët që ne mund t’i mbulojmë përmes rezervave shtetërore. Ne vazhdojmë të furnizojmë rezervat shtetërore, siç është paraparë në programin vjetor, dhe si Qeveri i shqyrtojmë edhe nevojat e mundshme për forcimin e mëtejmë të dinamikës së rezervave, nëse ka nevojë për një gjë të tillë”, njoftojnë nga Qeveria.

Për dallim nga pushteti, VMRO-DPMNE-ja opozitare mendon se duhet ndërhyrë me rezervat aktuale të mallrave për të parandaluar rritjen e mëtejshme të çmimeve, veçanërisht të bukës dhe brumërave.

“Nëse rezervat e mallrave janë plot, qeveria duhet të ndërhyjë menjëherë dhe nëse jo, të përgjigjet pse nuk janë rimbushur deri më tani dhe çfarë prisnin ndërkohë që të gjitha vendet blinin rezerva?”, pyesin nga kjo parti.

Vetëm 1% ekspozim financiar i Maqedonisë ndaj Rusisë dhe Ukrainës

Nuk ka asnjë bankë me pronësi mbizotëruese ruse ose ukrainase në sistemin bankar në vend. Sipas të dhënave të Bankës Popullore detyrimet financiare dhe kërkesat financiare ndaj këtyre dy vendeve janë më pak se 1% e totalit të mjeteve dhe detyrimeve financiare, dhe për këtë arsye nuk ekziston rrezik i drejtpërdrejtë për këtë segment.

Për ekonominë ruse, Maqedonia është një “lojtar” simbolik tregtar krahasuar me Kinën, Bjellorusinë, Kazakistanin që janë më të rëndësishme për të.  Maqedonia dhe Rusia vendosën marrëdhënie diplomatike në janar të vitit 1994.

Që atëherë, midis Maqedonisë dhe Federatës Ruse janë lidhur 20 marrëveshje për të lehtësuar marrëdhëniet ekonomike, kulturore dhe infrastrukturore – për të inkurajuar mbrojtjen e investimeve, për të eliminuar taksimin e dyfishtë, për të bashkëpunuar në energji, komunikacion, për të bashkëpunuar në ndërtimin e tubacionit të gazit.

Edhe pse Ukraina nuk renditet lartë si partner tregtar i Maqedonisë, megjithatë ai treg ishte një nga më tërheqësit për kompanitë tona të ndërtimit. Maqedonia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje për tregti të lirë në vitin 2001 dhe një sërë marrëveshjesh të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button