Boçvarski: Nesër do të hapet shpallje publike për shpërndarjen e 70 banesave sociale në Gostivar

Familjet e rrezikuara sociale nga Gostivari nga nesër do të mund të aplikojnë për banesë në ndërtesën e banesave sociale. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve njoftoi shpalljen publike për shpërndarjen e gjithsej 70 banesave në ndërtesën sociale në Gostivar, tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski, transmeton Portalb.mk.

Shpallja publike do të zgjasë deri më 4 prill dhe të drejtë aplikimi kanë gjashtë kategori familjesh në nevojë sociale, të përcaktuara me Metodologjinë për shpërndarjen e këtij lloji të ndërtesave sociale.

Sipas kritereve do të mund të aplikojnë fëmijët pa prindër të cilët deri në 18 vjet kanë qenë në kujdes të institucioneve për fëmijë pa prindër, shfrytëzues të ndihmës sociale të garantuar, persona të goditur nga fatkeqësi elementare-natyrore, persona me invaliditet dhe familje me ndonjë person me invaliditet, persona pjesëtarë të bashkësisë rome, me rrezik social sipas strategjisë për romët, prindër vetëushqyes me fëmijë të vegjël.

Të gjitha dokumentet duhet të dorëzohen në Qendrën Ndërkomunale për Punë Sociale në Gostivar.

Përveç se në këtë ndërtesë, ministri Boçvarski tha se është duke u përgatitur thirrje publike për shpërndarjen e banesave në 3 objekte sociale në Probishtip, Sveti Nikollë dhe Vinicë.

Drejtori i SHA për objekte banesore dhe afariste Kristijan Trajkovski theksoi se me Bankën janë duke u zhvilluar negociata intensive për realizimin e fazës së dytë të Projektit për ndërtimin e objekteve sociale në komunat tjera në vend, i cili duhet të fillojë vitin e ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button