Tetovë, Lumi Shkumbin me vite në pritje të zgjidhjes, Komuna e Tetovës: Rregullimin e shtratit e kemi në plan këtë vit

Gjendja e Lumit “Shkumbin” assesi të rregullohet, autoritetet deri më tani nuk kanë punuar mjaftueshëm për të gjetur zgjidhje konkrete për problemet të cilat hasen vazhdimisht aty. Autoritetet deri tani kanë intervenuar vetëm sipërfaqësisht, ndërsa ajo që mund të shihet sot atje është shtrat i ngushtuar dhe mbeturina të shumta. Komuna e Tetovës premton zgjidhje brenda këtij viti, shkruan Portalb.mk.

“Shkumbini”, i katandisur në këtë mënyrë, shqetëson banorët e Lagjes “Dardania” dhe frikëson ata në rast të përsëritjes së vërshimeve të vitit 2015. Masat e deritanishme të Komunës së Tetovës kanë qenë shumë sipërfaqësore duke mos zgjidhur problemin.

Edhe pse vazhdimisht banorët e kësaj lagjeje kanë kërkuar zgjidhje, ata kanë hasur në vesh të shurdhër.

Kryetari aktual i Tetovës, Bilall Kasami gjatë debatit publik për buxhetin e Komunës për vitin 2022 tha se janë në kontakt me disa kompani për të zgjidhur këtë problem, ndërkaq të pyetur nga Portalb.mk se çfarë po punohet në këtë drejtim, nga Komuna e Tetovës thonë se plani për rregullimin e shtratit të Lumit Shkumbin nga ura nën bulevardin Video Smilevski-Bato (rruga Industriale) është paraparë me programin dhe planin për vitin 2022.

“Në muajin maj të këtij viti do të bëhet edhe procedura e prokurimit publik. Sektori për ZHEL është në kontakt të vazhdueshëm me OJQ-të dhe kompani të arkitketurës, për përgatitjen e aplikacioneve për projekte të gatshme për infrastrukturë, për ujësjellës dhe kanalizime në fonde të brendshme dhe fonde të jashtme”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Lumi Shkumbin në pjesën e Lagjes Dardania
Lumi Shkumbin në pjesën e Lagjes Dardania

Ndryshe, Inspektorati ekologjik vazhdon të mbetet i padobishëm. Në aplikacionin  “E-report”  qytetarët mund të raportojnë për sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor, por në këtë aplikacion numri është jofunksional. Nga Komuna për këtë të fundit thanë se në kohë sa më të shpejtë të jetë në funksion për qytetarët, por kjo nuk ka ndodhur deri tani.

Në pikat e 100 ditëshit të Kasamit ishte edhe pika: Sanksione-gjoba financiare (përgjegjësi ligjore) për të gjithë ndotësit e ambientit jetësor me mbeturina jashtë kontejnerëve përkatës apo djegien e tyre.

Por kjo nuk u realizua, i pyetur për këtë nga Portalb.mk, Kasami u shpreh se janë duke e kompletuar kapacitetin kadrovik të inspektoratit dhe fillimisht do të shkohet me sensibilizim dhe informim të qytetarëve, pastaj me sanksione për ata ku do të konstatohet shkelje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button