Fondacioni Shoqëri e Hapur ka siguruar 3 mijë bursa për romët

Projekti i USAID për arsimimin e romëve (PAR) i zbatuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur Maqedoni (FSHM) e mbajti sot ngjarjen përfundimtare të projektit dhjetëvjeçar. Rreth 3 mijë romë të ri përmes projektit në fjalë kanë përfituar bursa dhe kanë marrë mbështetje në sferën e arsimit.

“Ju jeni shembull për tjerët, si arsimtarë, avokat, mjek apo aktivist për të drejtat e njeriut. Ju kontribuoni për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë dhe jeni dëshmi e gjallë se cikli i varfërisë dhe i çkyçjes mund të ndërpritet. Edhe pse projekti merr fund zyrtarisht, mbetet qëllimi afatgjatë i cili është integrimi i plotë i romëve në këtë shoqëri” tha mes tjerash, ambasadori i Amerikës në Maqedoni, Paul Wohlers.

USAID ka punuar me rreth 1 mijë familje romësh dhe tani një pjesë e tyre marrin pjesë aktivisht në aktivitetet shkollore dhe janë pjesë e Këshillave të prindërve në Bordin e shkollës. Rreth 450 arsimtarë nga shtatë shkolla fillore në Shkup, Kumanovë dhe Prilep janë trajnuar për metodat interaktive të mësimdhënies, për të drejtat sociale dhe plane zhvillimore shkollore.

Në dëshmitë e tyre, shumë arsimtarë pohojnë se këto trajnime kanë kontribuuar për zbutjen e paragjykimeve nëpër shkolla. Mbështetja e përditshme e dhënë nga projekti me aktivitetet plotësuese shkollore, me anë të bursave, mbështetja mentorike dhe akademike kanë ndikuar që të ritet për 20% numri i romëve që nuk e lëshojnë procesin arsimor ndërsa 97 student kanë marrë diploma.  /Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button