Të dëmtuarit nuk do të dëmshpërblehen

Pronarët shqiptarë të objekteve që u shkatërruan dhe dëmtuan në protestat e dhunshme në Gjorçe Petrov, nuk do të dëmshpërblehen.

Edhe pse nga disa nga të arrestuarit e MPB-së, u liruan me kusht dhe u dënuan me vlerë parash prej 700 euro, ato para nuk do të shkojnë në llogaritë e pronarëve të dëmtuar.

“Të kapurit janë nxjerrë para gjykatës dhe disa prej tyre janë mbajtur në paraburgim kurse disa të tjerë janë liruar me kusht duke paguar kështu gjobë në para. Sa i përket objekteve të dëmtuara, pronarët duhet të konsultohen me kompanitë e sigurimit, për të marrë dëmshpërblim apo të riparohen”, tha për Portalb Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Juristi Nazmi Maliqi thekson se në këtë rast kur shteti nuk paguan dëmshpërblim, pronarët duhet të ngritin padi kundër shtetit.

“Mbrojtja e pronës ekziston dhe nëse këta persona të dëmtuar financiarisht nuk dëmshpërblehen atëherë ata do të duhet të ngrenë procedurë dhe të padisin Qeverinë, sepse ata nuk janë fajtor në gjithë këtë ngjarje dhe atyre duhet kompensuar dëmi i bërë”, tha për Portalb Maliqi.

Pronarët shqiptar biznesi i të cilëve rrezikohet të shuhet shkaku i dëmeve të mëdha, janë pesimist sa u përket ndihmave dhe dëmshpërblimit që mund të ju japë shteti.

“Disa herë jemi sulmuar dhe asnjëherë nuk kemi marrë asnjë ndihmë. Por kësaj radhe dëmi është shumë i madh. Tani dyqani im është tërësisht i djegur dhe për të rihapur duhen shumë para të cilat unë nuk i kam. Biseduam me kryetarin  komunës dhe ai na tha që të padisim shtetin, por nuk e shoh edhe këtë gjë të dobishme. Askush nuk na ka ndihmuar asnjëherë dhe nuk besojmë që do të na ndihmojë kësaj radhe”, tha për Portalb Sefer Izairi, pronar i “Sena Turs”. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button