Xhaferi: “Ballkani i hapur” duhet rishqyrtuar

Iniciativa “Ballkani i Hapur” duhet të rishqyrtohet deklaroi mbrëmë në TV21 kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, transmeton Portalb.mk.

“Tri shtetet anëtare dhe nismëtarët e “Ballkanit të Hapur” duhet ta rishqyrtojnë këtë iniciativë. Me deklaratat e fundit të liderëve serbë, pas situatës së re me agresionin rus, mund të them se situata ka ndryshuar. Nuk është i njëjti person me të cilin është biseduar dhe krijuar iniciativa”, ka thënë Xhaferi.

Në emisionin “Click Plus”, Xhaferi gjithashtu theksoi se Maqedonia e Veriut nuk është kundër Serbisë.

“Ne nuk jemi kundër Serbisë, as si shtet, as si institucione, as si popull. Megjithatë tani sinjalet duhet të merren me kujdes. Serbia dëshiron dhe negocion për anëtarësim në BE, kurse Unioni ka një qëndrim të hapur ndaj agresionit rus dhe gjithashtu ka vendosur sanksione. Serbia nuk e ka ndjekur atë rrugë dhe për këtë duhet të kemi kujdes. Kuptohet, jo për t’i dhënë fund marrëdhënieve, por të jemi të kujdesshëm. Domethënë, edhe një herë ne nuk jemi kundër Serbisë, por jemi kundër karakteristikave të autoriteteve që nuk kanë ndjekur udhëzimet e BE-së”, tha Xhaferi.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk do të tërhiqet nga “Ballkani i Hapur”, pavarësisht qëndrimit të Serbisë për mosvënie të sanksioneve ndaj Rusisë, ashtu siç ka bërë Perëndimi duke përfshirë edhe Shqipërinë apo dhe vetë Maqedoninë e Veriut për shkak agresionit të saj ndaj Ukrainës. Sipas autoriteteve të RMV-së, qëndrimi i Serbisë ndaj situatës në Ukrainë, është çështje e brendshme e saj.

“Si Serbia, ose cili do vend tjetër, se çfarë qëndrimi do të marrë në lidhje me agresionin ndaj Ukrainës është çështje e saj e brendshme.  Me Serbinë kemi marrëdhënie të shkëlqyera miqësore mes dy shteteve dhe dy popujve dhe kemi konstatuar intensifikimin e bashkëpunimit, veçmas në planin ekonomik në dy vitet e fundit”, thanë ditë më parë për Portalb.mk nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Sipas tyre, “Ballkani i Hapur” për të dyja shtetet është kontribuues në bashkëpunimin rajonal të shteteve, nëpërmjet zbatimit të vlerave evropiane.

“Ballkani i Hapur” kontribuon në thellimin e bashkëpunimit, me hapjen e mundësive për konkurrencë më të madhe rajonale të tregut evropian dhe të tregjeve tjera botërore dhe në pjesën e tërheqjes së investitorëve të huaj. Rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore është e rëndësishme në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në rajon dhe Evropë”, shtuan nga Qeveria.

Serbia, ndryshe nga shumica e vendeve të Evropës, nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Edhe Shqipëria nuk e ka ndërmend të largohet nga “Ballkani i Hapur” për shkak të qëndrimit të Serbisë ndaj Rusisë.

“Ne nuk kemi pasur mungesë informacioni në politikën e jashtme të Serbisë kur kemi nisur këtë proces. Nuk kemi pritur të sulmohet Ukraina që të zbulojmë lidhjet e Serbisë me Rusinë. Nga informacioni paraprak që kam marrë, është se presidenti i Serbisë është shprehur për integritetin territorial të Ukrainës. Sa i përket ecurisë së Ballkanit të Hapur kjo është çështje që pret dhe nuk kemi asnjë urgjencë për të nxjerrë konkluzione jo vetëm në raport me Serbinë por për mënyrën si do zhvillohet ky proces”, tha kryeministri Edi Rama më 25 shkurt.

Paraprakisht, në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministër ishte Zoran Zaev, Maqedonia e Veriut gjithashtu refuzoi që të tërhiqet nga “Ballkani i Hapur” për shkak zhvillimeve në veri të Kosovës, ku për më shumë se tetë ditë, serbët bllokuan vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur masa reciprociteti mbi targat e automjeteve të Serbisë. Asokohe, Zaev, tha se mbështet dialogun mes dy vendeve.

Krahasuar me ngjarjet në veri të veriut, situata është shumë më serioze, duke e pasur parasysh se përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell  më 27 shkurt tha se kriza në Ukrainë mund të përhapet edhe në vende tjera, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

Frika nga përhapja e krizës para se gjithash është për në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë, dy shtete të cilat kanë mosmarrëveshje me aleatin numër një të Rusisë në Ballkan, Serbinë.

Bosnja dhe Hercegovina për shkak Republikës Serbe, ndërkaq Kosova për shkak mosvënie në kontroll të veriut. Të dyja shtetet e refuzojnë të bë pjesë e “Ballkanit të Hapur”, pasi sipas tyre me këtë fuqizohet Serbia. Ata e mbështesin pjesëmarrjen në procesin e Berlinit.

  • Dita e parë e konfliktit, lexo KËTU
  • Dita e dytë e konfliktit, lexo KËTU
  • Dita e tretë e konfliktit, lexo KËTU
  • Dita e katër e konfliktit, lexo KËTU
  • Dita e pestë e konfliktit, lexo: KËTU
  • Dita e gjashtë e konfliktit, lexo: KËTU
  • Dita e shtatë e konfliktit, lexo KËTU
  • Dita e tetë e konfliktit, lexo KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button