Çmimet e produkteve rriten çdo ditë

Pavarësisht rritjes së përditshme të çmimeve të produkteve ushqimore, të faturave mujore, madje edhe të transportit, Qeveria pohon se për momentin nuk ka ndonjë goditje serioze çmimesh për qytetarët. Autoritetet vlerësojnë se me masën për çmimet e ngrira dhe marzhet e kufizuara, edhe disa çmime janë ulur. Por, qytetarët vërejnë vetëm një trend në rritje, shkruan Alsat.

A i mbani mend çmimet e tre produkteve, që i keni blerë në nëntor të vitit të kaluar dhe sot?

“Djathi 185, tani 235 denarë për kilogram. Kaçkavalli 285 – 335 denarë, fasulja 55 denarë, tani është 65 denarë”, tha një qytetar.

“Çdo ditë rriten çmimet, çdo blerje me çmime të reja. Autoritetet thonë se nuk ka goditje çmimesh? “Sigurisht që nuk ka për ta”, qytetare.

“E di që çmimi i perimeve është rritur shumë. Sa? Shumë”, qytetar.

Alsat kërkoi çmimet e ushqimeve nga një prej rrjeteve më të mëdha të marketeve në Maqedoni. Të dhënat tregojnë se në pak muaj qytetarët paguajnë çmime serioze të larta për blerjen e ushqimeve. Kafja, orizi, fasulja, kremrat, kosi, letra higjienike, detergjentët dhe produktet e tjera që qytetarët blejnë rregullisht janë më të shtrenjta.

Çmimet e produkteve ushqimore

 Nëntor 2021- Shkurt 2022

  • Margarinë: 29 den- 33 den
  • Majonezë: 124 den- 139 den
  • Kafe 200g: 72 den- 92 den
  • Jogurt 1l: 42 den- 48 den
  • Oriz 1kg: 51 den- 55 den
  • Fasule: 52 den- 59 den
  • Ajvar: 139 den- 165 den
  • Krem çokollatë: 99 den- 104 den
  • Keçap: 55 den- 58 den
  • Letër higjienike: 109 den- 125 den
  • Detergjent i lëngët: 108 den- 125 den

Deri në fund të këtij muaji skadon masa për ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë. Më pas, nga 1 marsi deri në fund të majit do të jetë në fuqi vendimi i Qeverisë, me të cilin do të kufizojë marzhat tek tregtarët, 5% në tregtinë me shumicë, dhe 10% në tregtinë me pakicë.

Përkundër faktit se çmimet e produkteve ushqimore bazë nga Qeveria janë ngrirë në muajt e fundit, megjithatë në disa tregje çmimet janë rritur. Këtë e ka konfirmuar Enti Shtetëror i Statistikës, i cili ka shënuar rritje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë në muajin janar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button