“MOR KUMAK ME GJASHTË PETALE”

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

“MOR KUMAK ME GJASHTË PETALE”

Parvjet në Pallankë vdiq njëri prej miqve të mirë nga ndejat e shumta. Me të u varrosën decenie të tëra të sevdasë, të verës smederevase, të netëve pa gjumë dhe ëndrrave të parealizuara. Vështirë do ta ketë brezi i ri ta kuptojë atë kënaqësi në netët e kaluara pa gjumë kur çarçafi i zi i errësirës lëshohet mbi shtëpitë e qeta të qytetit të përgjumur ose kur agimet gazmore i skuqin të gjitha këndet e horizontit. Tryezat e lagura me verë, sytë gjysmë të mbyllur… Violinës së maestros iu këput një tel. Diku në lagje kërcëlloi një derë. Matanë, në një dritare valëzoi perdja, e shpejt e mbuloi dorën e bardhë lakuriqe dhe bleun e lëvarur të flokëve të pakrehur. Kurse shoqëria e lodhur nga derti dhe dhembja e paqartë për kalueshmërinë e gjërave, e mbështetur në bërryla mbi tavolinë dhe ulur në karrige këndon ngadalë një këngë të moçme. Dihej kënga e  secilit, prandaj i ndjeri e kishte lënë me gojë që te varri ta këndonin këngën e tij. E kur goditjet e dheut përmbi arkivol e nisën lamtumirën e fundit, shokët ia morën këngës: “Mor kumak me gjashtë petale, mor kumak…”

Të gjitha këto melodi të mallëngjyeshme me ndonjë grimcë poezie në fjalët e tekstit kishin domethënien e një kohe të tërë. Në Beligrad ende aty-këtu dhe deri-diku mund të ndjehet kjo atmosferë te “Tre sheshirat”, te Kaja, këngëtarja, në periferi. Kurse te “Luksori”, te “Pallasi”, te violinisti i parë Gjula, te ajo femra nga Peshta që vallëzon tango për mrekulli e me pasion, kjo kohë është tretur më. Nuk kanë mbetur aty as format kalimtare. Këto lëvizje janë krejt tjera, të ndryshme për nga përmbajtja e asaj historie të lashtë. E pyesin kumakun pse vyshket dhe pse është i pikëlluar, a mos ia ha gjarpri rrënjën. Kurse ai përgjigjet se nuk është ky shkak, po:

Dy vetë ç’më janë dashuruar,
Përmbi mua janë mbështetur…

E nga kjo mbështetje… Mirëpo kjo shtypje është shprehur më mirë se shtypja në tango. Vetëm kur të nisë bota të kthehet përmes formave të ndryshme, ndoshta, t’i kthehet po atij kumakut naiv, mirë është t’i kujtojmë ato ditë. T’i kujtojmë kohët e fundeve të gjata dhe vajzërisë së shkurtër, të luleve të thata dhe të kujtimeve të freskëta, lekturës romantike dhe punës së rëndë në shtëpi. Ndoshta sot i dukeni qesharakë vetvetes për shkak se para se t’i mbushni njëzet vjet e keni kapërcyer Gangun para syve të Lekës së Madh, para Milloshit në moshën njëzetvejeçare e keni marrë hakun për Kosovën, kurse në moshën tridhjetëvjeçare para arkëtarit e keni nënshkruar listën e rrogës prej 66 dinarëve e 66 parash (Vini re si mundohet autori ta glorifikojë serbizimin. Shën. i përkth.). Mirëpo kjo është kohë e rrogave të vogla dhe entusiazmit të madh të rinisë suaj, prandaj mbetet kujtimi i mirë. Ajo kohë është me siguri më e mirë se kjo kohë me të ardhura të mëdha e me synime të imëta.

