Axhenda e KE-së për statusin e Shqipërisë

Shqipëria është më afër se kurrë marrjes së statusit kandidat. Zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian janë shprehur optimistë në lidhje me këtë vendim, ku sipas tyre Këshilli Evropian pritet të ndezë dritën jeshile për Tiranën zyrtare. Megjithatë, pritet që vendimi të bazohet te realizimi i reformave të përcaktuara nga KE-ja dhe theksi është vënë te lufta kundër korrupsionit. Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, eurodeputetët e Parlamentit Evropian kanë shprehur pakënaqësinë rreth klasës tonë politike, të cilët vazhdimisht kanë transferuar konfliktet dhe në Bruksel.

Ditën e sotme, televizioni “A1 Report” ka zbardhur axhendën e Komisionit Evropian në qershor, në lidhje me vendimin për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Kështu mësohet se në datën 3 qershor, Komisioni Evropian do të publikojë progres-raportin e Shqipërisë. Pas kësaj, më 4 qershor, Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fyle do të zhvillojë një vizitë me takime të nivelit të lartë në Tiranë.

Ndërkohë, që vendimi përfundimtar për marrjen ose jo të statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, Komisioni Evropian do ta japë më 23 qershor. Vendimi për marrjen e statusit të vendit kandidat për vendin, vjen pas shtyrjes së këtij vendimi në dhjetor, pasi sipas KE-së kishte akoma punë për t’u bërë nga Shqipëria në luftën ndaj korrupsionit, sistemit të drejtësisë etj.  Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian ishin të ndarë në qëndrimet lidhur me propozimin e Komisionit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, pavarësisht se të gjithë njohin përparimin e bërë. Pesë shtete anëtare të BE-së, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Holanda dhe Danimarka kërkuan që të shtyhej vendimi për marrjen e statusit nga Shqipëria./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button