RMV, debati onlajn për rininë dhe klimën: Hapat e vegjël sjellin ndryshime të mëdha dhe të rëndësishme

Pse, nga aspekti i të rinjve, është me rëndësi të zvogëlohet ndikimi i ndryshimeve klimatike dhe si përballet vendi ynë me ndryshimet klimatike, por edhe çfarë duhet të bëjnë autoritetet dhe qytetarët për të zbutur ndikimin e ndryshimeve klimatike”, folën pjesëmarrësit në një debat onlajn në temë ” Ngrohja globale kërkon veprim, si mund ta përballojnë të rinjtë të ardhmen? që u organizua dje nga Fondacioni Metamorfozis, e në kuadër të projektit “Lajme të besueshme për rini të aftësuar”, transmeton Portalb.mk.

Në onlajn debatin morën pjesë përfaqësues të qeverisë, shoqërisë civile, si dhe aktivistë të rinj të cilët luftojnë për një të ardhme më të gjelbër.

Maqedonia e Veriut është vend i ri dhe ne e kuptojmë rëndësinë e të rinjve në marrjen e të gjitha vendimeve në vend, veçanërisht në fushën e ndryshimeve klimatike. Askush nuk e kupton krizën klimatike më mirë se ata dhe askush nuk është më i shqetësuar, tha në fjalën e tij hyrëse Naser Nuredini, Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, i cili e hapi ngjarjen.

“E ardhmja jeni ju – fëmijët dhe nipërit tanë. Ne si qeveri e kemi për detyrë t’i ndërmarrim masat dhe hapat e nevojshëm për parandalim dhe t’i përshtatemi të ardhmes me të cilën do të përballemi nesër. Gjithpërfshirja juaj është më e rëndësishmja. Pjesëmarrja juaj në ngjarje si kjo sot dhe shkëmbimi i mendimeve janë ato që do të drejtojnë politikat tona për të ardhmen. Prandaj duhet përfshirja që të dëgjohet zëri juaj, kurse ne si ministri do t’ju dëgjojmë. Puna jonë e përbashkët është vendimtare për gjetur zgjidhje apo të ngecim në fushën e ndryshimeve klimatike që po ndodhin, por edhe për t’iu përshtatur situatës me të cilën do të përballemi në një të ardhme të afërt. Dhe kur them e ardhme, mendoj në ju. Po flasim për të ardhmen tuaj”, tha ministri Nuredini.

Ministri vuri në pah se vendi është i përkushtuar që deri në vitin 2030 të reduktojë emetimet e gazeve serrë për 51 për qind, që është reduktim neto prej 82 për qind.

“Gjatë përgatitjes së këtij kontributi të rishikuar, i kushtuam vëmendje të veçantë konsultimit me të rinjtë. U zhvilluan punëtori, konsultime në një ueb-platformë të posaçme për grupet rinore, aktivistët dhe palët e tjera të interesuara. Si rezultat, ne, si ministri me përgjegjësi për të propozuar politikat klimatike, i morëm parasysh parimet kryesore që u përmendën nga të rinjtë për veprimin e duhur klimatik – mendim afatgjatë, gjithëpërfshirje, besim, transparencë, qasje praktike dhe holistike”, tha Nuredini.

Për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe për përgatitjen e vendeve të gjelbra të punës, nevojitet arsimim përkatës në të gjitha nivelet, shtoi Nuredini.

“Kjo kërkon jo vetëm zhvillim të kurrikulave, por edhe edukim të stafit pedagogjik. Prandaj, në Ligjin e ri për Veprim Klimatik, të cilin po e përgatisim, e kemi paraparë obligimin që aspektet klimatike të futen me të gjithë sektorët, strategjitë dhe planet, duke përfshirë arsimin në të njëjtin nivel me ato për energjetikën dhe bujqësinë”, ka shtuar Nuredini.

Të rinjtë e kanë fuqinë për t’i bërë ndryshimet

Është jashtëzakonisht me rëndësi si do të sillen të rinjtë për t’i zvogëluar efektet dhe për ta përmirësuar reagimin ndaj ndryshimeve klimatike, tha Bojana Stanojevska-Pecurovska nga Qendra për Ndryshime Klimatike.

