Historia e Putinit me nënën e tij mund të jetë tërësisht e sajuar nga ai, presidenti rus disa herë ka gënjyer

Gazetarët e kanë për detyrë të informojnë lexuesit bazuar në fakte dhe të paraqesin fotografin e plotë të lajmeve dhe jo vetëm pjesët që nxjerrin bukur dhe ngjallin emocione në lidhje me një politikan të caktuar. Në “InfoShqip” është publikuar një histori për presidentin rus, Vladimir Putin, që sipas të gjitha gjasave është sajim i vetë Putinit. Këtë e thonë ekspertët e komunikimit duke u bazuar në faktin që ai të njëjtën histori e ka treguar disa here, në verzione të ndryshme, shkruan Portalb.mk.

Në “InfoShqip” në rrjetin-social Fejsbuk përmes një historie personale të presidentit rus Vladimir Putin, portretizohet figura e këtij të fundit si njeri emocional dhe pozitiv.

“Gjatë luftës së dytë botërore një ushtar rus mori leje për ta vizituar familjen e tij. Kur arriti afër lagjes së tij pa se kamionët ushtarak trasportonin dhjetra kufoma për në varrezat kolektive dhe e kuptoi se lagjja e tij ishte bombarduar” shkruan në mes tjerash në shkrimin që e recensojmë.

Kjo nuk është plotësisht e vërtetë

Në mënyrë që ky shkrim të duket sa më i besueshëm, është përdorur autoriteti i Hilary Clintonit, por, deklarata e kësaj të fundit nuk është cituar plotësisht saktë, por janë përzgjedhur vetëm fjalët që i kanë konvenuar autorit.

Është e saktë se Clintoni ka thënë se këtë histori ia kishte treguar presidenti rus Vladimir Putin në vitin 2012, megjithatë, ajo kishte shtuar se nuk i beson tërësisht kësaj historie dhe se nuk ka mundësi që ta verifikojë vërtetësinë e saj.

“Natyrisht që nuk kam asnjë mënyrë për të verifikuar historinë e Putinit, por e kam menduar shpesh. Për mua, ajo hedh pak dritë mbi njeriun që është bërë dhe vendin që ai qeveris. Ai gjithmonë ju vë në provë, gjithmonë duke i shtyrë kufijtë.” ka thënë Clinton.

Kjo histori ka gjasa të jetë mit, Putin e ka treguar disa herë – në verzione të ndryshme!

Në autobiografinë e presidentit rus Vladimir Putin, ai të njëjtën histori e kishte treguar në verzion shumë të ndryshëm, në vitin 2000.

Përkundër verzionit të parë ku thotë se babai i tij kishte shpëtuar nënën e tij që gabimisht e kishin vendosur në rresht me kufomat tjera, në autobiografinë e tij, Putin thotë se babai i tij ka qenë në luftë gjatë gjithë kohës se nuk ka pasur shansë të shoh nënën e tij apo të kujdeset për të.

Ka dhe disa kontradikta tjera mes asaj që ka treguar dhe shkruar Clintoni në autobiografinë e vitit 2000 dhe deklarimeve publike të Putinit për këtë histori. Për të lexuar më detajisht për të njejtat, klikoni KËTU.

Përkundër kësaj, portalet të cilat kanë publikuar këtë histori nuk janë interesuar për të verifikuar vërtetësinë e saj, dhe kjo nuk është në pajtim me standardet profesionale gazetareske për shkak se tregon një fotografi jo të saktë të një historie specifike.

Në një kolumnë për The Times në vitin 2014, publicisti dhe historiani britanez, Ben Macintyre hedh dyshime mbi pretendimet e Putinit duke deklaruar se mund të jetë një “gjysmë e vërtetë që politikanët e thonë kur duan të manipulojnë të kaluarën për të krijuar të tashmen”.

Kjo nuk është hera e parë që Putin gënjen

Jo më larg se disa javë më herët, Vladimir Putin ka gënjyer në lidhje me pushtimin e Ukrainës, këtë e kishte konfirmuar edhe ish-zëdhënësi i presidentit rus në një intervistë për BBC.

Gjatë intervistës për BBC, Sergei Markov tha se “Putin ndaloi së treguari të vërtetën” në lidhje me Ukrainën, për shkak se vendimi për ta pushtuar veçse ishte marrë.

Gjithashtu, Putin gënjen me vetë faktin që agresionin ndaj Ukrainës dhe sulmin ndaj civilëve në Kiev dhe qytetet tjera e quan si “operacion special ushatrak për shpëtimin e Donbasit”.

Gazetarët të kenë kujdes, të mos bien pre e propogandave të politikanëve

Informacionet të cilat nuk janë objektive dhe përdoren të ndikojnë në mendimin ose sjelljen e njerëzve për përmbushjen e një agjende, kryesisht politike, por jo vetëm, konsiderohet të jenë propagandë.

Propagandat zakonisht përdorin mesazhe emocionale dhe jo-racionale, në qoftë se vini re, e gjithë historia e rreme e Putin është bazuar në emocione, në mënyrë që lexuesit të preken në ndjenjat e tyre dhe të mos e vendosin trurin në funksion.

Shpesh herë, gazetarët bien pre e propagandave të ndryshme të politikanëve nga fakti se nuk kanë informacione të mjaftueshme se në fakt, informacioni që e plasojnë nuk ka të bëje me të vërtetën. Kjo praktikë do të parandalohej në qoftë se gazetarët do të verifikonin informacionet e tyre para se të vendosin t’i plasojnë ato.

Ndryshe, meqenëse Putin dhe ekipi i tij i PR shpesh herë ka lozur me këtë histori dhe e ka treguar në forma të ndryshme, kjo mund të konsiderohet edhe si shtrembërim apo të njohur në Doracakun e Crithink si “SPIN”, që është teknikë propagandistike që përfshin paraqitjen e një historie sipas interesit të njërës palë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button