Kuvendi i Kosovës e miratoi Rezolutën që dënon agresionin rus në Ukrainë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutë “në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në seancën e cila nisi me pankarta “We Stand With Ukraine” (Ne jemi me Ukrainën), morën pjesë mbi 90 deputetë ndërsa të gjitha grupet parlamentare, përjashtuar Listën Serbe, u pajtuan që pika e rendit të ditës mbi rezolutën për Ukrainën, të mbahej në fillim të seancës parlamentare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha nga agresioni rus po dëmtohet një botë e qytetëruar e nëse nuk veprohet kundër kësaj, e ardhmja e përbashkët e secilit rrezikohet.

Përpos agresionit rus, kryeministri kosovar tha se e dënojnë edhe mosreagimin e këtij agresioni nga ana e Serbisë.

“Ne e dënojmë edhe mosdënimin e agresionit rus nga fqinji ynë verior Serbia dhe mosvënien e sanksioneve. Pozicioni edhe-edhe duke tentuar të luajë qendrën e dyfishtë dhe me Moskën edhe me Brukselin, edhe me Washingtonin edhe me Pekinin, është pozicion edhe me autokracinë edhe me demokracinë. Por, ndaj agresionit të Rusisë e pushtimit të Ukrainës nuk mund të ketë neutralitet për vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE)”, tha Kurti.

Ai kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga 5 shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë bërë si dhe anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në NATO.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se Kosova e kupton dimensionin tragjik se me çfarë po përballet populli ukrainas përballë agresionit rus për shkak se Kosova ende i ka të freskëta përjetimet e luftës së vitit 1999.

Krasniqi rikujtoi në seancë se nga Qeveria e Kosovës kanë kërkuar që ajo të ndajë edhe një fond të veçantë për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve ukrainas, duke ndërmarrë iniciativa që në rast nevoje të mundësojë strehimin e 5.000 qytetarëve ukrainas të shpërngulur nga lufta.

“Me këtë rezolutë Kosova e formalizon rreshtimin e saj të drejtë dhe të duhur krahas demokracive evropiane dhe botërore duke kundërshtuar, dënuar dhe refuzuar logjikën e agresionit ushtarak ndaj rendit demokratik, ndaj sovranitetit të një vendi demokratik dhe ndaj vlerave demokratike mbi të cilat qëndron liria e një vendi”, tha Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku tha se Kosova natyrshëm u rreshtua me botën demokratike në situatën e krijuar në Ukrainë.

Ai tha se Kosova si vend i vogël nuk mund të ndikojë në ngjarje me përmasa të mëdha, mirëpo mund të ndikohet nga to.

Abdixhiku tha se Kosova i njeh edhe tendencat e shtetit të vetëm pro-rus në Evropë, Serbisë.

“Fqinji ynë verior do të mbetet në anën e errët të historisë si mbështetës i vetëm i agresionit rus. Refuzimi për rreshtim me politikat e jashtme të sigurisë me BE-në, i një vendi kandidat për anëtarësim po në këtë BE, është tregues më shumë për komunitetin ndërkombëtar sesa për ne i ekzistencës së një shteti destabilizues në rajon”, tha Abdixhiku.

Deputeti Igor Simiq nga Lista Serbe ka thënë se Serbia është kundër çdo lloj të konfliktit dhe se Ballkani ka nevojë për paqe, megjithëse ka përjetuar shumë vuajtje në të kaluarën.

Ai u bëri thirrje deputetëve që me fjalimet e tyre të mos nxisin tensione dhe të jenë përgjegjës në mbrojtjen e paqes në Ballkan, ndërsa gjatë votimit të rezolutës Lista Serbe lëshoi sallën duke mos marrë pjesë në votim.

Në fillim të kësaj seance deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje për viktimat në Ukrainë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button