A duhet të vazhdojë “Ballkani i Hapur” pas qëndrimit të Serbisë karshi Ukrainës?

Pas mos – bashkëngjitjes së Serbisë në sanksionet e BE-së kundër Rusisë, ka lindur debati nëse duhet të vazhdojë iniciativa Ballkani i Hapur. Mendimet rreth asaj nëse duhet rishqyrtuar apo jo kjo iniciativë janë të ndara. Njohës të politkave të jashtme për Portalb.mk thonë se këtë nismë e kanë shoqëruar dy problemet kryesore që nga gjeneza e saj dhe kjo ka të bëje me: mospjesëmarrjen e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në këtë nismë dhe politika e jashtme e Serbisë e cila është shumë më e përafërt me Lindjen se sa me Perëndimin, megjithatë, presioni ndaj politikës së këtij shteti, duhet të vijë nga BE-ja.

Sefer Selimi nga Democracy Lab, thotë se agresioni rus në Ukrainë ka vënë në dukje faktin se Serbia ka më shumë orientim politik në Lindje dhe nëse lufta merr më shumë intensitet gjithsesi që qasjet e ndryshme do të thellohen edhe më tepër, ndoshta deri në atë masë sa për ta shuar këtë iniciativë. Megjithatë, thotë ai, Ballkani i Hapur nuk është iniciativë për bashkëpunim politik por iniciativë rajonale para së gjithash për bashkëpunim ekonomik dhe e tillë duhet të mbetet. Në rastin e Serbisë dhe politikave të saj të jashtme, Selimi thotë se presioni kryesor duhet të vijë nga Bashkimi Evropian me të cilin ky shtet jo vetëm që ka aspirata për tu bërë pjesë e tij por është në fazë të avancuar të negociatave për anëtarësim.

“Sa i përket iniciativave rajonal, ata janë më se të nevojshme dhe të njëjtat duhet të kultivohen dhe zhvillohen sa më shumë që është e mundur për të sjell prosperitet dhe zhvillim ekonomik për qytetarin e rëndomt. Bllokimi, mospjesëmarrja dhe ikja nga këto iniciativa nuk e ndryshon realitetin gjeografik nga i cili nuk mund të iket, prandaj duhet gjithmonë të kërkohen dhe krijohen mundësi që do t’i sjellin më afër vendet e rajonit edhe mes vetes por edhe me Bashkimin Evropian”, shprehet Selimi.

Më tej ai shton se nëse aleatët ndërkombëtar ndryshojnë qëndrim mbi politikat e jashtme të Serbisë, atëherë duhe të reflektojnë edhe dy vendet tjera të Ballkanit të Hapur, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

“Gjithsesi, duhet pasur gjithmonë në mëndje se interesi ynë kryesor strategjik është integrimi në Bashkimin Evropian dhe ruajta dhe thellimi i aleancës me SHBA-të dhe nëse qëndrimi i tyre mbi politikën e jashtme të Serbisë ndryshon ai do duhet të reflektohet edhe tek dy shtet tjera, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të cilat tani më janë në përputhje 100% me politikën e jashtme të BE-së”, deklaroi Selimi.

Për dallim nga Selimi, i cili mendon se nëse qasjet e ndryshme do të thellohen mund ta zhbëjnë këtë iniciativë, eksperti Nano Ruzhin, vlerëson se momentalisht jetojmë në një moment gjeostrategjik-gjeopolitik shumë dinamik, ku janë rrezikuar rendi i sigurisë, flukset ekonomike financiare, tregtare dhe se e gjithë kjo sugjeron se në periudhën e ardhshme do të përballemi me kriza të rënda ekonomike, sociale, madje edhe politike dhe prandaj është e rëndësishme që në çdo rajon të zhvillohet miqësia, fqinjësia e mirë, mirëkuptimi i ndërsjellë.

