Baba Vangja nuk është burim kredibil për shkrime që lartësojnë figurën e Putinit

Nuk është profesionale të publikohen artikuj të cilat ngjallin emocione te lexuesit, sidomos në situata të jashtëzakonshme ndërkaq burimi i vetëm i tyre të jetë dikush që pretendon se parasheh të ardhmen. Lajmi të cilin e recensojmë një „parashikim” të Baba Vangjës e publikon si punë të kryer dhe kjo aspak nuk mund të llogaritet si informatë e denjë për opinionin. Gjithashtu, duke publikuar predikime të tilla, lartësohet pa nevojë figura e presidentit rus, Vladimir Putin dhe kështu me apo pa dashje media i bashkëngjitet propagandës ruse, shkruan Portalb.mk. 

Titulli jashtëzakonisht sensacional, sidomos në një kohë ku qytetarët janë gjithë sy e vesh nga mediet për të kuptuar se çfarë po ndodhë me situatën në Ukrainë, “predikon” se Putin do të sundojë botën.

“Putin do të sundojë botën”, BOMBA nga Baba Vanga: Ja ç’do ndodhë më pas” është titulli i lajmit që e recensojmë.

Më pas, i gjithë lajmi është i bazuar në predikimin e predikueses bullgare e njohur si Baba Vangja dhe në të përfshihen informacione të cilat thuajse është e pamundur të verifikohen si të vërteta apo të pavërteta, por që ngjallin panik te masa.

“Dy sundimtarët më të mëdhenj të botës do të shtrëngojnë duart, tha profetesha, duke shtuar se nuk do të kishte paqe në botë derisa të vinte “i teti” dhe shumë e panë Putinin në të” shkruan në lajmin që e recensojmë.

Shkenca: E ardhmja nuk mund të predikohet!

Deri tani, përkundër zbulimeve të mëdha shkencore ende nuk është zbuluar një mjet me anë të së cilit do të predikohej e ardhmja, andaj çdo informacion i cili pretendon të kundërtën është i pavërtetë dhe në kundërshtim me faktet shkencore.

Një ndër pyetjet themelore që gazetarët duhet të ja parashtrojnë vetes para plasimit të lajmeve është se “Në çfarë argumenti bazohet lajmi?” dhe në qoftë se arrijnë t’i japin përgjigje logjike kësaj pyetje, mund të thuhet se lajmi posedon elementet bazë për publikim.

Në rastin konkret, në momentin që ka deklarata të tilla të cilat ngjallin emocione te lexuesit dhe mund të shkaktojnë panik, gazetari duhet patjetër të përdorë edhe burime tjera (të paktën dy reciproikisht të pavarura) në mënyrë që të verifikojë informacionet e plasuara. Në këtë rast, përveç pjesës mistike apo asaj që ngjall interes, është dashur të vendosen edhe faktet shkencore në lidhje me (pa) mundësinë e predikimit të të ardhmes si dhe informacione shtesë në lidhje me temën konkrete.

Si recensues të këtij lajmi, konstatojmë se i njëjti nuk ka prani të fakteve në të, lajmi nuk është i saktë dhe burimet nuk janë të verifikuara, pretendimet e predikues të së ardhmes nuk janë gjithmonë të besueshme por shpesh herë mund të kenë ndikim negativ te lexuesit.

Gazetari i këtij artikulli ka përdorur teknikën e manipulimit “Thirrja në mundësi”, duke shfrytëzuar faktin se ka njerëz që besojnë se në të kaluarën, predikuesja e të ardhmes, e ashtuquajtura Baba Vangja ka pasur të drejtë në disa predikime dhe duhet patjetër të ketë të drejtë edhe kësaj radhe.

Meqenëse bëhet fjalë për të ardhmen, është e vështirë që artikulli lartë të demantohet me fakte të kundërta, andaj, një ndër teknikat tjera të manipulimit që ka përdorur autori është “thirrja për mungesën e provave të kundërta”.

Ndryshe, përveç analogjisë false, autori gjithashtu ka shfrytëzuar edhe situatën e jashtëzakonshme në botë me luftën Rusi-Ukrainë për të plasuar lajme sensacionale të cilat kanë lidhshmëri me këtë dhe padyshim që ngjallin interes te lexuesit, edhe pse shpesh herë nuk janë të sakta dhe janë sensacionale, si në rastin konkret.

Të mos lihet anash dhe fakti që me publikimin e kësaj informate, presidenti rus, Vladimir Putin automatikisht vëndoset në piedestal si lider botëror dhe kjo nuk është etike, posaçërisht duke pasur parasysh faktin që ai aktualisht ka udhëruar sulm agresioni ndaj Ukrainës. Duke publikuar predikime të tilla, të marra nga mediat serbe, lartësohet pa nevojë figura e presidentit rus, Vladimir Putin dhe kështu me apo pa dashje media i bashkëngjitet propagandës ruse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button