ANALIZË: Pensionistët aktualë do të marrin pensione më të larta – a do të ketë para për pensionistët e ardhshëm?

Shuma për pagesën e rregullt të pensioneve në nivel vjetor ka kaluar vlerën 1 miliardë euro. Qeveria pretendon se ka para për rritjen e pensioneve. Ekonomistët paralajmërojnë se nuk duhet neglizhuar qëndrueshmëria e sistemit shtetëror të pensioneve, sepse duhet të ketë pensione edhe për punonjësit aktualë që e mbushin arkën e Fondit përmes kontributeve, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Me çfarë parash dhe si do të rriten pensionet pa e prishur stabilitetin e FSPIM-së? 

Do të rritet numri i pensionistëve, do të rritet edhe shuma për pagesën e pensioneve…

Për pagesën e rregullt të pensioneve këtë vit do të shpenzohen pak më shumë se 1 miliardë e 40 milionë euro. Në Planin Strategjik të FSPIM-së për periudhën 2022 -2024, shuma për pagesën e pensioneve është pak më e lartë dhe arrin në 1 miliardë e 70 milionë euro.  Për pagesën e rregullt të pensioneve në FSPIM këtë vit nga buxheti qendror do të transferohen 489.000.000 euro. Kjo do të thotë se 47% e totalit të mjeteve të nevojshme për pagesën e rregullt të pensioneve financohen nga buxheti shtetëror. Të dhënat nga Plani Strategjik më i fundit i FSPIM-së tregojnë se në vitet në vijim do të rritet numri i pensionistëve dhe në këtë mënyrë do të rritet edhe shuma për pagesën e pensioneve.

Infografik

Rritja e shumës për pagesën e pensioneve është e pritshme në një situatë kur parashikohet rritje e numrit të pensionistëve – por lind pyetja se sa do të mbeten mjetet aktuale të planifikuara për pagesën e pensioneve në nivelin e parashikuar duke pasur parasysh rritjen e paralajmëruar të pensioneve, por edhe korrigjimet e tjera të mundshme në vitet në vijim.

Vitin e ardhshëm krahasuar me këtë vit numri i pensionistëve do të rritet për 4.000 pensionistë të rinj, ndërsa në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 rritja do të jetë për 3.900.

Çdo rritje pensionesh e “ringjall” çështjen e qëndrueshmërisë së FSPIM-së 

Me çfarë parash do të “financohet” rritja e pensioneve? Sipas Qeverisë, ka para dhe rritja nuk do ta prishë stabilitetin e Fondit shtetëror të pensioneve. Sipas disa ekonomistëve, në kushtet e krizës financiare dhe energjetike, kur mbulohen “gropat” në sektorin e energjisë, kur planifikohen subvencione për rritjen e rrogës minimale, rritja e pensioneve do të thotë detyrimisht një shpenzim të ri buxhetor. Ku do të mbështetet Qeveria për të siguruar mjete financiare – huamarrje të re, rritje të tatimeve, gjegjësisht të kontributeve në të ardhmen apo rritje të ekonomisë që do të thotë të ardhura më të larta buxhetore?  Sipas ekonomistëve, kur bëhet fjalë për pensionet në paketë me qëndrueshmërinë e Fondit shtetëror të pensioneve, duhet përcaktuar një model i saktë, e mund të konsiderohet edhe rritja e moshës së pensionimit, si një nga mënyrat për ta amortizuar rritjen e numri i shfrytëzuesve të rinj të pensioneve.

“Tani është koha të mendojmë për të ardhmen.” Këtu konsideroj se në 12 vitet e ardhshme duhet të mendojmë të rregullojmë moshën e pensionimit në ligj, që të tërhiqet një muaj përpara, pas së cilës synimi përfundimtar do të ishte arritja e moshës së pensionimit nga 6465 vjeç pas 12 vitesh. Kjo mund të jetë një nga zgjidhjet për sigurimin e stabilitetit të fondit pensional nga i cili duhet t’i presin pensionet dhe punonjësit aktualë. Mendoj se aktualisht në vendin tonë shumë herët dilet në pension në krahasim me Evropën dhe vendet e rajonit” – thotë profesori universitar, Nikolla Popovski.

Në prag të negociatave për rritjen e pensioneve, zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi tha se ka para për pensione më të larta.

“Për pensionet, FSPIM-ja ka siguruar mjete financiare për rritjen e mundshme. Nuk kemi pse të shqetësohemi se do të marrim nga diku për t’u dhënë pensionistëve. Pensionistët janë të siguruar duke pasur parasysh se ka mjete të mjaftueshme në FSPIM” – deklaroi Bytyqi.

Sipas Qeverisë, edhe në kohën e krizës së pandemisë, ka një trend të rritjes së të ardhurave për shkak të lëvizjes së ekonomisë dhe të rrogave, gjë që ofron bazë për rritjen e pensioneve. Sipas njoftimeve për ndryshimin e modelit të rritjes së pensioneve, analizat kanë treguar se rritja duhet të jetë graduale, gjegjësisht ata që kanë pensione më të ulëta të marrin më shumë, ndërsa ata që kanë pensione më të larta të marrin shumën përkatëse më të ulët.

VMRO DPMNE-ja opozitare sërish i ka vënë në tryezë propozimet – njëri për rritjen lineare të pensioneve për 3,000 denarë dhe e dyti, për rritjen e pensioneve për 20%.

Sipas modelit aktual – pensionet korrigjohen dy herë në vit në raport me përqindjen e inflacionit, e cila vitet e fundit ishte e shumë e ulët, dhe për këtë arsye pensionistët nuk mund të ndjenin një rritje të ndjeshme të pensioneve. Por, ky model, sipas disa ekonomistëve, i ofroi FSPIM-së një stabilitet të përkohshëm financiar dhe e zvogëloi varësinë e Fondit nga buxheti i shtetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button