“Mendoj se pavarësisht se kush çfarë sanksionesh ka marrë, edhe nëse nuk ka marrë fare sanksione kundër Rusisë, nuk duhet të jetë pikë referimi për fqinjësinë e mirë në rajon dhe veçanërisht për të vihet në pikëpyetje koncepti i Ballkanit të hapur. Para së gjithash ai është një koncept, i destinuar për qytetarët, i cili mund të lehtësojë qarkullimin e mallrave dhe rrjedhën e informacionit, bashkëpunimin etj. Pra, në një botë kaq të tensionuar me lëvizje të mëdha gjeostrategjike, mendoj për Ukrainën dhe Rusinë, por edhe pjesën tjetër të botës, e cila praktikisht është e përfshirë në këtë krizë, koncepti i një Ballkani të hapur mund të jetë i dobishëm për të gjithë qytetarët e Ballkanit, madje edhe për ata që nuk janë anëtarë të këtij lloj bashkëpunimi. Më së paku në këtë moment duhet të mbyllim kufijtë, krijimin e një barriere më të madhe, thyerjen e elementëve të caktuar që do të ngadalësojnë më shumë, do ta bëjnë më të vështirë, sesa do të lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve, njerëzve dhe produkteve etj”, thotë Ruzhin.

Madje ai shprehet se momentalisht të gjithë po përballemi me një krizë energjetike dhe Ballkani i Hapur mund  që të sigurojë mënyrë për të ndarë disa vështirësi dhe për të treguar solidaritet.

“Të mos harrojmë se ky koncept mbështetet nga fuqitë më të mëdha botërore, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, megjithëse me keqardhje që jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor marrin pjesë në këtë koncept të Ballkanit të Hapur, por do të vijë dita kur t’i bashkohen edhe të tjerët, kur do të mendojmë në mënyrë më optimiste, kur do të mbizotërojë paqja si në lindje ashtu edhe në rajonin tonë, dhe ku do të kujdesemi më shumë për orientimet tona evropiane sesa për atë se çfarë mendon fqinji, me të cilin nuk jemi në marrëdhënie të mira”, deklaron Ruzhin.

Ndërkohë, për Portalb.mk nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut ditë më parë deklaruan se nuk do të tërhiqen nga “Ballkani i Hapur”, pavarësisht qëndrimit të Serbisë për mosvënie të sanksioneve ndaj Rusisë, ashtu siç ka bërë Perëndimi duke përfshirë edhe Shqipërinë apo dhe vetë Maqedoninë e Veriut për shkak agresionit të saj ndaj Ukrainës. Sipas autoriteteve të RMV-së, qëndrimi i Serbisë ndaj situatës në Ukrainë, është çështje e brendshme e saj.

“Si Serbia, ose cili do vend tjetër, se çfarë qëndrimi do të marrë në lidhje me agresionin ndaj Ukrainës është çështje e saj e brendshme.  Me Serbinë kemi marrëdhënie të shkëlqyera miqësore mes dy shteteve dhe dy popujve dhe kemi konstatuar intensifikimin e bashkëpunimit, veçmas në planin ekonomik në dy vitet e fundit”, thanë nga Qeveria.

Sipas tyre, “Ballkani i Hapur” për të dyja shtetet është kontribuues në bashkëpunimin rajonal të shteteve, nëpërmjet zbatimit të vlerave evropiane.

“Ballkani i Hapur” kontribuon në thellimin e bashkëpunimit, me hapjen e mundësive për konkurrencë më të madhe rajonale të tregut evropian dhe të tregjeve tjera botërore dhe në pjesën e tërheqjes së investitorëve të huaj. Rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore është e rëndësishme në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në rajon dhe Evropë”, shtojnë nga Qeveria.

Edhe Shqipëria nuk e ka ndërmend të largohet nga “Ballkani i Hapur” për shkak të qëndrimit të Serbisë ndaj Rusisë.

“Ne nuk kemi pasur mungesë informacioni në politikën e jashtme të Serbisë kur kemi nisur këtë proces. Nuk kemi pritur të sulmohet Ukraina që të zbulojmë lidhjet e Serbisë me Rusinë. Nga informacioni paraprak që kam marrë, është se presidenti i Serbisë është shprehur për integritetin territorial të Ukrainës. Sa i përket ecurisë së Ballkanit të Hapur kjo është çështje që pret dhe nuk kemi asnjë urgjencë për të nxjerrë konkluzione jo vetëm në raport me Serbinë por për mënyrën si do zhvillohet ky proces”, tha kryeministri Edi Rama më 25 shkurt.

