fbpx

Mielli, produkti më i kërkuar edhe në Maqedoninë e Veriut

Fari Imeri thotë se tashmë dy ditë kërkon miell, por nuk arrin të gjejë në shitoret e Shkupit. Në dyqanet më të mëdha, thotë ai, miell ka por me çmim më të lartë.

“Dje me vëllain kërkuam të blejmë miell po edhe vaj, por raftet janë të zbrazëta, duket se i kanë fshehur shitësit vetëm që të risin çmimet, pra t’i nxjerrin në raft kur çmimet do të jenë më të larta.

Shteti s`ka kurrfarë kontrolli ndaj çmimeve. Shitësit luajnë si të duan me popullin. Ata që janë në Qeveri hanë mish qengji, për popullin nuk mendon askush”, thotë Fari Imeri nga Shkupi, i cili me familjen e tij katëranëtarëshe jeton me ndihmë sociale.

Nga e marta, 1 mars në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë për kufizimin e marzhës tregtare të produkteve ushqimore bazë, përkatësisht diferencës mes çmimit të blerjes dhe shitjes deri në fund të majit.

Në bazë të këtij vendimi kufizohen fitimet nga tregtia me shumicë në 5 për qind, ndërsa tek ato me pakicë fitimet më të larta të këtyre produkteve mund të jenë 10 për qind.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i ka porositur qytetarët që në asnjë mënyrë të mos kenë frikë nga mungesa e ushqimit sepse shteti disponon rezerva të mjaftueshme të mallrave, megjithëse ka theksuar se është në dijeni që tregtarë të caktuar i kanë rritur çmimet.

“Kemi informacione se disa prodhues i kanë rritur çmimet, por çmimet e bukës janë prej 25 deri 30 denarë, këtë mund ta vërejnë edhe qytetarët. Sot është dita e parë, në dy-tri ditët në vijim të gjithë do t’u kthehen çmimeve që janë të parapara me vendim”, ka theksuar Bekteshi.

Marzha tregtare vlen për produktet bazë ushqimore që përfshin bukën, sheqerin, kripën, miellin, vajin, qumështin dhe produktet e tij, mishin e freskët, orizin, vezët, pastat, grurin dhe frutat e perimet.

Të gjithë ata që do të shkelin këtë masë do të gjobiten nga 800 deri në 10.000 euro, varësisht nga lloji i biznesit.

Daut Jakupi, i cili është shitës në një dyqan të produkteve ushqimore në Shkup thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk bëhet fjalë në asnjë mënyrë për fshehje të produkteve ushqimore siç pretendojnë qytetarët, por nga paniku, një pjesë e madhe e qytetarëve ditëve të fundit kanë blerë më shumë miell dhe produkte bazë ushqimore.

Dauti thotë se është rritur çmimi i miellit në shitoren e tij pasi edhe ai me shumicë e siguron me një çmim më të lartë.

“Qytetarët ia kanë mësyrë blerjeve, pasi kanë frikë se tani nuk do të këtë miell pasi Ukraina si shtet është prodhuesi më i madh i grurit. Tani, këto dy ditët e fundit për 100 denarë (1.6 euro) kushton më shumë një thes miell prej 25 kilogramësh”, thotë ai.

Ramadan Veseli, kryetar i mullisëve në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se vendi nuk është i varur në asnjë mënyrë nga gruri i Ukrainës.

Mungesën e miellit ai e lidh me bllokimin e çmimit të miellit.

“Qeveria maqedonase bëri ngrirjen e disa produkteve ushqimore ku bën pjesë vaji, sheqeri mielli etj. dhe ne mullisët ishim të prekur nga ky vendim për shkak se me vendim të Qeverisë u bë ngrirja e miellit që ne e shesim në markete, por nuk u bë ngrirja e lëndës së parë, grurit, se sa e blejmë ne në Serbi. Kështu që ne pësuam humbje të mëdha. Qeveria, në rastin e marrjes së vendimit për ngrirjen e çmimit duhet edhe të na i kompensojë neve, si mullisë, humbjet që kemi”, thotë Veseli për REL-in.

Ai njëherësh potencon faktin se në kohë krize gjithmonë nga paniku rritet kërkesa për sigurimin e produkteve bazë, e në krye të listës gjithmonë mbetet buka, në rastin konkret mielli.

“Shumica e qytetarëve mendojnë se gruri apo mielli vijnë nga Ukraina apo Rusia, ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut nuk hyn as edhe një kilogram i vetëm, as nga Rusia e as nga Ukraina. Maqedonia e Veriut ka prodhimin e vet dhe atë 45 për qind që i mungon, e merr nga Serbia për dallim nga Shqipëria, e cila furnizohet me grurë nga Rusia përmes detit”, thotë Veseli.

Ndërkohë, edhe drejtuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut që javën e kaluar kërkuan që urgjentisht të takohen me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, për të bërë ndryshime në marzhën tregtare, si dhe në listën e produkteve të përfshira në të.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button