Geer dhe Bomgartner: Dialogu me Bullgarinë, reformat akoma kusht për fillimin e negociatave të RMV-së me BE-në

Dialogu me Bullgarinë dhe realizimi i reformave janë akoma kushti kryesor për Maqedoninë e Veriut për fillimin e negociatave para-qasëse për anëtarësim në BE, thanë ambasadori i BE-së David Geer dhe ambasadori francez Cyril Bomgartner në konferencën e sotme për shtyp në selinë e BE-së në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Duke njoftuar për hapat e BE-së në mbështetje të Ukrainës, në pyetjet e gazetarëve nëse situata në Ukrainë do të përshpejtonte integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, ata theksuan se rajoni mbetet me interes strategjik për Unionin dhe kujtuan konkluzionet e liderëve evropianë në takimin e Bërdos para disa muajsh.

“Situata në Ukrainë nënvizon rëndësinë e partneritetit të ngushtë me BE-në dhe vlerën e Maqedonisë së Veriut si anëtare e NATO-s. Ne kemi interes të fortë strategjik për ta parë Maqedoninë e Veriut anëtare të BE-së, por duhet të bëni reforma”, thanë zyrtarët e BE-së, duke theksuar se vendi ynë ka bërë përparim të dukshëm.

Në lidhje me dialogun me Bullgarinë dhe mundësinë e anëtarësimit në BE, u tha se të dyja palët duhet të lihen që vetë të arrijnë zgjidhje. “T’i lejojmë që procesi të zhvillohet në kushtet më të mira të mundshme”, thanë ambasadorët.

Dyshja e ambasadorëve hodhi poshtë kategorikisht krahasimet mes marrëdhënieve ruso-ukrainase dhe atyre bullgaro-maqedonase, siç thuhej në rrjetet sociale, duke thënë se ndryshe nga qasja agresive e Moskës dhe integriteti territorial i cenuar i Ukrainës, Bullgaria ishte ndër shtetet e para që e njohën Maqedoninë dhe e mbështetën në NATO, si dhe ndihmuan në evakuimin e njëzet qytetarëve të Maqedonisë nga Ukraina.

Lidhur me mundësinë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të hyjnë në një pako të shpejtë me Ukrainën për BE-në, u tha se për Ukrainën liderët evropianë akoma duhet të vendosin për hapat e ardhshëm dhe se procedurat për çdo anëtarësim janë të qarta, ndërsa vendimet i sjellin liderët e Unionit.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button