Mbetjet biologjike janë kudo burim për të bërë kompost, vetëm në RMV trajtohen si hedhurina 

Lëvozhgat e perimeve dhe frutave, gjethet dhe degët e thata nga oborret dhe parqet ose mbetjet nga prodhimtaria bujqësore, frutikulturës dhe vreshtarisë. Të gjitha këto janë mbetje biologjike, të cilat tek ne përfundojnë në ndonjë deponi, ndërsa në shumë vende ato janë burim. Sipas statistikave në vend, mbetjet biologjike marrin pjesë me rreth 60 për qind të asaj që familjet e hedhin dhe që zakonisht përfundojnë në kontejnerë. E përzier së bashku me mbetjet e tjera, ajo shkon në ndonjë deponi ku dekompozohet, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ndikimi i këtij procesi në mjedis është i madh, toka, ujërat nëntokësore dhe nëntokësore ndoten dhe lirohen gazra serë, të cilët janë drejtpërdrejt përgjegjës për ndryshimet klimatike.

Ekonomia rrethore (cirkulare), e vetmja që siguron jetesë dhe mbijetesë të qëndrueshme në planet, nuk mund të imagjinohet pa përdorimin e mbetjeve biologjike si lëndë të parë për kompostim. Është i vetmi trajtim i duhur, me të cilin nga një ndotës fitojmë një burim dhe si rezultat përfundimtar, kompost për përmirësimin e zonave publike, parqeve, apo sipërfaqeve bujqësore.

Kompostimi është praktikë në çdo vend ku menaxhimi i mbetjeve është i rregulluar. Evropa prodhon nga 118 deri në 138 milionë tonelata mbetje bio në vit, nga të cilat në vitin 2019 rreth 40 për qind janë kompostuar. Më së shumti për kokë banori komposton Sllovenia, 320 kilogramë në vit, pastaj vjen Holanda me rreth 223 kilogramë për kokë banori në vit.

Instalimi i impianteve të vogla për kompostim në Shkup është një nga idetë për të cilat angazhohen nga Qyteti Human i Gjelbër (QHGJ). Këta këshilltarë në Këshillin e Qytetit të Shkupit vitin e kaluar propozuan që nga buxheti i qytetit në secilën komunë të bëhet nga një impiant i vogël për kompostim, por ia dolën të votojnë vetëm për një.

Ideja, sipas këshilltarit të QHGJ-së, Gorjan Jovanovski, është që qytetarët e secilës komunë të kenë mundësi që të depozitojnë biombeturinat e përzgjedhura në afërsi të tyre. Ai vë në pah se kompostuesit në qytete mund të ofrojnë mundësi për krijim të kopshteve urbane, në të cilat qytetarët mund të rrisin bimë, por edhe përmes njohjes së ndërsjellë të krijojnë komunitete më të forta.

“Synimi ynë është zero mbetje, pra trajtimi 100 % i të gjitha bio-mbeturinave që gjenerohen në territorin e qytetit, që është rreth 40 mijë tonelata në vit. Për trajtimin e tërë sasisë nevojitet instalimi i 40 impianteve për kompostim me kapacitet për 1000 tonelata në vit. “Jemi të vetëdijshëm se ky është një aktivitet afatgjatë që kërkon një investim të madh fillestar dhe fushatë për të ngritur ndërgjegjësimin e publikut për problemin, por jemi të vetëdijshëm edhe për krizën klimatike me të cilën po përballemi, ndaj besojmë se Shkupi duhet të fillojë kompostimin sa më shpejt”, thotë Jovanovski.

Profesoresha Liljana Koleva-Gudeva nga Fakulteti i Bujqësisë në Universitetin “Goce Dellçev” nga Shtipi mendon se ideja për impiante kompostimi në qytete është e shkëlqyeshme. Megjithatë, për të siguruar kompostimin e duhur të mbetjeve biologjike, ato duhet të menaxhohen siç duhet nga ekspertë dhe të kontrollohen nga komunat ose ndërmarrjet publike komunale. Koleva-Gudeva thotë se para realizimit të një projekti të tillë duhet edukim i mirë i popullatës, për atë se cilat mbetje mund të kompostohen e cilat jo. Edukimi është i rëndësishëm edhe për personat nga shoqëritë komunale që do ta kontrollojnë këtë proces, sepse thjesht asgjësimi dhe përzgjedhja e mbetjeve organike në një vend të caktuar nuk do të thotë kompostim.

