Muzikantët e Ukrainës bëhen gazetarë lufte dhe mbledhës të fondeve ushtarake

Fundjavën e kaluar, Olga Korolova u largua nga shtëpia e saj në Chernihiv, Ukrainë, me vajzën e saj, qenin e saj dhe çdo gjë që mund të fuste në dy çanta, shkruan BBC, transmeton Portalb.mk

“Po vozisja si e çmendur. Pashë një bombë dhe në trurin tim, gjithçka që mund të mendoja ishte, ‘ik për shkak të foshnjës’.” tha Olga.

Ajo voziti për orë të tëra, duke kaluar përfundimisht kufirin në Poloni ku, po atë natë, kishte një koncert.

Një nga techno DJ-të më të mira të Ukrainës, Korolova hodhi listën e saj të seteve dhe luajti muzikë ekskluzivisht nga artistë të tjerë ukrainas.

“Po qaja në skenë. Unë po luaja dhe po qaja. Ishte dalja më e vështirë e jetës sime, por e dija me siguri se duhej të bëja diçka.” u shpreh ajo.

Korolova ia dhuroi tarifën e saj ushtrisë ukrainase dhe shoqatave bamirëse që ndihmonin njerëzit e zhvendosur nga konflikti. Natën tjetër, ajo organizoi një mbledhje të veçantë fondesh në kanalin e saj në YouTube.

Faqja e saj në Instagram, dikur ishte përplot me fotografi magjepsëse me udhëtime dhe me foto të klubeve të natës, tani aty ajo ndan përditësime nga Ukraina dhe pamjet e pushtimit rus.

Qëllimi i saj është t’u tregojë fansave – veçanërisht tifozëve rusë – shkallën e shkatërrimit.

“Jam e tronditur që populli rus nuk po e sheh të vërtetën. Është sikur janë në Korenë e Veriut, pa informacion. Fansat e mi nga Rusia, më dërgojnë mesazhe duke thënë: “Nuk është e vërtetë. Është një gënjeshtër. Të gjitha postimet tuaja janë gënjeshtra”. Ata nuk duan ta shohin atë.” tha ajo.

Korolova nuk është vetëm. Skena muzikore e gjallë dhe e lulëzuar e Ukrainës është bërë një lloj lajmesh jozyrtare, duke dokumentuar konfliktin për një audiencë që mund të mos jetë e lidhur me kanalet tradicionale të lajmeve.

“Të gjithë tani po i drejtohen audiencës së tyre në mediat sociale. Ne po përhapim informacione për ngjarjet në qytete, duke u përpjekur t’u afrojmë rusëve për të shkuar në mitingje, duke u thënë atyre se kjo është lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.” thotë këngëtarja popullore Khrystyna Soloviy.

Në të gjithë YouTube, qindra artistë ukrainas kanë zëvendësuar imazhin e vogël në videot e tyre me një foto të flamurit të vendit, mbivendosur me fjalët: “Ndërsa po shikoni këtë video, populli ukrainas po vdes nga sulmi rus. Ndalo.”

Në Facebook, Svyatoslav Vakarchuk, frontmeni i grupit ukrainas të rok Okean Elzy, po publikon çdo orë në lidhje me konfliktin. Në një video, ai po viziton ushtarët e plagosur në spital; në një tjetër ai është me një jelek antiplumb, duke mbajtur një fjalim në rrugët e Kharkiv; në një tjetër, ai po dërgon ushqim dhe karburant në Kiev me makinën e tij.

“Unë jam një person i njohur në këto territore dhe po përpiqem ta përdor këtë [pozitë] dhe të bëj gjithçka që mundem.” thotë ai.

Okean Elzy, ai është padyshim këngëtari më i dashur i vendit, ekuivalenti i Bruce Springsteen ose Paul McCartney në Perëndim dhe tërhoqi audiencën më të madhe të koncerteve të Ukrainës në vitin 2014. Më e rëndësishmja, ai është po aq i njohur në Rusi dhe ka shumë ndjekës nga atje.

Ai thotë se po përdor të gjithë kapitalin e tij kulturor për të ndryshuar mendjen e njerëzve për konfliktin aktual.

“Tashmë është tepër vonë për të dërguar vetëm mesazhe për fansat. Tani, unë jam duke folur kryesisht me njerëz si nënat e ushtarëve [rusë] – dhe u shpjegoj atyre se nëse nuk i ndalojnë fëmijët të shkojnë në luftë, ata do t’i kthejnë këta fëmijë në pako. Ne duhet të apelojmë ndaj instinkteve të tyre.” thotë ai.

Ndërsa DJ Korolova thotë se dëgjuesit rusë kanë qenë rezistent ndaj mesazheve të tilla; Eugene Abdukhanov i grupit metalcore Jinjer ka pasur një përgjigje të ndryshme.

“Kam marrë disa mesazhe nga tifozët tanë rusë, duke kërkuar falje dhe duke thënë se ata janë padyshim kundër kësaj. Unë nuk kam marrë asnjë mesazh të zemëruar nga pala ruse, duke u përpjekur ta justifikoj këtë”, thotë ai nga rrethi juglindor i Kievit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button