Gjermania ia hap rrugën Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës

Gjermania e njeh Kosovën dhe do të votojë për pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare, ka thënë emisari i posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, që ia ka hapur rrugën Kosovës për aplikim për pranim në Këshillin e Evropës, pas suspendimit të përkohshëm të Rusisë, raporton Koha.net.

Në intervistën e parë pasi mori detyrën, Sarrazin ka thënë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se Gjermania është shtet që e mbështet plotësisht pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Pas suspendimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës janë shtuar gjasat që me dy të tretat e shumicës në këtë organizatë të votohet pro pranimit të Kosovës në të.

“Gjermania e ka njohur Kosovën. Sigurisht llogarisim që një shtet i njohur nga ne të përfaqësohet në organizata ndërkombëtare. Veçanërisht kur një, si Këshilli i Evropës, nënkupton një mbrojtje të madhe të të drejtave për qytetaret dhe qytetarët, edhe për minoritetet në Kosovë. Se kur është momenti i duhur për një aplikim, natyrisht se Qeveria e Kosovës duhet të vendosë”, ka thënë ai.

Ai ka kritikuar Serbinë që s’ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, si vendi i vetëm në Evropë krahas Bjellorusisë. Ka thënë se “s’është kohë për të qenë i pavendosur”.

“Është në interes të Serbisë për të qartësuar pozicionin”, ka thënë Sarrazini.

Sarrazini ka shprehur besimin se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

E ka quajtur interesant debatin mes ekspertëve nëse duhet të përshpejtohen hapat për procesin e zgjerimit të BE-së në kohën e luftës në Ukrainë. Megjithatë ka thënë se këto ide s’duhet të çojnë në dobësim të procesit të zgjerimit.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që BE-ja t’i përmbahet procesit të anëtarësimit me synim për pranim të plotë, sepse s’bëhet fjalë vetëm për integrim ekonomik, por për anëtarësim si bashkësi vlerash”, ka thënë ai.

Pos Gjermanisë, të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor kanë edhe Bashkimi Evropian me Miroslav Lajçakun, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Gabriel Escobarin dhe Britania e Madhe me Stuart Peach.

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare e themeluar në vitin 1949. Aktualisht i ka 47 shtete anëtare me popullatë rreth 820 milionë banorë e buxhet vjetor prej 500 milionë eurosh.

Presioni për aplikime për pranim në organizata ndërkombëtare dhe në NATO është shtuar ditëve të fundit që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës dhe Serbia vendosi të mos e sanksionojë sikur shtetet perëndimore.

Të enjten, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë që i kërkon Qeverisë të ndërmarrë menjëherë veprimet për dorëzim të kërkesës për anëtarësim në NATO, Bashkim Evropian, Këshill të Evropës e organizata tjera ndërkombëtare. Po ashtu me rezolutë është kërkuar që shteti t’u drejtohet me ftesë për njohje të pavarësisë pesë shteteve mosnjohëse në Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button