LUFTA: “DEHJE E PËRGJAKSHME”

“Për nga natyra, njeriu është i obsesionuar pas vetëshkatërrimit.”

Ron Rusenbaum

Ditën e Vitit të Ri 2013, artistja Yoko Ono pagoi një reklamë në një faqe të plotë të gazetës “New York Times”. E gjithë faqja qe mbushur vetëm me dy fjalë: “Imagjino paqen!”, një jehonë nga kënga e famshme e John Lennon-it të “The Beatles”, me karakter të fuqishëm anti-luftë dhe pacifist.

Më 24 shkurt të këtij viti Rusia sulmoi Ukrainën, pushtoi pjesë të territorit të saj. Edhe një herë lufta u bë tema numër një e agjendës globale, një problem ky primordial i njerëzimit, nga zanafilla e deri më sot, një dukuri e ngulitur thellë në “shprehitë dhe bindjet e njeriut” (Kennan, 1987). Gjetjet flasin se, nga 3.400 vitet e kaluara, njerëzit kanë jetuar në paqe vetëm 268 vjet, vetëm 8% të historisë së regjistruar. Pra, pjesa dërrmuese e kësaj periudhe të historisë  së njerëzimit është kaluar në luftë. Vetëm në luftërat e shekullit XX janë vrarë 108 milionë njerëz (Hedges, 2003).

Me çështjen e luftës merret edhe libri i filozofit dhe politologut të mirënjohur britanik, nga prestigjiozi LSE (London School of Economics, Londër), Cristopher Coker, “A mund të eliminohet  lufta?”. Sipas autorit në fjalë lufta ka luajtur një rol qendror në historinë e njerëzimit, sepse është mishëruar në zhvillimin tonë kulturor dhe, për fat të keq, sipas të gjitha gjasave, do të mbetet pjesë e tij për njëfarë kohe.

Në vazhdim do të japim ca sekuenca nga libri i Coker-it, pëkthyer nga autori i këtij shkrimi,  që së shpejti pritet të botohet edhe në gjuhën shqipe në botim nga “Logos-A” :

“Sipas  Michael Howard-it, luftërat i ngjajnë njëra-tjetrës, shumë më tepër se veprimtaritë e tjera njerëzore (ato zhvillohen paralel me elemente të veçantë rreziku, frike dhe pështjellimi). Në të gjitha luftërat, trupat e njerëzve mundohen t’u imponojnë të tjerëve vullnetin e vet përmes dhunës. Po ashtu, në të gjitha luftërat ndodhin ngjarje të papërfytyrueshme për fushat e tjera të përvojës. Pavarësisht kësaj, shpeshherë ndryshimet janë të mëdha. Historiani ushtarak Howard ka harxhuar një pjesë të jetës duke i tipologjizuar ato. Në çdo epokë lufte, ndryshimet i japin një karakter të veçantë luftës, pa e sfiduar atë që Clausewitz-i e quan natyra e vërtetë e saj.”

“Për një shabllon të mundshëm të asaj që mund të ndodhë në të ardhmen, mendo rreth shpërthimeve të Mumbait në vitin 2008, ku pesë skuadra dypersonëshe qëlluan në të njëjtën kohë. Në pesë sulme brenda dy ditësh realizuan një pengmarrje në një  qytet botëror. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë planet e veta. Shumë shpejt, anije ajrore me sensorë të avancuar do të bëjnë mihje të dhënash. Plani është që çdo qytet të digjitalizohet tërësisht, në mënyrë që ushtarët ta kenë të mundur të shohin përtej mureve (në rast se nuk mund t’i tejkalojnë). Siç e thotë Peter Singer-i, imagjinoni videolojën “Sin City” (Qyteti i mëkatit) të kryqëzuar me Google Earth-in.”

Metrowar (Lufta e metrosë), beteja gjoks më gjoks në një peizazh qyteti, po shfaqet në horizont. Nëse paradigma evolutive që kam shtruar në këtë kapitull është e vërtetë, del se jemi të detyruar të arrijmë në një konkluzion të pashmangshëm: shekulli XXI mund të mos jetë luftarak sa ai XX, por, përderisa lufta vazhdon të evoluojë, kapitulli i tij i fundit ende nuk ka nisur të shkruhet.”

“Dielli i periudhës së mbizotërimit ushtarak të padiskutueshëm të Perëndimit ka perënduar… Duket qartë se Lindja e ka zgjidhur enigmën e mënyrës perëndimore të të luftuarit.” (M. Howard)

“Mund të jetë e vërtetë se “tabuja nukleare” është shpikur nga fuqitë bërthamore, ashtu si tabuja e incestit (që ekziston në të gjitha kulturat) është pasojë e idesë se endogamia jep rezultate negative. Këto tabu nuk lindin përnjëherë. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë të gatshme që të lëshojnë raketat e tyre kundër njëra-tjetrës, ndonëse asnjëra nuk kërcënon tjetrën, as ideologjikisht, as politikisht.”

“Pra, a është lufta thjesht një ide e fuqishme, por e rrezikshme, që ka frymëzuar breza të rinjsh që të sakrifikojnë jetët e tyre marrëzisht për atë që Wilfred Owen-i e ka quajtur “ca lavdi të dëshpëruar” (some desperate glory)? Siç thotë një fjalë e urtë japoneze, “lufta është arti për një vdekje të zbukuruar”. Por, çështja është se kush po e zbukuron atë? Në një pjesë të mirë të historisë kanë qenë poetët që kanë frymëzuar shumë të rinj që të shkojnë në front. Ndërsa videolojërat dhe filmat me luftë kryejnë thuajse të njëjtin funksion. A mund ta eliminojmë luftën nëse ia dalim t’i ofrojmë vetes një tjetër rrëfim?”

“Fundistët” mundohen gjithnjë t’i referohen optimizmit të Kant-it se njerëzimi do të bëhet më i mirë, më dashamirës me kalimin e kohës, dhe se lufta mund të eliminohet.”

“…lufta vazhdon të evoluojë dhe, derisa ajo të arrijë pikën evolucionare të zhdukjes, gjasat janë që ne të mbetemi pre e luftës.”

“Në histori ka raste të shoqërive që i janë shmangur luftës, gjë që i ka bërë historianët të përdorin termin “të çluftësuara” (debellicized).”

“Optimizmi i verbër nuk është përgjigje, sikundërse as pesizmi dëshpërues.”

Kanti beson se nëse nuk arrihet paqja e kuptimtë, armiqësitë mund të shndërrohen në luftë të asgjësimit (bellum internecinum). Është shumë e natyrshme që të ëndërrojmë edhe një botë të paqes, të paqes së përhershme (pax perpetua), që mund të arrihet kur të arrihet maturiteti etik i njeriut dhe njerëzimit.

Shënim: Shprehja “dehje e përgjakshme” ëshë huazuar nga fisi malajas Senaja, në shoqërinë e të cilëve vrasja ishte gjë e panjohur; ata nuk kishin as shprehje apo fjalë për këtë veprim dhe shprehjen e fjalë e shqiptuan kur u rekrutuan nga britanikët në vitet 1950 në luftën kundër komunizmit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button