Dita botërore e kafshëve të egra: për gjysmë shekulli popullsia e gjitarëve, shpendëve, peshqve, amfibëve dhe zvarranikëve u përgjysmua

Rrëqebulli i Ballkanit, ariu i murrmë, ujku, çakalli, vidra, shkaba grifon dhe shkaba egjiptiane, gjarpërinjtë, hardhucat, breshkat, bretkosat, por edhe shumë bimë, zogj dhe kërpudha janë pjesë e Listës së Kuqe Kombëtare të Maqedonisë së Veriut. Sot Planeti e shënon Ditën Botërore të kafshëve të egra, ditë kjo që u vendos prej Kombeve të Bashkuara, e që sivjet shënohet duke e pas fokusin në nevojën për “Rikuperimin e specieve kyçe për restaurimin e ekosistemeve”, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Në ditën që mbarë Bota e përdor për të rritur ndërgjegjësimin për kafshët e egra dhe bimët në botë, përkujtojmë se në vend ka vetëm dyzet rrëqebuj ballkanik të rritur, megjithëse për mbijetesën e tij punohet aktivisht më shumë se një dekadë. Vendi tashmë i ka humbur dy lloje shkabash, kurse popullsia e shkabave kokëbardhëve dhe egjiptianëve është pothuaj e shkatërruar.

Fushata për mbrojtjen nga zhdukja e troftës së Ohrit ka vite që po vazhdon. Ekosistemet dhe habitatet natyrore të të gjitha këtyre specieve janë çrregulluar me dekada nga veprimet e shumta njerëzore, por edhe si pasojë e ndryshimeve klimatike. Ata rrezikojnë drejtpërdrejt mijëra lloje të kafshëve të egra.

Sipas të dhënave të Listës së Kuqe të Llojeve të Rrezikuara të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), më shumë se 8.400 lloje të faunës dhe florës së egër janë të rrezikuara në mënyrë kritike, ndërsa rreth 30.000 të tjera konsiderohen të rrezikuara ose të lëndueshme. Bazuar në këto vlerësime, sugjerohet se mbi një milion specie kërcënohen me zhdukje.

Organizata Botërore për Mbrojtje të Natyrës, me rastin e 3 Marsit – Ditës Botërore të Kafshëve të Egra, e vuri në pah rëndësinë e mbrojtjes së bimëve dhe kafshëve për ruajtjen e planetit.

“Arsyet e rënies së biodiversitetit janë të shumta, duke përfshirë degradimin e habitateve natyrore, përdorimin e tepruar të burimeve natyrore, ndryshimet klimatike, si dhe tregtinë e paligjshme dhe vrasjen e specieve të egra. Raporti i fundit për jetën në planet nga Organizata Botërore për Mbrojtje të Natyrës tregon se në 50 vitet e fundit, popullsia e gjitarëve, shpendëve, peshqve, amfibëve dhe zvarranikëve është ulur deri në 68 për qind”, tha përfaqësuesja e Organizatës Botërore për Mbrojtje të Natyrës  Adria, Iva Svilar.

Prandaj, siç tha Svilar, kujdesi për kafshët e egra dhe habitatet e tyre është i rëndësishëm. Kërcënimi për jetën e egër është një krim kundër natyrës, i cili përfshin gjuetinë dhe peshkimin e paligjshëm, vrasjen e specieve të mbrojtura, tregtinë dhe kontrabandën e paligjshme, si dhe kapjen dhe posedim i paligjshëm i kafshëve të egra.

Humbja e vazhdueshme e specieve, habitateve dhe ekosistemeve kërcënon tërë jetën në Tokë, duke përfshirë mbijetesën e njerëzve. Ata mbështeten kudo në kafshët e egra dhe burime që bazohen në biodiversitet për të përmbushur të gjitha nevojat e tyre, nga ushqimi te karburantet, ilaçet, strehimi dhe veshmbathja. Miliona njerëz gjithashtu mbështeten në natyrën si burim jetese dhe i mundësive ekonomike.

Këtë vit, Dita Botërore e Kafshëve të Egra duhet të nxitë debatin mbi nevojën për të ndryshuar fatin e specieve më të rrezikuara në mënyrë kritike, për të mbështetur restaurimin e habitateve dhe ekosistemeve të tyre dhe për të promovuar përdorimin e tyre të qëndrueshëm nga njerëzimi.

Dita Botërore e Kafshëve të Egra shënohet që nga viti 2013, në bazë të një vendimi të Kombeve të Bashkuara, kur Asambleja e Përgjithshme shpalli 3 Marsin si ditën e nënshkrimit të Konventës për Tregtinë Ndërkombëtare të Llojeve të Rrezikuara të Faunës dhe Florës së Egër (CITES).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button