Europa nuk është si më parë…

I përcjell me shqetësim ngjarjet në Ukrainë. E njoh ndjenjën e të qenit në zonë lufte. Aty nuk pret lajme të mira. E njoh frikën e fëmijëve dhe frikën e prindërve për fatin e fëmijëve. E di se shumë gjëra që i ke patur të rëndësishme, kalojnë në plan të dytë. Në plan të parë është mbijetesa.

Se çfarë mund të ndodhë në Ukrainë, këtë nuk di ta them. Nuk jam ekspert çështjesh ndërkombëtare. As fallxhor i fateve të njerëzve dhe kombeve.

Si shumëkush tjetër, e di se e drejta është në anën e kombit ukrainas, i cili e mbron vendin e tij, e mbron sovranitetin, integritetin territorial, demokracinë, kurse Rusia është agresore. Ajo nuk dëshiron asnjë shtet demokratik, veçanërisht pranë saj. Aleatët e Putinit janë diktatorë dhe autokratë.

Ukraina tani është vendi ku mbrohen vlerat themeltare të qytetërimit perëndimor, që rrezikohen nga autoritarizmi.

Kryetari ukrainas, Volodymyr Zelensky, që reagon si lider i vërtetë, është një hero jo vetëm i vendit të tij, por i gjithë Europës, prandaj përshëndetet me duartrokitje nga përfaqësuesit europianë. Ndërkohë, po përfaqësuesit europianë largohen nga salla kur flet me video ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov. Sepse Rusia nuk flet me gjuhën e diplomacisë, por me gjuhën e armëve.

Nga kombi ukrainas, që e ka fituar simpatinë e botës, mund të mësojmë mbi guximin qytetar për mbrojtjen e vendit dhe vlerave të demokracisë perëndimore. Kombi ukrainas po dëshmon se është i gatshëm për çdo sakrificë në mbrojtje të lirisë. Ky komb na jep leksionin e madh për të tashmen dhe të ardhmen e Europës. Ukraina është pasqyra ku bota demokratike duhet ta sheh vetveten. Ukraina e ka ndryshuar edhe qasjen europiane për sigurinë. Askush më nuk mund të thotë se në Europë lufta është e pamundur.

Europa sot është e bashkuar për shkak të Ukrainës. Ashtu siç nuk e kishte pritur Putini, i cili, sipas portalit “Politiko”, bëri diçka të jashtëzakonshme – e krijoi Europën më unike prej se ra Muri i Berlinit. I bëri bashkë edhe liderët që ishin “aleatë tradicionalë të Putinit”, kurse vetë u bë “armiku i përbashkët i Europës”.

Europa e përçarë ka qenë Europë e dobët, që i mbivendoseshin krizat. Këtë e kishin paralajmëruar para shumë vitesh mendjet më të mençura të saj. Ata kërkonin që ajo të kishte një strategji globale për problemet e sigurisë dhe ekonomisë; ta “lexonte” kohën e re dhe të bazohej në thënien e Hölderlinit: “Ku rritet rreziku, rritet ndjenja për shpëtim”. Ndarjet brenda BE-së e trimëruan presidentin rus, ashtu siç e tronditi uniteti i shteteve europiane.

A mund të kemi destabilitet edhe në Ballkanin Perëndimor?

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Joseph Borrell, e paralajmëroi se Rusia mund të ndërmarrë veprime për të destabilizuar Bosnjë e Hercegovinën dhe Ballkanin Perëndimor.

Rusia nuk do t’i sulmojë vendet e Ballkanit Perëndimor me bomba, raketa e tanke, por mund të krijojë kaos nëpërmjet strukturave të instaluara në rajon. Virusi i padukshëm mund të sulmojë pjesët e sëmura të këtyre shoqërive.

Aleati më besnik i Rusisë është Serbia. Ajo njihet për agresione në vendet e rajonit. Tani bën kinse e mbron integritetin territorial të Ukrainës (sepse mendjen e ka te Kosova), por është kundër sanksioneve ndaj Rusisë. Kësi qëndrimesh shpesh i janë toleruar nga faktori ndërkombëtar. Tani e tutje zor se do të ndodh. Sipas bashkëkryesuesit të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, Card Bildt-it, me këtë qëndrim Serbia u diskualifikua nga anëtarësimi në BE.

“Nuk duhet të ketë vend për anëtarët e rinj që nuk ndajnë vlerat dhe interesat tona themelore”, ka shkruar ai.

Lideri kryesor i Republika Serpskas, Milorad Dodik-u, nuk e fsheh qëndrimin pro – rus. Ai pati bisedë telefonike edhe me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrovin. Se çfarë kanë biseduar vetëm mund ta marrim me mend. Partitë serbe në Mal të Zi gjithashtu janë pro ruse. Në Maqedoninë e Veriut, për dallim nga politika zyrtare, pala maqedonase ka simpati për Putinin. Shqiptarët janë në anën e duhur të historisë.

Pas kësaj që ndodh në Ukrainë, BE duhet ta ndryshojë qëndrimin dhe të jetë më e hapur ndaj disa vendeve të rajonit, me qëllim që të bëhen sa më shpejt anëtare të saj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button