Pritshmëri të vogla nga bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës

Rusia dhe Ukraina do të diskutojnë për armëpushimin në rundin e dytë të bisedimeve, që do të mbahet më 3 mars.

Palët do të takohen në rajonin perëndimor të Bjellorusisë, Brest, por duket se midis tyre ka pak të përbashkëta, transmeton REL.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha për Reuters-in dhe CNN-in se Rusia duhet t’i ndalojë bombardimet e qyteteve ukrainase, përpara se të nisin bisedimet për armëpushim.

Vladimir Medinsky, i cili është ndihmës i presidentit rus, Vladimir Putin, tha se përveç armëpushimit, do të diskutohet edhe çështja e një korridori humanitar në Ukrainë.

Presidenca ukrainase konfirmoi se delegacioni i saj është “në rrugë” për në vendin e ngjarjes.

Palët u takuan edhe të hënën, por pa ndonjë rezultat.

Planet për rundin e dytë të bisedimeve erdhën pas izolimit gjithnjë e më të madh të Rusisë nga Perëndimi.

Të mërkurën, shumica e vendeve në botë u rreshtuan kundër saj në Kombet e Bashkuara, duke i kërkuar tërheqjen e trupave nga Ukraina.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë jodetyruese, që e dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë.

Ndërkohë, forcat ruse raportohet se janë duke vazhduar bombardimet në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button