Ai më tej tha se “Ballkani i Hapur” nuk është projekti i krijimit të ndonjë organizate si një BE e vogël apo Jugosllavie të re. “Nuk jemi në Ballkanin e Hapur për të bërë Serbinë aleate të SHBA. Nuk kemi ndërmend të ndryshojmë qëndrimin ndaj Moskës. Nuk jemi në këtë fare. As nuk na ka shkuar në mend kjo gjë”, shtoi Rama.

Ndryshe nga Qeveria, kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, mendon se kjo iniciativë duhet rishqyrtuar.

“Tri shtetet anëtare dhe nismëtarët e “Ballkanit të Hapur” duhet ta rishqyrtojnë këtë iniciativë. Me deklaratat e fundit të liderëve serbë, pas situatës së re me agresionin rus, mund të them se situata ka ndryshuar. Nuk është i njëjti person me të cilin është biseduar dhe krijuar iniciativa. Ne nuk jemi kundër Serbisë, as si shtet, as si institucione, as si popull. Megjithatë tani sinjalet duhet të merren me kujdes. Serbia dëshiron dhe negocion për anëtarësim në BE, kurse Unioni ka një qëndrim të hapur ndaj agresionit rus dhe gjithashtu ka vendosur sanksione. Serbia nuk e ka ndjekur atë rrugë dhe për këtë duhet të kemi kujdes”, ka thënë Xhaferi.

Serbia, ndryshe nga shumica e vendeve të Evropës, nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Mos tërheqja e vendit nga kjo iniciativë mund të jetë edhe për shkak të lidhjeve tregtare dhe ekonomike midis dy vendeve. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, në periudhën janar – dhjetor 2021, sipas vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme, Republika e Maqedonisë Veriore tregton më së shumti me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Serbinë, Greqinë dhe Kinën.

Vlera e mallrave të importuara në Maqedoninë e Veriut gjatë periudhës janar – dhjetor 2021 është rritur për 30.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 11.389.548 mijë dollarë amerikanë.

Serbia gjithashtu do të eksportojë në vend 50 mijë tonë grurë dhe 25 mijë ton misër. Maqedonia ka sasi të mjaftueshme të misrit dhe grurit – pohojnë autoritetet pasi presidenti serb njoftoi se Serbia do të dorëzojë këto sasi me kërkesë të Maqedonisë së Veriut.

“Ata nga ne kërkuan që tu dorëzojmë 50 mijë tonë grurë dhe 25 mijë ton misër dhe ne mund t’i dorëzojmë menjëherë, nuk kemi asnjë problem me këtë. Ata blejnë misër nga ne dhe ne do të kemi gjithmonë për rajonin, për ne, për Maqedoninë e Veriut, për Malin e Zi, për Shqipërinë dhe për BeH”, tha Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Qeveria siguron se sasitë e kërkuara nuk janë nevoja të shtetit apo rezerva mallrash, janë në përputhje me planet vjetore të subjekteve ekonomike.

“Viti 2022 nuk ndryshon nga vitet e kaluara për sa i përket importit të grurit dhe misrit. Prodhimi vendor i grurit është 253 mijë tonë, kurse nevojat vjetore për grurë janë rreth 300 mijë tonë, që do të thotë se pjesa tjetër e grurit sigurohet çdo vit me import. Rreth 90% të grurit mullinjt tanë e importojnë nga Serbia. Sipas të dhënave të fundit, në vitin 2021 nga Serbia janë importuar 65 mijë tonë grurë dhe 54 mijë tonë misër”, njoftuan nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë.

Por problem tjetër që lind nga qëndrimi i politikës së jashtme të Serbisë, është fakti që përmes saj mbetet një derë e hapur tregtie për Rusinë në Ballkan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button