“Për fermentim dhe kompostim të duhur, është e nevojshme të bëhet përzgjedhje e duhur e mbetjeve. Kompostimi është proces në të cilin marrin pjesë mikroorganizma të caktuar dhe në rast të përzgjedhjes së gabuar të mbetjeve, në vend që të inkurajohet procesi i kompostimit, mund të ndodhë kalbja. Prandaj, duhet ditur se qytetarët duhet të zgjedhin drejt dhe të kenë kujdes se çfarë mund të kompostohet dhe çfarë jo. Për shembull, mbetjet e frutave dhe perimeve, lëvozhgat e vezëve, bimët e thata, degët e vogla të thata, kashta, gjethet dhe gardhe të freskëta mund të kompostohen, por mbetjet e mishit dhe peshkut, produktet e qumështit, kafshët e ngordhura, fekalet e kafshëve, eshtrat, tekstili, plastika, qelqi dhe lëndët e tjera të para joorganike nuk janë aspak të dëshirueshme në përzierjen e kompostos”, tha Koleva-Gudeva.

Kompostimi në kompostues të vegjël shtëpiak nuk është gjl e panjohur në vendet e zhvilluara. Koleva-Gudeva thotë se në Holandë, për shembull, pothuajse çdo fermer ka kompostuesin e tij, i cili me sukses i largon mbetjet biologjike që krijohen në procesin e prodhimit në mënyrë krejtësisht ekologjike. Ajo beson se është mirë që ka iniciativa për transferimin e këtyre praktikave në vendin tonë, veçanërisht sepse zvogëlohet ndikimi në mjedisin jetësor dhe zgjatet jeta e deponive.

“Efekti i kompostimit, duke reduktuar mbetjet që përfundojnë në deponi, mund të jetë i madh. Është për të ardhur keq që në vend nuk kemi sistem të zhvilluar për përzgjedhje të mbetjeve, por këto iniciativa reduktohen në individë, grupe të vogla, shoqata joqeveritare ekologjike apo në pjesë të komunave. Do të ishte mirë që vetëqeverisjet lokale apo institucionet të renditen në krah të tyre, që ky proces të bëhet sa më i përhapur dhe natyrisht të mundësohet dhe kontrollohet nga njerëz të trajnuar dhe të arsimuar”, thotë KolevaGudeva.

Në vend, thekson ajo, ka laboratorë referentë që mund të ekzaminojnë përbërjen kimike dhe të përcaktojnë cilësinë e produktit përfundimtar të kompostimit. Përfitimi prej tij është i madh sepse përmes kompostimit toka i kthen disa mikroorganizma dhe lëndë organike që e përmirësojnë strukturën e saj.

Këshilltarët e QHGJ-së me një amendament kërkuan nga Qyteti i Shkupit që të parashikojë vendosjen e dhjetë kompostuesve. Si shembull të suksesshëm evropian, ata e theksojnë qytetin francez Bezanson, ku instalimi i kompostuesve komunalë në vetëm gjashtë vjet e ka ulur sasinë e mbetjeve komunale me 30 për qind dhe duke i larguar mbetjet biologjike nga deponia në kompostues, qyteti ka kursyer rreth 800,000 euro në vit. Këshilli i Qytetit të Shkupit, nga ana tjetër, për shkak të mungesës së parave, miratoi vetëm një kompostues. Megjithatë, sipas Jovanovskit, presin që nga buxheti plotësues për këtë vit të sigurohen mjete shtesë për kompostues të tjerë.

“Në fazën e parë, gjegjësisht me vendosjen e kompostuesit të parë, për të cilën si lokacion të mundshëm e theksuan rrethinën e kopshtit urban Bostanie, komposti do të përdoret për pasurimin  e leheve dhe sipërfaqeve të gjelbra publike në atë rreth. Në fazën e dytë, me vendosjen e gardhit mbrojtës dhe sistemit të sigurisë, për çdo qytetar të interesuar do të sigurohet kartelë me të cilën do të ketë qasje te kompostuesi, ku do të matet sasia e mbetjeve bio dhe përdoruesi do të marrin 10% të peshës në kompost”, thotë Jovanovski.

Nga ana tjetër, autoritetet e qytetit nuk japin informacione se deri ku ka arritur realizimi i këtij projekti, i cili u mbështet me të madhe nga qytetarët. Nga Qyteti i Shkupit nuk janë përgjigjur në pyetjet e redaksisë të Meta.mk, andaj nuk dimë nëse kanë filluar ndonjë aktivitet për realizimin e kompostuesit të parë të qytetit, apo në cilin lokacion mendojnë ta vendosin. Nuk na kanë informuara as se sa para janë ndarë në buxhet për këtë qëllim, si dhe kush do ta menaxhojë dhe si do të funksionojë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button