– Merrja, të lutem, i thotë një vizitor një anëtari të xhaz-bendit, atë… Ama e di ti atë, e ke dëgjuar… Atë: “Kalin e mirë, o pullali…”
Kurse orkestra ia merr “shimit”.
Kështu kaloi tragjikisht klithma e fundit e pasardhësit të fundit të Stanoje Glavashit.
Ndërkaq edhe tash mirë më kujtohen tregimet e gjyshit për pushimet kur shkonim në fshat. I kishin rënë shtëpisë sonë në konak në Kërnjevë, në Jasenicën e Smederevës, disa turq. Njëfarë pashai i madh paska pasë qenë diku me ushtrinë e atëherë kthehej. E komandant i madh paska qenë ai, se kushdo që ardhka t’i lajmërohej, rënka në gjunjë para tij. Dhe, atëherë ushtria paska mbetur diku afër udhës së Stambollit, ndërsa ai paska ardhur në fshat. Stërgjyshi menjëherë i paska çuar të gjithë njerëzit e shtëpisë në mal, kurse rreth shtëpie e deri në Kragujevc e përtej deri në Beligrad paska pasë qenë pyll. Mal. Pashën e paska pasë vendosur në dhomë të flejë, ndërsa ai paska mbetur jashtë t’u shërbejë gavazëve të pashës. Gavazi ndenjka në shtëpi të zjarrit në shkam pranë vatrës dhe pika duhan. Kështu do të ndenjka zgjuar gjithë natën e lume e do të bëka roje. Edhe ai edhe stërgjyshi. Jashtë qetësi dhe yjet.
Dikur, në njëfarë kohe turku thotë:
– A mos ke raki, ore?
– Kam.
– Po sille!
Stërgjyshi e marrka një enë të madhe, shkuaka te fuçia dhe e mbushka. Turku pika dhe heshtka. Nikoqiri ndonjëherë e shporitka zjarrin dhe u larguaka.
Kur aty kah mesnata dera hapet me rrëmbim dhe brenda futet një njeri. Në kokë paska pasur kallpak, kurse sytë të çelur, një vijë të ashpër midis vetullave, mustaqet të varura thuaja deri mbi supe, i fortë dhe në brez alltinë. Dorën e djathtë e paska pasur në jataganin e madh, kurse në dorë të majtë paska mbajtur pushkën e gjatë. Mëngët e gjëra të gunës të përveshura, e i mbathur me opinga. Qenka ndalur ky farë njeriu dhe paska shikuar rreth e më rreth, në shtëpi.
Turku bëhet dyllë në fytyrë, çohet në këmbë, e vë dorën në kraharor, e përkulet:
– Mirëmbrëma Stanoje!
E kishte njohur.
Glavashi hyn dhe i drejtohet stërgjyshit.
– Mirëmbrëma! Prej nga të doli ky këtu?
Dhe, ai i shpjegon copa-copa, duke bëlbëzuar, pastaj del prapa gavazit dhe i palon duart. E kjo do të thoshte: “Aman, mos e nguc! Se përndryshe më shkoi shtëpia, shkoi edhe fshati së bashku me gjelin e fundit në të…”
Glavashi ktheht të ulet dhe turku ia jep karrigen me një lëvizje shërbyesi, dhe largohet e  ndalet të shërbejë. Kështu situata ndërron për një çast.
– Do t’i thuash pashait, ia nis Glavashi, që ushtria udhës mos t’i ngucë të varfrit!
– Siurdhëro, Stanoje.
– Se nëse ndodh ndryshe, nuk do të dilni lehtë në Kragujevc…
– Siurdhëro, Stanoje.
– Ulu tash, të pimë së bashku!
– Po s’ka nevojë, jo…
– Ulu, kur të them!

Dhe turku ulet. Pinë së bashku. Jashtë qetësi dhe yjet. (Glorifikim i trimërisë serbe, në shërbim të propagandës e cila edhe sot e kësaj dite nuk ka ndryshuar fare. Shën. i përkth.).
Kur e pinë një enë të madhe, arrin tjetra. E mat Glavashi dhe e shikon gavazin përballë. Ende një rast i tillë s’i kishte ndodhur – ta ketë turkun aq afër, e të mos mundet ta therë (Psikologjia serbe: thika, kama, therja… Shën. i përkth.). Pastaj e vë dorën në jatagan. Ai e lëshon dorën, kurse stërgjyshi i lutet: “Mos!” Dhe kështu bëhet deri para se të zbardhë drita. Atëherë ngrihet Stanoja. Stërgjyshi çohet ta përcjellë, e edhe ai ia mbath malit përpjetë.
Kur vijnë kalorësit në mëngjes dhe e përcjellin pashën, gavazi ndalet edhe pakëz.. E merr një un (zjarri), e fut në kashtë të pullazit dhe ia jep flakën shtëpisë, e shkon.
Dhe prej Stanoje Glavashit ka gjithsejt njëqind vjet (e s’ka as pesëmbëdhjetë vjet prej çlirimit të këtij Shkupit tonë) (Merreni me mend: e paskan “çliruar” Shkupin “e tyre”! Shën. i përkth. Po kjo erdhi shumë shpejt: shimi, makiazhi, Pitigrili, fundet përmbi gjunjë, “Si do të ruhet gruaja prej shtatzënisë”, rërat, plazhet, dekoltetë, dansi, cigaret, “Unë e im shoq i kemi dhënë liri të plotë njeri-tjetrit”, soirées libres (net të lira), kinematë “vetëm për të rritur, “biblioteka intime”… Shumë shpejt po ndodhin këto gjëra: ende jemi popull i ri. Një vjet sa ka kaluar prej vdekjes së nënës së Kujunxhiçit.

O sa shpejt kaluan ditët midis Glavashit dhe dendive të Beligradit. Dhe, me çka janë këta pasardhësit e tij?
Mor kumak me gjashtë petale, u tret koha jonë. Ose ende ka nëna siç ishte ajo nëna e atij komandantit të armatës, e cila derisa mësonte i biri në gjimnaz të Kragujevcit, i sillte në këmbë çdo të shtune teshat e lara nga Gornji Milanovci?

Ose dashnoret tona të para. Kur ia keni zgjatur dorën me një trëndafil, kurse faqet e saj bëheshin më të kuqe se trëndafili… Pastaj ato këngë të moçme kur Dylber Jegda flinte në kopsht, kurse i dashuri i saj i lumtur e zgjonte: “Tash do të shkojnë të gjithë fisnikët në kishë, e do të më shohin, shpirt – mua edhe ty…” Shantiçi, pastaj, ishte i detyruar ta mbrojë vashën para nënës: “Bilbili këndonte nga një degë, diku…” Mirëpo Jegda edhe atë natë ledhatimi duhej të ishte shumë e bukur dhe borë e bardhë në lakuriqësinë e saj si ajo kurtizana e Floberit në “Nëntor”. Megjithatë gjithë ajo pasuri ruhej vetëm për shikimet e të dashurit të saj.
Jegda e sotme gjithë këtë dëshiron t’ia ofrojë shikimit të gjithkujt, në çdo rrugë.
Tjetër kohë është tash, o kumak, lule e vyshkur e kohëve të moçme…

LEXO PJESËN PARAPRAKE: NË QYTETIN E VDEKUR 3

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button