Maturantë të nderuar!

Të dashur maturantë,  pranoni urimet më të përzemërta për këtë “finale” që në kujtesën tuaj besoj të mbetet gjithmonë e veçantë! Ju përgëzoj ngrohtësisht jo vetëm për të arriturat e deritanishme, por edhe për mundin e madh që po jepni në përmbylljen e suksesshme të këtij episodi jetësor.

E di që gjatë këtyre katër viteve jeni përballur me detyra të shumta, me sprova,  me lloj-lloj baticash e zbaticash dhe me gjithçka që ka qenë në shërbim të zhvillimit tuaj intelektual. Si mësimdhënës kam vërejtur çaste gëzimi, dëshpërimi, hidhërimi, pajtimi, zhgënjimi, pastaj ka pasur edhe të qeshura, por nuk kanë munguar as lotët. Të gjitha këto situata kanë qenë si rezultat i zgjidhjes së mistereve, pastaj synimit drejt socializimit më të plotë, drejt absorbimit të virtyteve më të larta njerëzore, drejt mirësisë e urtësisë.

Tani kur keni fituar epitetin “maturantë” duhet që dalëngadalë të merrni vendime në mënyrë të pavarur sepse mendoj që jeni pajisur me njohuri të mjaftueshme. Tani mund që të ecni vetë rrugës së ardhmërisë duke u bërë pjesë aktive e botës, tani ëndrrat e juaja mund të bëhen realitet. Shekspiri thoshte: “Fati ynë nuk është i shkruar në yjet, por në veten tonë”. Në fund të fundit, njeriu është i detyruar që të jetojë i lirë, i pavarur dhe të vendosë në bazë të vullnetit të vet të fortë.

“Një mësimdhënës plak i cili më ishte edhe i pamundur, i pafuqishëm, lutej nga nxënësit që të mos vdesë akoma, por ai përgjigjej: Nëse unë nuk vdes, atëherë si do të shikoni ju ndonjëherë?  E çka do të shikojmë kur ti do të vdesësh? – pyetën nxënësit. Atëherë plaku i mençur i rrudhi krahët dhe tha: Gjithçka që unë kam bërë, ka qenë që të qëndroj në bregun e lumit dhe që juve t’jua ofroj ujin që rrjedh. Pasi që unë të shkoj nga kjo botë, shpresoj që ju ta shihni vetë lumin”. Por, megjithëkëtë, ju edhe në të ardhmen duhet t’i ndiqni urdhrat, këshillat e mësimdhënësve dhe në njëfarë mënyre të bëheni zëvendësit tanë të denjë, të bëheni bartës të proceseve jetësore.

Maturantë të dashur, uroj që përvojat, mësimet, kurset e ndjekura, dijet e fituara gjatë këtyre katër viteve, t’i vini në shërbim të një jete të mirë, të drejtë, të shëndetshme dhe asnjëherë të mos bini nën ndikimin e iluzioneve moderne dhe ëndrrave të rrejshme.

Ajo që pritet nga ju, është vazhdimi i zhvillimit më të thellë intelektual dhe njerëzor, ballafaqimi në mënyrë logjike, transparente, racionale dhe njerëzore me kurthet e jetës. Njeriu nuk mund të zgjedhë se kur dhe ku do të lindë, se në çfarë rrethanash do të rritet. Kjo nuk varret nga ne. Por, ajo që varet dhe pritet nga ne, është që të jemi njerëz kudo dhe kurdo, në çfarëdo situatash dhe në çfarëdo rrethanash.

Njerëzit vlerësojnë gjithmonë në bazë të arritjeve, andaj maturantë të nderuar, le të jenë rezultatet e larta dhe sukseset e njëpasnjëshme  synimi juaj jetësor. Uroj që ju të bëheni vetëm njësi kualitetesh, shembull i konkurrencës së denjë,  të veproni me drejtësi, përgjegjësi dhe profesionalizëm. Mos harroni se, disa gjëra si: guri i hedhur, fjala e thënë,  rasti i humbur dhe koha e kaluar, nuk kthehen më.

E kuptoj se tani ndodheni në një periudhë të tensionuar dhe me shumë strese. Ku, çka, si, ..?! Pra, një hamendje në vendimmarrje. Kur kësaj ia shtojmë edhe rrethanat politike, ekonomike, ato të sigurisë, pastaj ethet e stërzgjatura të tranzicionit, perspektivën e dyshimtë, dhe parametra të tjerë që kanë të bëjnë me proceset e pandalshme të globalizimit, është vërtet e vështirë që të qëllohet profesioni i vërtetë. Andaj nuk janë të rralla rastet kur njerëzit nuk janë të kënaqur me profesionin e tyre; kanë kryer diçka tjetër e merren me diçka krejtësisht tjetër, ose merren me diçka që asnjëherë nuk e kanë dashur. Është një e vërtetë: nëse njeriu në jetë ka zgjedhur profesionin të cilin nuk e do, ai do të jetojë në robëri. Andaj, shfrytëzoni të gjitha këshillat dhe sugjerimet e të afërmve, të familjarëve, të mësimdhënësve, të profesionistëve, të dashamirëve dhe bisedoni me të diplomuarit e fushave ku ju mendoni të studioni!

Gjithashtu, mos harroni ta shfrytëzoni kohën e lirë para se ta humbni atë, shfrytëzojeni pasurinë para varfërisë, rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, shfrytëzojeni jetën para vdekjes.

Në fund të fundit , fjala maturant është një fjalë që ka të bëjë me maturinë (maturi-maturant), me pjekurinë. Kush është njeri i pjekur? Është njeriu i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm. I përgjegjshëm ndaj vetes, ndaj tjetrit, ndaj natyrës dhe ndaj Zotit.

Mr. Bekim Ramadani – Gjimnazi i Tetovës

Lajme të ngjashme

Back to top button