Humanizmi – prej Serbisë deri në Gjorçe

Me fjalë, të gjithë jemi zemërgjerë dhe të drejtë. Krejt mirë, deri në momentin kur humanizmi i shprehur duhet të dëshmohet edhe për tjetrin, që dallon sipas përkatësisë etnike ose fetare, përfshirë edhe të kaluarën e afërt.

Vërshimet në Bosnjë, Kroaci dhe Serbi (sipas radhitjes alfabetike, jo raportimit të mediave) prekën miliona njerëz. Disa efekte duken, tjerat do të shihen më vonë. Ne që kemi fat, vetëm mund të lutemi dhe të shpresojmë të mos na ndodhë kjo tragjedi. Anash ujit dhe dëmeve materiale, që disi mund të shihen nga vërshimi, në sipërfaqe u rishfaq edhe shumëçka tjetër, kryesisht prej atyre që ende e gëzojnë rehatinë e shtëpisë së ngrohtë.

Aksionet bamirëse, thirrjet për donacione, koncertet dhe gjestet e vogla sado pak pritet t’ia zbusin dhembjen viktimave të vërshimeve në Ballkan. Arsyetimi i kollajshëm dhe i parë, është se ata ndihmohen si nevojtarë dhe kjo është mirë. Por, në fakt, këtu shfaqen edhe shumë çështje tjera.

Nëse është kështu, rrjedhimisht shtrohet pyetja se pse bashkëqytetarët maqedonas nuk reaguan pothuajse aspak ndaj vuajtjeve të pafund të shqiptarëve kosovarë, të cilët u strehuan në Maqedoni gjatë eksodit më të madh në gjysmëshekullin e fundit. Kur thuhet që Maqedonia i ka pranuar refugjatët, pretendohet se i është bërë një shërbim atyre që i kanë shpëtuar vdekjes, duke harruar – qëllimisht ose jo – se shteti është i obliguar për këtë me akte ndërkombëtare. Prej kësaj perspektive, mund të supozohet që humanizmi ka evoluar gjatë pesëmbëdhjetë viteve, ose që shqiptarët kosovarë nuk kanë qenë të denjë për ndihmë në 1999, kur s’kishte koncerte dhe aksione.

Provimi i ngjashëm i humanizmit nuk mund t’i amnistojë as ata shqiptarë (përfshirë edhe ca nën petk fetar) që i gëzohen vërshimeve në Serbi duke i parë ato si dënim për krejt të këqijat kolektive dhe krimet e bëra në Kosovë. Çuditërisht, nuk pyeten se nëse kataklizmi natyror i ka dënuar serbët si komb, atëherë çka ndodh me boshnjakët dhe kroatët? Ose, për çka janë dënuar shqiptarët e rrethit të Shkodrës që para disa viteve humbën gjithçka në përmbytjet më të këqija që mbahen mend?

Kuptohet, mes atyre që ndihmojnë nga thellësia e zemrës dhe tjerëve që e kalibrojnë mirësinë sipas kutit etnik, ka edhe plot sharlatanë tjerë. Për disa, ndihmat ruse e dëshmuan që BE nuk interesohet për Ballkanin. Abonentët permanentë të teorive konspirative dolën me teori ku për vërshimet – si edhe për krejt tjerat – fajin e kanë amerikanët që nuk ndalen derisa ta rrënojnë Serbinë. Besimi në njërën ose teorinë tjetër, nuk i la anash as nostalgjikët e Jugosllavisë së Titos, që shpërthyen menjëherë se njerëzit ndihmohen sikur të ishin në RSFJ. Super humanizëm për të gjithë, s’ka fjalë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, nuk vonoi edhe belaja tjetër, tani më afër pragut të shtëpisë. Në Gjorçe Petrov të Shkupit, një adoleshent u ther me thikë nga një bashkëmoshatar i tij. Shumë shpejt, u tha që një shqiptar ia ka vjedhur biçikletën maqedonasit dhe në fund e ka therë gjatë grindjes. Në shikim të parë, duket e qartë. Megjithatë, pas ca ditësh, biçikleta u zbulua në oborr dhe dolën fakte tjera relevante, që ndonëse nuk e zbusin dhembjen dhe nuk e amnistojnë vrasjen, hedhin më tepër dritë.

Tashmë është bërë traditë që krimet të futen nën ombrellë etnike, duke shkaktuar tërbim patriotik me dënim kolektiv, si djegia e pronave shqiptare në Gjorçe Petrov, që duket se nuk kanë qenë të mbrojtura nga policia e paguar nga të gjithë.

Dhuna në rrugë, që do të rritet edhe më tej, është vetëm pasojë e dobësisë së institucioneve dhe sundimit të ligjit. Sistemi i forcës shpejtë kthehet në drejtim të kundërt, si që është dëshmuar konkretisht në Maqedoni. Dekada me radhë, dhuna policore i binte në qafë shqiptarëve, deri në rastin e Martin Neshkovskit, kur u kuptua më gjerë se makina e dhunës kërkon gjak vazhdimisht. Me ironinë e fatit, deputetët shqiptarë nuk bënë zë për këtë rast në Kuvend, ngjashëm si që shumica e mediave maqedonase i beson më tepër versionit policor kur flitet për ndonjë shqiptar, se për vrasjen e Martinit.

Udhëheqësit shtetërorë dhe politikë që asnjëherë nuk duken kur bëhet ngushtë, ose nuk e kanë mësuar leksionin historik të Ballkanit, ose qëllimisht e drejtojnë popullin në konflikt brutal. A ka dikush prej tyre përgjigje se çka do të kishte ndodhur gjatë javës po të ishin hakmarrë shqiptarët diku tjetër kolektivisht? Kjo mund të jetë pyetja e vërtetë, ose përgjigjja që pritet pas çdo incidenti të kontrolluar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button