“Të rinjtë janë ata që e kanë fuqinë për të bërë ndryshime, ata i pranojnë që sfidat e ndryshimeve të qëndrueshme të shprehive dhe praktikave të tyre personale të ndodhin më shpejt. Të rinjtë janë një hallkë kyçe në uljen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, duke pasur parasysh faktin se ngrohjen globale po e përjetojmë gjithnjë e më shumë – përqendrimi i ndotësve në ajër prej kohësh është mbi kufijtë e lejuar, thatësirat dhe valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të zakonshme dhe fatkeqësisht përballjen me to në të ardhmen duhet ta bëjnë ata (të rinjtë)”, tha Stanojevska-Pecurovska.

Vendi ynë aktualisht është duke krijuar politika për të miratuar strategji shumë ambicioze, por na duhen edhe dokumente për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike, që është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin tonë, duke qenë se pasojat e ndryshimeve klimatike në Maqedoni ndjehen veçanërisht.

Bojana Stanojevska- Pecurovska, Qendra për Ndryshime Klimatike / foto: Prinskin
Bojana Stanojevska- Pecurovska, Qendra për Ndryshime Klimatike / foto: Prinskin

Stanojevska-Pecurovska shtoi se të rinjtë në të ardhmen do të kenë rolin vendimtar në sektorin e biznesit dhe për këtë arsye është me rëndësi që kompanitë të përfshihen në luftën kundër ngrohjes globale.

“Kompanitë mund të kontribuojnë ndjeshëm duke aplikuar efikasitetin energjetik, duke përdorur burime të rinovueshme të energjisë nëse është e mundur, duke e aplikuar konceptin e ekonomisë rrethore (cirkulare), duke përdorur shërbime që emetojnë më pak dyoksid karboni. Njëkohësisht, është shumë me rëndësi që ato të kenë mbështetje financiare dhe këshillimore nga shteti në mënyrë që këto masa t’i zbatojnë në punën e tyre”, shtoi Stanojevska-Pecurovska.

Por si të tërhiqet vëmendja e të rinjve?

Vendimmarrësit krijojnë politika, por të rinjtë janë ata që duhet t’i ndjekin ato politika dhe për këtë arsye duhet të përfshihen në procesin e vendimmarrjes. Por të rinjtë shpesh nuk janë të interesuar për bashkëpunim dhe për këtë arsye duhet të punohet në sensibilizimin, por edhe në ofrimin e mjeteve përmes të cilave ndryshimet klimatike do të jenë më afër të rinjve, tha Milla Jovanovska, kryetare e shoqatës “Go Green”.

“Duhet lavdëruar çdo përpjekje që bëhet nga institucionet për t’i ftuar të rinjtë por, për fat të keq, shpesh ndodh që ata të hasin në mosinteresim sepse të rinjtë nuk janë mjaft aktivë ose nuk e njohin mjaftueshëm këtë temë. Ne si organizatë rinore aktiviste ekologjike po punojmë vazhdimisht për t’i ndërgjegjësuar ata për problemin, por edhe për t’iu dhënë mjete aktivizmi që  t’i njohin ato thirrje nga institucionet. Sado që institucionet t’i hapin dyert dhe të dëshirojnë të bashkëpunojnë me të rinjtë, detyra jonë si sektor i shoqërisë civile është t’u mundësojmë të rinjve t’i njohin ato mundësi dhe të përfshihen në ato procese”, tha Jovanovska.

Ajo shtoi se, sipas përvojës së “Go Green”, përfshirja e të rinjve duhet të bëhet nëpërmjet një qasjeje moderne dhe inovative, gjegjësisht nëpërmjet asaj që i rrethon dhe ku të rinjtë janë më aktivë.

Milla Jovanovska, "Go Green" / foto: Printscreen
Milla Jovanovska, “Go Green” / foto: Printscreen

“Në Planin e veprimit thuhet se deri në vitin 2030 si vende pune të gjelbra do të mundësohen deri në 8000 vendwe, ndërsa deri në vitin 2035 do të jenë 10000 vende pune. Nëse marrim se një i ri në vitin 2030 pas përfundimit të fakultetit do të jetë rreth 25 vjeç, rezulton se sot ai i ri është regjistruar në vitin e parë të gjimnazit. Nëse tani e informojmë atë gjeneratë me problemin e ndryshimeve klimatike dhe rëndësinë e arsimit, mund t’i drejtojmë që të orientohen drejt këtyre profesioneve që do të nevojiten, kryesisht në energjetikë, efikasitet energjetik dhe burime të rinovueshme të energjisë”, shtoi Jovanovska.

Për ndryshime nevojitet një person, të tjerët do ta ndjekin

Në onlajn debatin morën pjesë edhe Angela Busheska dhe Naser Veliu, aktivistë dhe delegatë rinorë, të cilët ishin pjesë e samitit “Rinia për Klimën – Liderët e Ambicieve” që u mbajt në Itali para Konferencës Globale për Klimën KOP 26 vitin e kaluar.

Busheska ndau përvojat e saj nga ky samit, ku u krijua një deklaratë, që duhej të jetë zëri i të rinjve në negociatat për ndryshimet klimatike në KOP26.

“Këtë vit do të thosha se pjesëmarrja e të rinjve ishte revolucionare sepse për herë të parë ekzistonte një dokument që u vendos në tryezë. Shpresoj se nuk ka mbetur vetëm dokument, por kryesia e KOP 26 së bashku me delegatët për klimën dhe të gjitha qeveritë do ta kenë parasysh atë dokument kur të marrin vendime”, tha Busesheska.

Ndryshimet klimatike tashmë janë gjithandej rreth nesh dhe në vitet e ardhshme ndikimi i tyre do të bëhet më i dukshëm, është e prerë Busheska.

Angela Busheska / foto: Printscreen
Angela Busheska / foto: Printscreen

“Pavarësisht se cili është pozicioni ynë në shoqëri, ne mund të sjellim një lloj ndikimi pozitiv në çdo mënyrë, sepse ne bartim njëfarë ndikimi çdo ditë, kështu që ndikimet e vogla negative ne mund vetëm t’i  kthejmë në ndikime të vogla pozitive dhe do të doja t’u them të gjithë të rinjve të mos ndalen, sepse e vetmja zgjidhje këtu është që të gjithë të jemi të zëshëm. Vetëm në atë mënyrë mund të sjellim ndryshime gjatë këtij procesi të vështirë të luftës kundër ndryshimeve klimatike”, porositi Busheska.

Naser Veliu, i cili gjithashtu ishte pjesë e samitit të të rinjve në Itali, tha se ishte e mrekullueshme të shihje të gjithë të rinjtë të ulur në të njëjtën tryezë dhe duke folur për tema serioze që kanë të bëjnë me të ardhmen e tyre. Veliu është gjithashtu pjesë e organizatës rinore “EYO!” (Organizata Rinore Mjedisore).

“Ne jemi e ardhmja, ne jemi ata që duhet të flasim për këtë temë. Ne jemi njerëzit më kompetentë që mund të flasim për të ardhmen që do të na ndjekë ne dhe brezat e ardhshëm. Çdo ndryshim fillon me ne. Ne jemi faktori kryesor për të mbajtur ritmin dhe si të rinj duhet ta fillojmë këtë. “Duhet të ngremë zërin, të jemi aktivë, të jemi ata që do të flasim për ne dhe të ardhmen tonë, të hamë më gjelbër, të udhëtojmë gjelbër, të jetojmë më gjelbër”, theksoi Veliu.

Ne të gjithë duhet të ndërmarrim hapa të vegjël që do të kontribuojnë në ndryshime të mëdha dhe të rëndësishme. Nevojitet të fillojë vetëm një prej nesh”, shtoi ai.

“Të gjithë thonë se kemi rini që nuk njihet si shumë aktivë, e cila nuk kanë shumë njohuri se çfarë do të thotë të jesh aktiv. Të jesh aktiv do të thotë pikërisht këtë – që njëri prej nesh duhet të fillojë. Duhet vetëm një person për të filluar diçka. Të tjerët do të ndjekin të parin”, porositi Veliu.

Si shembull ndryshimi pozitiv, Veliu përmendi “lockdown-in” në mbarë botën në fillim të pandemisë kovid-19.

Naser Veliu / foto: Printscreen
Naser Veliu / foto: Printscreen

“Gjatë pandemisë, të gjithë qëndronin në shtëpi dhe ndryshimet klimatike u zbutën. Sipas disa burimeve, 17% e emetimeve të dyoksidit të karbonit u reduktuan derisa kishte ” lockdown” dhe ky është një ndryshim jashtëzakonisht i madh. Pse të mos vazhdojmë këtë mënyrë jetese apo diçka të ngjashme?”, tha Veliu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button